Në ditët kur nuk është para studentëve, profesori i Universitetit të Kansasit, Jeffrey Hall, gjendet thellësisht i përqendruar në zyrën e tij duke shkru, duke rishiku studime e artikuj, duke u përgjigjë në email, e analizu të dhëna. Pra, nuk ka folë me asnjë person të vetëm për disa orë. Kur më në fund ngritet e del jashtë, i ka dy opsione: me u largu dhe me vazhdu injorimin e kolegëve e studentëve, ose me hy në zyrën e një kolegu me pa se çka po bën apo me ia dhënë një përshëndetje të shpejtë një kalimtari.
Halli është bashkautor i plot studimeve, dhe së fundi i një libri të ri, që na shtyn të gjithëve me e zgjedhë opsionin e dytë, dhe me i korrë të mirat e një jete të gjallë sociale. Një studim tjetër gjeti se njerëzit që kanë më shumë ndërveprime sociale përgjatë katër javëve kishin mirëqenie më të madhe. Një tjetër tregoi se vetëm një bisedë cilësore me një mik për çdo ditë mund të përmirësojë shëndetin mendor.
Këto zakone ndihmojnë në formimin e asaj që Halli dhe bashkëautori i tij Andy Merolla, profesor në Universitetin e Kalifornisë Santa Barbara, e quajnë biomë sociale, një mënyrë e të menduarit për të gjithë gamën e ndërveprimeve tuaja sociale. Një biomë e shëndetshme sociale është ajo e larmishmja – midis llojeve të njerëzve me të cilët flasim dhe llojeve të bisedave që bëjmë – e po ashtu dhe koha kur jemi vetëm.
Hall dhe Merolla përmblodhën kërkimet e tyre, si dhe studimet e shkencëtarëve të tjerë socialë, në librin e tyre Bioma Sociale: Si na lidh dhe na jep formë komunikimi i përditshëm. Jo vetëm që Hall dhe Merolla përshkruajnë arsyet pse ne ndonjëherë ngurrojmë të lidhemi me të tjerët (të qenit social kërkon energji), por gjithashtu ofrojnë zgjidhje të thjeshta. Këtu janë shtatë strategji që rekomandojnë se mund t’ju ndihmojnë në nxjerrjen tuaj nga izolimi, të keni ndërveprime më të mira dhe të përmirësoni biomën tuaj sociale. Nuk nevojitet ndonjë gjë e madhe.
Flisni me të panjohur
Ndërveprimi me miqtë e ngushtë dhe familjen nuk është mënyra e vetme për të rritur lumturinë – edhe biseda me të panjohurit është po ashtu. Jo vetëm që përvoja është më e këndshme se që e presim, por edhe personi në anën tjetër kënaqet me bisedën. “Për t’i ofruar dinjitet një personi tjetër në komunitetin tuaj, veçanërisht dikujt që është i ndryshëm nga ju,” thotë Hall, “dhe duke zgjeruar rrethin tënd, ju po ndihmoni në fakt në krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm për krejt neve.” Sipas Hall, nuk është e nevojshme të kërkosh të panjohur për të biseduar, por mund të shfrytëzosh mundësitë me bisedu shkurtimisht me njerëzit që tashmë i takon gjatë ditës, si shoferin e autobusit, dërguesin e postës apo punëtorin në dyqan.
Përqendrohuni në ndërveprime cilësore çdo ditë
Kur bëhet fjalë për llojet e bisedave që duket se bëjnë ndryshim në mirëqenien e njerëzve, Hall ka zbuluar se bisedat cilësore janë thelbësore. Ka katër lloje të ndryshme bisedash: kuptimplotë (me folë prej zemre), përditshme, shprehje e dashurisë dhe shakatë.
Mund të kesh një ndërveprim cilësor me çdo person, nga kolegët e punës deri te partneri romantik apo shoku i ngushtë. Krejt cka ju duhet është një në ditë. Mos u shqetëso që t’i kesh tiparet e një bashkëbiseduesi “të aftë”. Në vend të kësaj, përqendrohuni të jeni një dëgjues i mirë dhe të diskutoni tema që kanë rëndësi për personin tjetër. “Biseda cilësore thjesht mund të të ngadalësojë ditën,” thotë Hall, “dhe të gjesh kohë për të kapur hapin dhe për t’u afruar me njerëzit që janë pjesë e jetës tënde.”
