E diel, 20 Korrik, 2025

Jo, s’është njësoj si George Floydi në Amerikë

PolitikëJo, s'është njësoj si George Floydi në Amerikë

Ngjarja më e përfolur aktualisht në Kosovë është vdekja e dyshimtë e një 27-vjeçari në Lipjan. Dyshimet janë se kjo vdekje erdhi pas dhunës së kryer nga zyrtarët policorë. E reagimet janë – si përherë – të ngutshme dhe në prirjen e përhershme totalizuese për të nxjerrë kuptime për krejt realitetin tonë shoqëror.

Pamjet

Ajo që nxiti reagimin e madh të qytetarëve ishte publikimi i pamjeve në rrjete sociale nga momenti kur po arrestohej 27-vjeçari tashmë i ndjerë.

Viktima – që quhej Agon Zejnullu – ishte i shtrirë përtokë dhe bënte lëvizje me këmbë. Në anën tjetër, shihen dy-tre zyrtarë policorë që e mbajnë dhe një tjetër që i vërsulet në mënyrë agresive.

Ishin pamje të rënda që s’përkonin me imagjinatën tonë për punëtorët e institucionit më të besueshëm në Kosovë.

Faktet

Tashmë janë arrestuar pesë zyrtarë policorë me dyshimin se në këtë rast kanë kryer “vrasje nga pakujdesia”.

Siç raporton Kallxo.com, dyshohet edhe se Inspektorati Policor i Kosovës ishte lajmëruar me vonesë gjë që e bën edhe më të rëndë rastin.

Alban Zejnullahu, vëllai i tij, e cilësoi si “vrasje”  vdekjen e dyshimtë të vëllait.

“Po shihet që u vra. S’ka dyshime n’këtë aspekt.” tha ai para mediave, derisa shprehet se ende ishte në pritje të raportit të Institutit Mjeko-Ligjor.

Përveç mungesës së këtij raporti, ka mungesë edhe faktesh tjera që e pamundësojnë ngritjen e përfundimeve legjitime. Por, ja që përfundimet erdhën.

Banalizimi

Fatkeqësisht, ky rast sapo mori dhenë nisi të banalizohej. Avokati Arianit Koci e krahasoi me rastin e George Floyd në ShBA. Ai rast kishte të bënte me racizmin sistemik dhe brutalitetin policor ndaj komuniteteve afrikano-amerikane. Ajo vrasje erdhi pas disa vrasjeve tjera të zezakëve në ShBA (Breonna Taylor, Eric Garner, Michael Brown, Ahmaud Arbery) që kishin bërë jehonë të madhe.

Siç dihet, Agon Zejnullahu i takonte komunitetit shqiptar. Nuk ka asnjë indikacion se ai i përkiste ndonjë grupi shoqëror të diskriminuar historikisht nga Policia e Kosovës. Dhe s’ka indikacione se ai ishte i shënjestruar në mënyrë të qëllimshme deri tash. Qoftë politikisht, qoftë fetarisht, qoftë profesionalisht.

Nëse vdekja e Agon Zejnullahut është vrasje, atëherë emrat e të dyshuarve për vrasje nga pakujdesia tashmë dihen nga publiku. Përpjekja që me faj të bëhet e gjithë Policia e Kosovës – për momentin – është po aq banale sa ndërlidhja me rastin e George Floyd.

Dhe për më keq, të bëhet me gisht kah të gjithë policët e Kosovës njëherit nënkupton të hiqet gishti nga pesë të dyshuarit që tashmë janë ndaluar.

Natyrisht, Policia e Kosovës meriton të kritikohet për një mori çështjesh të ndryshme. Ta zëmë, kur i linçoi para krejt Kosovës tri gra që tha se e kishin vjedhë një telefon që kushtonte 70 euro. Ose, edhe për dhunën ndaj qytetarit në Klinë. Por, për të dalë në konkludimin se është rritur përgjatë viteve numri i reagimeve të dhunshme nga Policia, duhet pa çare të ofrohet ai numër bashkë me një mori numrash tjerë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: