E shtunë, 19 Korrik, 2025

7 Shprehitë e njerëzve shumë të efektshëm

Mendje7 Shprehitë e njerëzve shumë të efektshëm

The 7 Habits of Highly Effective People

Në një botë ku koha fluturon dhe sfidat e jetës na rëndohen çdo ditë më tepër, libri “The 7 Habits of Highly Effective People” (shq. Shtatë Shprehitë e Njerëzve Shumë të Efektshëm) i Stephen Covey-t vjen si një udhërrëfyes i çmuar. Qysh prej botimit të parë në vitin 1989, ai ka prekur jetët e miliona njerëzve nëpër botë, duke ofruar jo thjesht këshilla për sukses profesional, por një filozofi të thellë për jetën me kuptim, integritet dhe ndikim pozitiv.

Ky libër na thotë se suksesi i vërtetë nuk matet me para apo tituj, por me cilësinë e marrëdhënieve tona, me ndershmërinë ndaj vetes dhe me atë ndjenjë të brendshme të përmbushjes. Shtatë zakonet që Covey përshkruan nuk janë trika të shpejta, por parime të vjetra sa vetë jeta, që kur vihen në praktikë me vetëdije, çojnë drejt ndryshimeve të qëndrueshme dhe transformimit personal.

  1. Bëhu proaktiv (Be Proactive)

Ky është zakoni i parë dhe themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha të tjerat. Me qenë proaktiv nuk do të thotë thjesht me qenë aktiv apo i zoti me vepru – do të thotë me marrë përgjegjësi të plotë për jetën tënde. Nuk je veç produkt i rrethanave, as i motit, as i humorit të dikujt tjetër, as i fatit. Je autor i zgjedhjeve të tua.

Stephen Covey thotë se ekziston një hapësirë e vogël ndërmjet asaj që na ndodh (stimuli) dhe si reagojmë (përgjigja). Dhe në atë hapësirë të vogël ndodhet liria jonë – fuqia me zgjedhë si do të sillemi, si do të përgjigjemi. Proaktiviteti është vetëdija që unë nuk jam vetëm pasojë, por edhe shkaktar.

Në libër, Covey jep shembullin e një burri që e humb punën papritmas. Ishte një goditje e madhe. Shumë do ta kishin kaluar kohën duke u ankuar, duke e fajësuar sistemin, punëdhënësin, ose edhe fatin. Por ai vendosi me e pa ndryshe: e përdori këtë periudhë si mundësi. Filloi me lexu, me mësu një aftësi të re, me zhvillu kontakte. Jo shumë kohë më vonë, jo vetëm që gjeti punë, por filloi një rrugëtim krejtësisht të ri, më të përmbushur se ai i mëparshmi.

Ky është thelbi i proaktivitetit: nuk presim që të ndryshojë moti – e marrim çadrën në dorë dhe vazhdojmë përpara. Nuk rrimë në vend tue pritë që fati me na trokitë në derë – e kërkojmë vetë, e ndërtojmë vetë. Edhe në realitetin tonë, sa e sa njerëz kemi që, përkundër vështirësive, kanë zgjedhë me mos u dorëzu, me marrë nismë, me u ngritë në këmbë. Ata janë shembuj të vërtetë të këtij zakoni.

  1. Filloj me fundin në mendje (Begin with the End in Mind)
    Ky zakon na fton me u ndal pak dhe me mendu: ku po shkoj? Çka dua me lanë pas? A po jetoj çdo ditë në përputhje me atë që më ka me rëndësi? Sepse nëse nuk kemi një vizion të qartë, rrezikojmë me u marrë me plot gjëra – por pa lëvizë përpara.

Covey na shtyn me imagjinu ditën e varrimit tonë. Një ushtrim i pazakontë, por thellësisht i dobishëm. Çka don me thanë njerëzit për ty? Si prind, si mik, si profesionist? Çka ke dashtë me lanë në këtë jetë? Kur e qartëson këtë, çdo vendim në jetën e përditshme merr kuptim tjetër.

Një shembull në libër është ai i një biznesmeni që, pas një përvoje me shëndetin, kupton që gjithë energjinë e kishte dhënë për karrierë – ndërsa fëmijët s’dinin as kush ishte. Ai nuk e kishte nisë me fundin në mendje – por vendosi me e korrigjue kursin. Prej asaj dite, ai fillon me e vendosë familjen në qendër të jetës së vet, dhe me e riorganizue ditën për rreth saj.

Në realitetin tonë, mjafton me mendu për një mësuese që punon me pasion, jo për rrogën, por sepse e ka në mendje atë nxënësin që, pas shumë vitesh, do të thotë: “Ajo më ka frymëzu me u ba njeri.” Kjo është me jetu me fundin në mendje.

  1. Vendos gjërat e para në rend të parë (Put First Things First)
    Kjo është vazhdim logjik i zakonit të dytë. Tani që e di çka ka rëndësi për ty, a po ia jep kohën që meriton? Sepse shumë prej nesh e dinë çka duan, por dita na kapë me detyra të vogla, të ngutshme, që s’na lënë frymë.

Covey e ndan kohën në katër ndarje:

  1. Urgjente dhe e rëndësishme
  2. Jo urgjente, por e rëndësishme
  3. Urgjente, por e parëndësishme
  4. As urgjente, as e rëndësishme

Çelësi është me jetu sa më shumë në katërkëndëshin nr. 2 – aty ku gjërat janë me vlerë, por nuk “bërtasin”. Si, për shembull, ushtrimet, leximi, koha me fëmijët, planifikimi, reflektimi. Ato janë ndërtimi i jetës.

Shembulli në libër është një drejtues i lodhur që i kalon ditët tue shuar zjarre në zyrë. Problemet s’mbarojnë kurrë. Derisa ai kupton se po punon sistem, por jo me sistemin. Fillon me ndarë detyra, me rritë ekipin, me planifiku. Nga aty lind qetësia dhe rritja.

Edhe ne – a kemi kohë për gjërat që duam më së shumti? Apo po na ikë jeta në mbledhje, e-maile dhe punë që s’na frymëzojnë?

  1. Mendo Win-Win (Think Win-Win)
    Shpesh e kemi idenë se për me fitu unë, tjetri duhet me humbë. Por Covey na mëson se ka vend për të gjithë. Win-Win është një mënyrë të menduari ku synojmë marrëdhënie të ndershme, me përfitim të ndërsjellë – në familje, në punë, kudo.

Në libër, përmendet një situatë mes dy kompani rivale që, në vend se me e shterrue energjinë në konkurrencë, zgjedhin me bashkëpunue në një projekt. Rezultati? Fitim për të dyja, por edhe për klientët.

Win-Win nuk është kompromis, as naivitet. Është me kërku rrugë ku të dy palët dalin të nderuara dhe të kënaqura. Në jetën tonë, kjo mund të jetë kur dy vëllezër ndajnë pronën me mirëkuptim, ose kur një punëdhënës negocion me punëtorët për paga më të drejta – pa e kthyer çdo kërkesë në konflikt.

  1. Kërko të kuptosh ti së pari, pastaj të kuptohesh (Seek First to Understand, Then to Be Understood)
    Ky zakon është zemra e komunikimit të vërtetë. Covey thotë se shumica dëgjojnë për me përgjigj, jo për me kuptu. Por kur dëgjon me të vërtetë – me vesh, me mendje, me zemër – krijon një lidhje tjetër me tjetrin.

Një baba, thotë Covey, përpiqet me komuniku me djalin e vet adoleshent, por çdo bisedë përfundon në konflikt. Derisa, një ditë, ai e mbyll gojën dhe thjesht e dëgjon. E lë djalin me folë, me u zbrazë, me ndje që po e marrin seriozisht. Dhe prej aty nis me u rindërtu besimi.

Ky zakon është i pazëvendësueshëm edhe në kulturën tonë, ku shpesh ndërhyjmë me përgjigje para se të përfundojë tjetri fjalinë. Kërko me kuptu – dhe pastaj fjalët e tua do të kenë më shumë peshë.

  1. Krijo sinergji (Synergize)
    Sinergjia është më shumë se bashkëpunim. Është ajo magjia që ndodh kur dallimet tona bashkohen për një qëllim të përbashkët. Kur jo vetëm që e pranojmë tjetrin, por e shohim si pasurim.

Covey sjell shembullin e një grupi njerëzish me prejardhje dhe aftësi të ndryshme që punojnë së bashku në një projekt kërkimor. Ata nuk bien dakord për çdo gjë – por pikërisht përmes debatit dhe dallimeve, gjejnë një zgjidhje që askush prej tyre s’do ta kishte vetëm.

Në vendin tonë, kjo mund të ndodhë kur fshati mblidhet për të ndreqë rrugën, ose kur një grup të rinjsh me profesione të ndryshme krijojnë një nismë të re sociale. Kur shohim se ndryshe nuk do të thotë më keq – por do të thotë më shumë.

