A e keni dëgju kur thonë votimi është obligim qytetar. Ju kanë rrejtë. Shumë më i rëndësishëm për demokracinë është debati publik. Pjesëmarrja e qytetarëve në debat publik. Ky është obligim qytetar. Nëse bindja jote është mos me votu, dhe ti voton, atëherë je duke e shkelë bindjen tënde. Votimi pa debat, pa fjalë të lirë, pa transparencë është veç iluzion. Ka votu mileti edhe në sistemin e Enver Hoxhës.
Eh, debatet pra. Në dukje të parë, demokracia e Kosovës duket se po lulëzon: debate televizive në të majtë e në të djathtë. Por, mos nuk kemi lulëzim e kemi vyshkje?! Mos këto debate televizive në fakt… s’janë debate hiç?!
Eh, ajo që do ta mësoni në këtë video do t’iu lë pa fjalë! Mbajeni frymën!
Magazina Tjetër i përcolli këto debate veç për katër ditë. Nga 23 deri më 26 qershor. E hënë – e enjte. Provuam ta kuptonim se sa debate kishte në Kosovë. Çfarë debate. Sa po shikoheshin. Dhe më e rëndësishmja: a i kontribuonin a jo demokracisë?!
I përcollëm tetë televizione me frekuencë kombëtare. Dhe i përcollëm veç në YouTube. Përgjatë këtyre katër ditëve na u shfaqën LIVE plot 39 emisione debati e bisede. Pra, 39 talk/show e show debati të ndryshëm që u futën LIVE plot 136 herë. E nëse i numërojmë krejt emisionet e debatit – pra, edhe ato që s’i futën LIVE, emisionet e vikendit, sportit etj. – numri shkon në… kupë të qiellit. Mbi 100.
Gjatë këtyre ditëve – veç katër ditë, po e përsërisim – kishte përmbajtje debati e bisede për 166 orë e 39 minuta. Pra, për katër ditë janë prodhu shtatë ditë përmbajtje debati e bisede në Kosovën tonë të vogël. Rrini ju rrini! Ky të dashur përcjellës të magazinës TJETËR quhet prodhim industrial.
Meqë ra fjala, mos harroni të na e bëni Subscribe në Youtube. Pashë allahun! Ty s’të kushton hiç, e neve na ndihmon shumë!
Vzhdojmë! Ja po i marrim televizionet një nga një.
T7-shi transmetoi për katër ditë emisione debati prej 16 orësh e tre minutash në vetëm tri emisione: Pressing, Kosova Live dhe Frontal. Por, T7 i ka edhe gjashtë emisione tjera bisede aktualisht aktive e të cilat përgjatë këtyre ditëve s’i futën LIVE. Zanat nga Zana Avdiu, ku bisedohet për gratë dhe jetën para vdekjes. Majtas, jo Djathtas nga Shkodran Hoti ku diskutohet për gjithçka. Favorit, ku diskutohet kryesisht për futboll dhe jetën pas vdekjes. Shneta ku diskutohet për shëndetin. Euro n’T7 e Menduh Abazit ku flitet për euron. Dhe, Prizma e Dritan Dragushës ku diskutohet për vdekjen para jetës.
RTV Dukagjini shfaqi LIVE emisione debati për 29 orë e 59 minuta e 42 sekonda.
KTV-ja shfaqi në YouTube emisione debati e bisede për 9 orë e 24 minuta e 5 sekonda. Kanal10 shfaqi emisione për 19 orë e 18 minuta. ATV-ja shfaqi emisione për 21 orë e 41 minuta. TëVë1 shfaqi LIVE në YouTube emisione për 24 orë e 49 minuta. RTV21 shfaqi një debat të vetëm që e ka për 4 orë e 25 minuta. Ndërsa Klan Kosova është kampione. Shfaqi emisione me biseda e debate në YouTube live për 40 orë e 59 minuta e 51 sekonda. Po e përsërisim: veç për katër ditë. Kur ia shton kësaj që Devollët po e hapin edhe një televizion tjetër, D1 CNN, e që do të shfaqë përmbajtje lajmesh e debatesh e bisedash 24 orë i bie se do të përmbytemi.
Kush shikohet më shumë?!
Debati më i shikuar në Kosovë është bindshëm Debat Plus. Mbi 100 mijë shikime përgjatë katër ditëve. Ndërsa, vendi i dytë s’e ka as gjysmën e këtyre shikimeve. Por, ia vlen të thuhet se një numër i madh debatesh kanë tepër tepër pak shikime gjë që na çon drejt poentës tonë.
Gjithëprania e debateve dhe bisedave televizive po bën devalvimin e debatit e të fjalës publike. Shihni se si janë organizu debatet politike. Komercializmi është ashiqare thelbi i tyre.
Në debatet më të shikuara (që janë ato politike) e kemi një kurdisje tepër transparente të një dikotomie: në një anë njerëz pro-Kurti e në tjetrën njerëz anti-Kurti. Është pra kjo dikotomi që i prodhon përplasjet e piskamat e nevojshme për spektakël. Shikuesi lodhet kur dikush ia sfidon a zgjeron të menduarit. Kësisoji, ai e pret përplasjen në mënyrë që në një anë t’i përforcohen bindjen dhe në tjetrën të argëtohet si i shfrenuar. Ku po e dimë? Prej përzgjedhjes së klipeve që prehen e shpërndahen në rrjete sociale nga këto media. Ato e dinë që populli kërkon polarizim. Dhe iu jep polarizim. Demokracia në lesh.
A vlerësohet elaborimi i ndonjë panelisti? Rrallë e hiç. Nuk ka ndonjë klip të prerë ku shfaqet një argument në mënyrë elokuente.
T’i kthehemi debatit më të shikuar në Kosovë: Debat Plus. Dikotomia aty është mjeshtëruar aq mirë sa është kopjuar edhe në emisionin e sportit të Dukagjinit për një kohë të gjatë. Veçse aty pika përplasëse s’ishte Albin Kurti por Agim Ademi. Dhe funksiononte. U bë i famshëm Faruk Statovci. U bënë të famshëm edhe të tjerë.
Po e përsërisim: në ato shifrat e mësipërme s’është futë fare asnjë emision sportiv debati (e ju e dini që secili prej këtyre televizioneve e ka të paktën një emision të tillë).
Nejse, t’i kthehemi shpërfytyrimit që po i bëhet debatit publik. Mungesa e zhvillimeve politike i ka ekspozuar edhe më shumë mekanizmat e debatit. Nuk ndodhë asgjë hiç, por debatet vazhdojnë. Dhe kësisoji, përfundojnë duke folur për të njëjtën gjë. Ajo çka bëjnë është thjesht ta ndërrojnë pak titullin e debatit. E bile nganjëherë s’e ndërrojnë fare.
Më 3 qershor 2021: Dialogu dhe Albin Kurti.
Më 21 prill 2021: Albin Kurti dhe Dialogu.
Më 20 korrik 2021: Albin Kurti dhe Dialogu.
Më 22 mars 2023: Kurti dhe Dialogu.
Edhe kur e ndërrojnë titullin, përfundojnë sërish duke folur për aktualitetin politik. Një prej analistëve, Jusuf Thaçi, me një sinqeritet të papritur dha dorëheqje prej analisti duke u shprehur se po i duhej të përsëritej. Po pra, si analist të bie që të përsëritesh sepse s’ke çka thua kur flet 200 mijë herë për një temë.
Pse Debat Plusi e fitoi garën me debatet tjera? Krahas dikotomisë që e përmendëm, një arsye tjetër është edhe sepse moderatori i saj Ermal Panduri e ka të qartë rolin e tij si aktor. Rri gjithë kohës në këmbë. Ecë ose edhe vrapon. Bërtet. Thërret njerëz në telefon pa asnjë paralajmërim për me i inkuadru në emision. Paralajmëron gjëra që del se s’ishin asgjë fare. I bën të madhe edhe ato që thonë mysafirët, kur e sheh që numri i shikimeve po bie. Mund të tingëllojnë banale, por kur e prodhon një spektakël këto janë obligative.
E kur e krahasoni gjithë atë shpurdhje të Ermal Pandurit me Leonard Kërçukin që mezi rri në karrigen e tij gjatë debatit… mundeni me kuptu pse njëri e pse tjetri.
Por, më në margjina janë dhjetëra emisione tjera debati që nuk i këqyr kush. Për me fitu ndonjë shikim, ajo çka detyrohen të bëjnë është e frikshme. Disa madje edhe e maskojnë veten si debate, dhe shfaqen me tituj sensacionalistë si lajme. Me shumë gjasë iu ka ndodhu të klikoni një lajm, për me kuptu që në fakt s’është lajm por debat. Qe ku e keni një rast. E me ndonjë rast tjetër, mediat edhe e japin titullin për reklamë si ky rast. Hiç pa titull, pse a!
E dëmi më i dukshëm bëhet bash aty ku ndodhë debati i vërtetë publik: te seksioni i komenteve të këtyre emisioneve. Fyerjet aty janë të një niveli tmerrues. Abuzimi ndaj panelistëve apo edhe njëri-tjetrit është për turp. Ndërkohë, moderim të atij debati nga këto emisione debati s’ka megjithëse do të ishte tepër lehtë (secili debat ka producentë, ka njerëz për rrjete sociale, ka kamermanë). Dhe kësisoji, krejt çka mbetet në fund është mllefi dhe frustrimi i këtyre njerëzve si monument i atij bërlloku.
166 orë e 39 minuta debat për katër ditë është përnjëmend shumë. Por, arsyeja nuk është se kemi dashuri të madhe kombëtare për debatet. E as fetish. Arsyeja është ekonomike. Prodhimi i një debati kërkon pak mendim, pak para e gati hiç organizim. Televizionet tona kombëtare mezi mbahen në këmbë, dhe mu për atë arsye po eksploatohet delli demokratik i shoqërisë.
Ne parashohim që debatet të eskalojnë edhe më zi. Pse? Sepse shikuesit tashmë janë mërzitur me përsëritjen mërzitëse të debateve. Kosova po i njeh kufijtë e imagjinatës politike.
A e keni vërejt qysh viteve të fundit po kemi shpeshtim edhe largime dramatike nga studiot e debateve?! Eh.
S’ka zhvillime domethënëse. E as s’do të ketë. Për atë arsye, do të kemi inskenim të turli budallallëku vetëm e vetëm që vëmendja të mbetet aty.
Ndërkohë, demokracia jonë do të rrudhet e do të rrudhet.