“Gjermanët kanë hangër 20 vjet veç patate, qata janë zhvillu,” – shprehen pjesëtarë të popullit tonë (por jo vetëm) duke dashur të thonë sesa me rëndësi është me kursy për me mbërri diçka. Ose në raste tjera derisa e hanë ndonjë patate prej zori. Por, a është e vërtetë kjo gjë?
Po dhe jo!
Pse PO?
Siç mund ta dini, Gjermania e përshkruar nga ajo thënie sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Shkatërrim ekonomik në të katër anët e saj. Varfëri e uri gjithandej. Ushqimi në atë kohë jepej me racione të vogla. E në ato racione, patatet (gjer. Kartoffel) ishin baba.
Duhet thënë edhe se në atë kohë Gjermania s’mund t’i përmbushte as nevojat ushqimore të saj, bile as me patate. Pra, dy nga dhjetë patate asaj i vinin nga jashtë.
Prej vitit 1945 e deri më 1948, një gjerman i moshës së rritur i hante nga 300 gramë patate në ditë. Por, këto patate nuk u hëngrën sepse gjermanët kursenin. U hëngrën sepse s’kishte çka tjetër të hanin.
Lexojeni këtë pjesë nga Nicholas Balabkins:“S’ka asnjë dyshim se dërgesat e ndihmave nga britanikët dhe amerikanët parandaluan vdekje masive nga uria në zonat e Gjermanisë që kontrolloheshin nga Perëndimi.”
E përkundër që i shpëtuan nga vdekja prej urisë, dhimbta nuk kishte qenë e vogël. Siç shkruan autori i lartpërmendur, patatet me drithërat përbënin 80 për qind të krejt asaj çka gjermanët hanin. Nga 3000 kalori në ditë sa duhej t’i merrte një njeri në ditë përmes ushqimit, gjermani i asaj kohe i merrte veç 1550.
E mira është se Gjermania i kaloi ato kohëra të vështira. Por, jo duke ngrënë patate. I kaloi përmes investimeve të mëdha të Planit Marshall.
E megjithatë, lidhja me pataten do të mbeste. Në vitin 1960 çdo e dhjeta tokë e punueshme në Gjermani ishte mbjellë me patate. Prodhoheshin plot 33 milionë tonë patate në vit. Gjermania vazhdon të jetë mes top-10 prodhuesve dhe konsumuesve të patates në botë.
Pse JO?
Jo, sepse natyrisht rritja e konsumit përbën motorin e zhvillimit të një shteti me ekonomi të tregut të lirë. Po të hanin gjermanët veç patate, atëherë i bie që do të dënonin të gjitha produktet tjera. Do t’i zhduknin krejt kulturat tjera bujqësore. Industria ushqimore do të ishte thjesht dhe vetëm industri e patates.
Gjermania dhe patatja
Mund të duket e çuditshme por për dyqind vjet me radhë prej shekullit XVI (kur erdhën prej Andeve në Amerikën Jugore) e deri në fund të shekullit XVIII, gjermanët e përdornin pataten veç për t’i ushqyer kafshët e tyre.
Pas një krize të rëndë me urinë në vitet 1770 monarkët gjermanë e kishin promovuar pataten si ushqim për t’u ngrënë nga njerëzit.
*Nicholas Balabkins, Germany Under Direct Controls
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).