Shiheni këtë gazetare. Nuk është gazetare. Është aktiviste (link 2, link3, link4), e Vetëvendosjes dhe quhet Liridona Kelani.
Ajo po bëhej sikur ishte gazetare dhe po e intervistonte Albin Kurtin, i cili po bëhej sikur po intervistohej. Data ishte 12 shtator 2020. Pra, koha midis Qeverisë Kurti I dhe II.
Intervista po zhvillohej në TVV. Televizioni Vetëvendosje. Një projekt televiziv i Vetëvendosjes që… s’pati sukses.
Por, çka po bënte Albin Kurti derisa aktronte sikur po intervistohej nga një aktiviste e partisë së tij që aktronte sikur ishte gazetare? Qysh një lider i deklaruar progresiv, i artikuluar, i edukuar, nuk po gërditej nga një skenë e tillë?
E këtu dalim te ky gazetar.
Është përnjëmend gazetar. Punon në RTK dhe e intervistoi Albin Kurtin para një muaji e kusur. Intervista e tij bëri bujë sepse u quajt ledhatuese nga gazetarët kritikë ndaj Kurtit. Më pas, dolën edhe dokumente që tregonin se një OJQ ku ishte themelues – e me gruan drejtoreshë – i kishte fituar 200 mijë euro nga institucionet që drejtohen nga Albin Kurti.
U tha “e pagoi intervistën 200 mijë euro”.
S’është bash ashtu.
Intervistuesi përnjëmend është i dobët. Bile, edhe më i dobët se sa aktivistja e VV-së që po bëhej si gazetare.
Gazetari i RTK-së e lë Kurtin të bëjë gjykime arbitrare sa të dojë. S’e ndërpret. S’e ballafaqon. Ndërsa bën konstatime që ashiqare janë shumë shumë larg objektivitetit.
Kjo definitivisht ka lidhje me demokracinë aq sa ka intervista e aktivistes së VV-së me kryetarin e saj.
Por, s’është diçka që na la pa fjalë. Pra, kjo intervistë në RTK s’ishte një produkt që kushtonte 200 mijë euro. Gazetari në fjalë shihet që s’është i zoti në punën e tij. S’është i kthjellët. Dhe këtu, faji s’është te ato 200 mijë euro për OJQ-në.
Korrupsioni qëndron në faktin se i doli përpara Kurtit duke e ditur se sa para fitonte prej tij. Në rastin më të mirë, kjo është një padije kolosale. S’ia ka rrokë që s’bën. Në rastin më të keq, është mashtrues.
Mirëpo, korrupsioni më i madh qëndron te pushtetari. Te Kurti. Nuk është e mundur që kryeministri të mos e njihte një përfitues kaq të madh të parasë publike. E megjithatë, pranoi të intervistohej prej tij. Edhe më herët, e dinte që para vetes e kishte një aktiviste të VV-së. Por, bëhej sikur intervistohej prej saj.
Të dyja rastet përbëjnë ABUZIM ME SFERËN PUBLIKE. Abuzim me demokracinë. Përbëjnë korruspion të qartë.
Intervistimi i një kryeministri dhe ballafaqimi i tij përbën një ngjarje domethënëse për një vend demokratik. Por, ja që kjo ngjarje iu vodh qytetarëve të Kosovës. Bile, gazetari i RTK-së që s’ka pikë interesi për zhvillimet politike e s’bën intervista e shtyri Kurtin t’i premtonte për edhe një intervistë tjetër.
Ok ok, një simpatizant i VV-së mund të thotë që peizazhi mediatik në Kosovë është tepër i fëlliqtë. Deridikund pajtohemi me ju. Por, a është zgjidhje që kryeministri i Kosovës – krejt Kosovës – t’i ikë çdo ballafaqimi dhe kur ballafaqohet ta bëjë atë para të nënshtruarve të tij?!
Zgjidhje mund të jetë veç për vende që janë llumi i llumit. Por, jo për vende demokratike.