E enjte, 23 Tetor, 2025

A e çliroi Kurti përnjëmend pjesën veriore të Kosovës?

PolitikëA e çliroi Kurti përnjëmend pjesën veriore të Kosovës?

Në korrik të vitit 2011, me anë të një aksioni të Njësisë Speciale – që atëbotë quhej ROSU – Kosova vendosi që përfundimisht t’i fuste nën kontrollin e saj pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë. Operacioni hasi në rezistencë nga elementet kriminale serbe të cilat e vranë policin Enver Zymberi.

Shiko si video:

Ky ishte aksioni që e përcaktoi politikën e Qeverisë së Kosovës për dhjetë vitet e ardhshme. Në një anë, reagimi partnerëve ndërkombëtar kishte qenë shumë i ashpër ndaj Kosovës. Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e kishte detyruar pas asaj ngjarjeje kryeministrin Hashim Thaçi që të zotohej se s’do ta dërgonte FSK-në në pjesën veriore pa miratimin e KFOR-it. Dhe, Thaçi ishte zotuar.

Prej atij aksioni e këndej, politika e koordinimit me partnerët u bë politikë e subordinimit ndaj partnerëve. Kosova e dorëzoi autonominë e saj vepruese.

Por, pritni pak. Para se të gjykoni, duhet t’i kuptoni rrethanat e asaj kohe. Jo vetëm elita jonë politike, por edhe ne qytetarët ishim të bindur se ndërkombëtarët dinin diçka më shumë se ne. Roli i tyre në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës ishte i pamohueshëm. U arritën njëqind e kusur njohje. U anëtarësuam në plot organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe prandaj, pse të mos besohej që po këta partnerë gradualisht do ta ndihmonin Kosovën që ta shtrinte edhe sovranitetin në pjesën veriore?!

Kishte lëvizje pozitive. Ta zëmë, mbi 90% e qytetarëve serbë të Kosovës morën letërnjoftime e pasaporta të Kosovës. Në pjesën jugore të vendit, ata vullnetarisht i ndërruan edhe targat për veturat e tyre. Marrëveshjet që bëheshin në Bruksel ishin të vështira, mirëpo po e lëviznin procesin e integrimit dalëngadalë.

Sidoqoftë, në vitin 2018 do të përmbysej gjithçka.

Më 16 janar të atij viti, u vra Olliver Ivanoviqi para zyres së tij në Mitrovicë të Veriut. Pikërisht në atë kohë, kishim filluar të dëgjonim për një farë krimineli me emrin Millan Radojiçiq. Pikërisht Radojiçiqi ishte i dyshuari për vrasjen e politikanit serb, që ishte rival me Listën Serbe të lidhur me Beogradin.

Përkundër kriminalitetit të Radojiçiqit, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e merrte pikërisht atë si shembull të “mbrojtjes së serbëve në Kosovë”.

Dhe këtu u bë e qartë se… Serbia po e sabotonte dialogun në Bruksel. Më vonë gjatë atij viti, Serbia e pengoi anëtarësimin e Kosovës në Unesco. Në shenjë hakmarrjeje, Qeveria Haradinaj i kishte vënë taksë 100% produkteve serbe.

Tensionet u rritën. Procesi i integrimit praktikisht u komprometua. Elementet kriminale serbe u bënë së tepërmi të dukshme.

Pak para se të vritej, Ivanoviqi i kishte thënë një gazetari që ta mbante mend emrin e Radojiçiqit derisa nga frika i kishte thënë ta hiqte atë pjesë nga intervista.

Ndërkohë, çka ndodhi me politikën e Kosovës në raport me pjesën veriore? Si gjithnjë, kryeministrat ishin në pritje të partnerëve ndërkombëtarë. Por, këta s’lëviznin dot. ShBA-ja e kishte vënë në listë sanksionesh Millan Radojiçiqin, por kjo s’e pengoi që ta ushtronte pushtetin e tij joformal në Kosovë e në Serbi.

Prej atij viti, Serbia as që i fshehu veprimet e saj armiqësore ndaj Kosovës e ndaj dialogut në Bruksel. Ky vend e nisi një fushatë të çnjohjeve në mbarë botën. Ndërkohë, në Kosovë nisi të ushtronte intimidim të paparë ndaj rivalëve politikë të Listës Serbe. U rrah Sllobodan Petroviqi. U rrah djali i Nenad Rashiqit. U sulmua në mënyrat më të vrazhda Rada Trajkoviqi. Ndërkohë, pati ndalime arbitrare në Serbi të politikanëve tjerë serbë që s’i nënshtroheshin politikës së Beogradit.

Partnerët ndërkombëtarë nuk ndërmorën asnjë veprim të vetëm derisa pluralizmi serb në Kosovë dhe kriminaliteti i Radojiçiqit me shokë s’e ndalte zararin. Amerika me Trumpin në mandatin e parë krejtësisht e painteresuar për rajonin tonë. BE-ja ishte në telashet e veta me rritjen e ekstremit të djathtë.