Mos e nënvlerëso ‘bisedën palidhje’
Jo çdo bisedë duhet me qenë një bisedë e rëndësishme. Edhe ‘biseda rastësore’ ndihmon që njerëzit të lidhen me njëri-tjetrin. Këto biseda kërkojnë pak energji, thotë Hall, por rrisin lidhjen mes njerëzve. “Ka studime që thonë se njerëzit i urrejnë bisedat palidhje,” thotë ai, “por në fakt kanë ditë më të mira kur angazhohen në to.” Bisedat palidhje me të njohurit kërkojnë shumë më pak energji sociale dhe mund të kontribuojnë në ndjenjën e përkatësisë në komunitet.
Diskutoni tema të ndryshme me njerëz të ndryshëm
Një studim i botuar në vitin 2022 zbuloi se sa më të ndryshëm të ishin njerëzit me të cilët pjesëmarrësit ndërvepruan – përfshirë të huaj, të njohur, miqtë e ngushtë e familjen – aq më e madhe është mirëqenia e tyre. Është gjithashtu e rëndësishme të angazhoheni me njerëz që kanë pikëvështrime ndryshe nga ju. Nuk keni nevojë të futeni në një territor potencialisht me therra – as t’i ofroni hapësirë dikujt me mendime të dëmshme – por ekspozimi ndaj jetëve dhe besimeve të të tjerëve mund të zgjerojë botëkuptimin.
Bërja dhe mbajtja e planeve është thelbësore
Duke pasur parasysh se një pjesë e ndërveprimit tonë social është krejtësisht jashtë kontrollit tonë – për shembull, ju nuk mund të refuzoni të mos kontaktoni me shefin tuaj – të zgjedhësh lirisht të kalosh kohë me një mik është një dhuratë që mund t’ia bësh vetes.
Të zgjedhësh të jesh social është veçanërisht e vështirë pas një dite të lodhshme, kur instinkti yt mund të jetë thjesht të shtrihesh në divan. Kjo është arsyeja pse duhet të kesh plane të përcaktuara – dhe t’u përmbahesh atyre – është kaq e rëndësishme. Mbaj kalendarin social të mbushur me takime sociale dhe përpiqu të mos i anulosh (edhe kur ke dëshirë ta bësh). Të kesh një rutinë, si takim të rregullt me motrën tënde, e lehtëson procesin dhe zvogëlon përpjekjen për të planifikuar një takim.
Kuptoni kufijtë e teknologjisë
Në një botë ku shumë nga lidhjet tona bëhen përmes ekraneve, është e dobishme të kuptoni se si disa forma teknologjike mund t’ju bëjnë të ndiheni më të përmbushur në krahasim me tjerat.
Hall thotë të mendoni për mënyrat si ndërveprojmë si një shkallë, ku nivelet më të ulëta ofrojnë më pak përfitim. Në fund të shkallës është shikimi pasiv që i bën përmbajtjes në rrjetet sociale. Hapi tjetër janë bisedat në grup, pastaj mesazhet një për një. Përderisa me komuniku me mesazhe është megjithatë më mirë se hiç, ato nuk duhet të jenë forma juaj e vetme e komunikimit. Shkalla tjetër është bisedat me video dhe telefonatat. Në krye të shkallës është komunikimi ballë për ballë. “Ndjenja e të qenit pranë dikujt që e ke afër zemre,” thotë Hall thotë, “është vërtet aty ku të dhënat tregojnë për ndihmën në ndërtimin e mirëqenies në afatgjatë.”
Pavarësisht se komunitetet online mund të jenë veçanërisht të vlefshme për njerëzit e grupeve të margjinalizuara ose aftësi me nevoja të veçanta, Hall thotë se gjithashtu keni nevojë për ndërveprim ballë për ballë. “Literatura në fakt është mjaft e qartë që të jetuarit vetëm nëpërmjet internetit ndoshta nuk është e përshtatshme për mirëqenie të plotë,” thotë ai. “Është më mirë se hiç, por ndoshta nuk është mjaftueshëm.”
Duaje kohën kur je vetëm
Një jetë e ekuilibruar sociale përfshin gjithashtu kohën e kaluar vetëm. “Ju po mendoni përmes marrëdhënieve që keni me njerëzit, për gjërat që iu bëjnë të lumtur”, thotë Hall. “[Kjo është] kur koha e kaluar vetëm është më e mira, dhe përdoret për të rivendosur dhe hapur mundësinë e lidhjes në të ardhmen.” Dëshmitë e fundit tregojnë se amerikanët po kalojnë më shumë kohë të vetmuar se kurrë. Vetmia dhe koha sociale nuk janë në kundërshtim: të duhet njëra që ta vlerësosh tjetrën. Koha vetmitare të përgatit për lidhje, ndërsa ndërveprimet pozitive të bëjnë të shijosh kohën vetmitare. Një jetë sociale e përmbushur është ajo me ekuilibër.
*Shkrimi është botuar së pari në VOX më 15 shkurt 2025. Përkthyer nga Tjetër*.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).