  1. Mpreh sharrën (Sharpen the Saw)                                                                   Zakon i fundit, por i domosdoshëm për t’i mbajtë gjallë të gjitha të tjerat. Nëse nuk kujdesesh për veten – trupin, mendjen, emocionet dhe shpirtin – s’ke si me ecë gjatë. Covey e quan këtë “rilindje e përditshme”.

Në libër, përshkruhet një burrë që punon pa pushim. Ka sukses, por edhe lodhje, stres, probleme me shëndetin. Derisa kupton se nuk është heroizëm me u djegë për të tjerët. Fillon me ushtru, me lexu libra frymëzues, me ba pushime të vërteta, me kalu kohë me të dashurit e vet. Dhe aty e gjen sërish veten.

Mprehja e sharrës është një metaforë e fuqishme: nëse e përdor veglën pa pushim, do të bëhet e topitur. Po ashtu edhe ne. Nji ecje në natyrë, një bisedë e ngrohtë, një libër i mirë – nuk janë luks, por nevojë.

Një ftesë për fillim të ri

We are not human beings having a spiritual experience. We are spiritual beings having a human experience.

Stephen Covey nuk na ofron vetëm zakone të mira – ai na ofron një mënyrë tjetër me e pa jetën. Një mënyrë ku nuk je thjesht një njeri që reagon ndaj çka të ndodhë, por je një njeri që merr drejtimin e vetes, i vetëdijshëm për atë që ka rëndësi, për vendimet që merr, për marrëdhëniet që ndërton dhe për veten që po bëhet.

Covey shpesh përdor një metaforë të thjeshtë, por të thellë – që tashmë është bërë klasike.

Një profesor sjell në klasë një enë të madhe qelqi. Vendos disa topa të mëdhenj brenda saj – deri kur nuk futen më. Pastaj pyet studentët:
“Eshte plot?”
“Ani, është plot,” thonë ata.
Por ai merr zall – dhe fillon me e derdhë në mes të topave. Zalli mbush hapësirat.
“Tash është plot?”
“Po, tash me siguri është.”
Por ai vazhdon. Merr rërë të imët dhe e derdh ngadalë. Edhe ajo e gjen vendin mes zallit.
Në fund, merr ujë – dhe e derdh me kujdes. E gjithë ena mbushet deri në maje.

Pastaj pyet:
“Cili është mësimi?”
Njëri student përgjigjet: “Që gjithmonë ka vend për më shumë.”
Profesori tund kokën.
“Jo. Mësimi është: nëse nuk i vendos topat e mëdhenj në fillim, s’ka me pasë vend për to më vonë.”

E çka janë topat e mëdhenj? Janë gjërat që kanë vërtet rëndësi. Familja. Karakteri. Shëndeti. Qëllimi yt. Koha me njerëzit që do. Besimi. Vetja jote e thellë.
Zalli dhe rëra janë detyrat e përditshme, punët, telefonatat, kërkesat që s’të lënë të marrësh frymë. Uji është zhurma – gjëra që duken të ngutshme, por janë të zbrazëta.

Covey të fton me jetu në mënyrë që e vendos vetë se çka hyn në enën tënde. Me fillu me topat e mëdhenj – dhe me i mbrojtë ata çdo ditë. Me i nda gjërat që të thithin prej atyre që të ndërtojnë.

Sepse në fund të ditës, nuk do të kujtohemi për sa e-maile kemi kthyer, por për një buzëqeshje me fëmijën, një “faleminderit” që kemi thënë, një projekt ku kemi besu, një ditë që s’e kemi humbë kot.

Zakoni i parë – me qenë proaktiv – është themeli. Sepse gjithçka fillon kur e kupton që je përgjegjës për jetën tënde.
Pastaj vijnë të tjerat – me ditë kah po shkon, me vendosë përparësitë, me ndërtu marrëdhënie të ndershme, me dëgju për me kuptu, me punu me të tjerët, e me mos harru me kujdesë për shpirtin tënd.

Jeta jonë nuk është një garë me plot detyra, as një listë me “duhet” – por një ftesë për t’u bërë njeriu që dimë se mund të jemi.

Dhe Covey nuk të flet nga lart – ai të jep një hartë që mund ta përdorësh nesër, në shtëpi, në punë, me veten tënde. Një hartë që nuk ka premtime magjike – por ka drejtim, urtësi dhe një zë të butë që të kujton:
Ti ke zgjedhje.
Çdo ditë.
Në çdo moment.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto:

Si të flihet?!

Qe çka i bën trupit tënd sheqeri