Kosova i bëri disa shpurdhje të vogla. Siç e përmendëm, një prej tyre ishte taksa 100%. Një tjetër ishte arrestimi i Marko Gjuriqit. Disa arrestime tjera kriminelësh në veri, kohë pas kohe. Pastaj, lëshimi demonstrativ i mbledhjes me Federica Mogherinin nga Ramush Haradinaj. Dhe, më e rënda, përpjekjet e Thaçit për një marrëveshje me Serbinë për korrigjim kufijsh.

Në përgjithësi, Kosova s’bëri asgjë serioze që ta ruante përparimin që ishte bërë në procesin integrues. Hiç asgjë. Ndërkohë, kriminaliteti serb nisi të lulëzonte shkaku i tolerancës së pabesueshme që po i bënin ndërkombëtarët në emër të stabilitetit.

Dorën në zemër, Albin Kurti po ashtu besoi te ky stabilitet kur erdhi në pushtet. Në emisionin Rubikon kur sapo ishte bërë kryeministër më 2020, ai shprehej në mënyrë mjaft pozitive për Listën Serbe që udhëhiqej nga Radojiçiqi:

““Mund të them që edhe në mbledhjet e qeverisë, edhe në diskutimet që kemi pasur vërehet një lloj pranimi i ndryshimit që ka ndodhur në Kosovë edhe nga ana e tyre… Kjo nuk është e thënë që paraqet naj farë transformimi. Por, një lloj konstruktivteti dhe një farë lloj gatishmërie për kolegialitet është aty.” 

Më pas, kur erdhi sërish në pushtet në mars 2021, Kurti s’bëri përsëri asnjë veprim kundër kriminalitetit në veri të vendit. Madje, Radojiçiqi pikërisht në fillimin e vitit 2021, nisi ta ndërtonte villën e tij milionëshe në Ujman. Pra, gjatë Qeverisë Kurti II.

Për një vit e tetë muaj, Kurti do t’i rezistonte presionit publik për shkarkimin e Goran Rakiqit nga pozita e ministrit. Ky i fundit bënte deklarata nxitëse e urrejtëse por Kurti s’e shkarkonte që s’e shkarkonte.

Dhe… ndodhi ai që e quajmë ‘çlirimi i veriut’. Ishta fillimi i nëntorit 2022. Serbët e Kosovës dhanë dorëheqje masivisht nga institucionet e Republikës së Kosovës. Policë, gjyqtarë, punonjës administrate, pjesëtarë të ekzekutivit, deputetë e kryetarë komunash.

Ky vendim i tyre erdhi pas suspendimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për veri, Nenad Gjuriqit. Dhe ishte një vendim që besohet se u nxit nga Serbia.

Dhe, kësisoji na erdhi i ashtuquajturi ‘çlirim’ nga Serbia. Policinë në pjesën veriore e udhëhiqte zv. Drejtori, që ishte shqiptar. Kryetarë komunash u bënë shqiptarët. Policët serbë u zëvendësuan shpejt. E kështu me radhë.

Ajo çka çuditi të gjithë ishte qetësia dhe siguria publike në pjesën veriore. Që nga protestat e muajit maj 2023, situata ishte përgjithësisht e qetë megjithëse e tensionuar. Integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës ishte braktisur krejtësisht, dhe kjo s’prodhoi kurrfarë krize të rëndë. Pse? Sepse kishte qenë i rremë gjithë kohën.

Në shtator 2023 do ta kishim aksionin terrorist në Banjskë. Përveç që u zmbraps tepër shpejt nga Policia e Kosovës, ky aksion s’mori mbështetje nga popullësia lokale serbe. Dhe kjo tregoi edhe një herë se potenciali i integrimit edhe më tej ekziston.

Kurti ka merita të padiskutueshme që pas nëntorit të vitit 2022 veproi me vendosmëri të lartë. Ajo që pasoi ka treguar se ajo vendosmëri ishte e domosdoshme. Ndërkombëtarët u ekspozuan si konfuzë dhe thjesht reaksionarë ndaj zhvillimeve në pjesën veriore. E me këtë gjë, edhe partitë opozitare që ia mohuan vetes autonominë e veprimit.

Por, veriu nuk është i çliruar. Më e shumta, mund të thuhet se u çlirua nga elementet kriminale serbe. Megjithatë, kjo qetësi gati tre-vjeçare ka karakter të përkohshëm. Kryetarët serbë nga Lista Serbe mund të rikthehen në katër komunat veriore qysh më 12 tetor. Dhe mund të kthehet edhe një drejtor rajonal serb i Policisë. Ku na çon kjo? Saktë drejt tensioneve të reja e përplasjeve të reja.

Veriu ishte i çliruar prej vitit 1999. Problemi është se nuk ishte i integruar. Dhe fatkeqësisht mbetet i paintegruar.

Kosova po sillet thua se integrimi i serbëve ishte një farë favori që iu bë Serbisë. Në fakt, është favor vetëm për shtetin tonë dhe dëmtim i rëndë i Serbisë, të cilës i konvenon mirëmbajtja e tensioneve dhe mosdurimit ndëretnik në Kosovë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: