E, qysh ta quajmë një ‘content-creator’ o burra e gra? Kontent-krijues. Përmbajtje-krijues. S’po flen në shpirt, asnjëra. Nejse!
Johnny Harris, një prej krijuesve më të famshëm në YouTube, para do kohe e përgatiti një video në të cilën paraqet pikëpamjet e kritikëve të NATO-s dhe politikave të zgjerimit të saj. Nënkuptueshëm bën me faj NATO-n dhe në veçanti administratën e Bill Clinton për agresivitetin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Na thotë se nëse NATO-ja s’do të zgjerohej kah lindja e Evropës, ndoshta Rusia nuk do të ndihej e kërcënuar dhe s’do ta sulmonte Ukrainën.
Kjo në veçanti e prek edhe qasjen e NATO-s, dhe veçanërisht të administratës Clinton, edhe sa i përket luftës në Kosovë. Detyrimisht, argumenti në fjalë çon në idenë se… hej, NATO-ja gaboi që ndërhyu në Kosovë, e bëri nervoz Rusinë! Por, e dimë që kjo është gabim.
Videoja e mëposhtme e shpjegon thjesht – përmes rastit të Kosovës – pse Rusia kishte të njëjtën qasje agresive edhe në vitet ’90.
Fatkeqësisht, videon e kemi bërë në anglisht dhe momentalisht s’po mund ta përkthejmë.