Jeta vetmitare i ka disa përparësi të mëdha në botën e kafshëve. A munden njerëzit me nxjerrë mësim prej tyre?
Miu i verbër nga Lindja e Mesme është mishërimi i një introverti të vërtetë. Duke jetu rreth 30cm nën dhe, ai i qet jashtë sistemet e veta të tuneleve, brenda të cilave qëndron për pjesën më të madhe të jetës. Secili mi i verbër e ka territorin e vet – për një arsye të fortë; nëse njëri gërmon aksidentalisht në tunelin e tjetrit, minjtë nxjerrin dhëmbët ose kafshojnë njëri-tjetrin në beteja të dhunshme, shpesh vdekjeprurëse.
Miu i verbër zakonisht ndërvepron me minjtë tjerë të verbër veç gjatë sezonit të çiftëzimit, por edhe atëherë me shumë kujdes. Mashkulli gërmon nëpër dhe drejt një femre, por pret para se me hy në tunelin e saj. Për ditë me radhë, ata çojnë sinjale me dridhje te njëri-tjetrit duke trokitë me kokë në tavanin e tunelit. Vetëm kur femra shpreh interes për me u taku mashkulli ecë tutje, çiftëzohet me të dhe largohet. Pasi e mbyll tunelin pas vetes, ai e vazhdon jetën në izolim.
Mënyra jetese në vetmi si këto janë jashtëzakonisht të përhapura në mbretërinë e kafshëve. Madje edhe tek gjitarët – grup përgjithësisht i shoqërueshëm – 22% e specieve të studiuara janë kryesisht vetmitare, që do të thotë se mashkujt dhe femrat flenë, kërkojnë ushqim ose bëjnë gjah shumicën e kohës në vetmi.
Por, kafshët vetmitare kanë marrë pak vëmendje prej shkencëtarëve. Ndoshta pse ne (njerëzit) jemi vetë krijesa sociale, kemi pasë prirje me studiu krijesa që bashkëpunojnë në grupe për mbrojtje, për me gjetë ushqim, për me u shumu dhe për me rritë pasardhës. Ekspertët thonë se për një kohë të gjatë, shumë shkencëtarë kishin tendencën me injoru jetën vetmitare, duke e konsideru si primitive, ekzistencë bazike, të lidhur me sjellje antisociale dhe inteligjencë të ulët.
Mirëpo tani studiuesit po e kuptojnë se disa kafshë kanë evolu për me jetu në vetmi, sepse pikërisht kjo ishte e dobishme për shmangien e konkurrencës dhe kushtet stresuese të jetës në grup. Për më tepër, shumë kafshë vetmitare janë në fakt shumë të mençura dhe bëjnë jetë sociale të larmishme pavarësisht vetmisë. Megjithëse minjtë e verbër përbëjnë përjashtim në këtë mes, shumë kafshë në fakt e tolerojnë, mësojnë dhe ndonjëherë bashkëpunojnë me të vetët e llojit që i përkasin, duke i leju ata me shiju pjesën më të mirë të dy botëve.
Ndërkohë që njerëzit po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në vetmi, këto kafshë na i kujtojnë përfitimet e shumta të saj dhe se të jetosh vetëm nuk është e barabartë me të qenit i vetëm – një mendim që ndoshta ia vlen të merret parasysh për njerëzit që e kalojnë të vetmuar ditën e Shën Valentinit.
“Ndoshta duke i studiu speciet vetmitare dhe mënyrën se si ia dalin me këtë taktikë… ne gjithashtu mundemi me identifiku për njerëzit se cilat janë të mirat e vetmisë,” thotë ekologu bihejvioral Carsten Schradin i Qendrës Kombëtare të ‘Recherche Scientifique’ në Strasburg të Francës dhe bashkautor i një publikimi të vitit 2024 rreth jetës së vetmuar te gjitarët.

Me jetu në grup sigurisht që ka shumë përfitime. Për shembull, zebrat gjejnë siguri kur tubohen ose luanët që shpesh ‘e bëjnë gjahun’ bashkë për m’i mposhtë kafshët më të mëdha e më të shpejta se ata. Disa zogj bashkëpunojnë për me rritë pasardhës e shimpanzetë shoqërohen për t’i heqë parazitët nga njëri-tjetri. Por ka edhe dobësi. Në një grup, “çdo strehë duhet të ndahet, çdo copë buke duhet të ndahet, çdo qasje te një partner seksual duhet të ndahet”, thotë David Scheel, një ekolog i sjelljes në Universitetin e Paqësorit të Alaskës. “E nëse s’ndahet, atëherë veç njëri prej grupit të kafshëve merr gjithçka.”
E, ndërsa gjahu i bërë bashkë e më pas edhe ndarja e ushqimit ka kuptim për kafshë si puna e luanëve – të cilët shpesh kanë aq shumë mish sa me ushqy një katund të tërë – kjo është më pak e dobishme në situatat kur preja është më e vogël dhe s’ndahet dot. E as kur gjahu shpërndahet në një hapësirë aq të madhe sa është zor me gjetë në vetmi.
Kjo është ndoshta arsyeja pse armadilloja me insektngrënës gërmojnë të vetmuara për ato pak insekte që hanë e të cilat ndodhen larg-alarg, dhe po ashtu arsyeja pse tigrat – që sillen poshtë e përpjetë me gjetë prenë e tyre – e bëjnë të vetëm gjahun, duke i ndihmu ata me kapë prenë e tyre më lehtë. Për me zvogëlu më shumë konkurrencën, tigrat dhe disa gjahtarë vetmitarë si ata të vetëm formojnë territore të vogla që i mbrojnë nga grabitqarët e tjerë.
Për minjtë e verbër, të qenit në vetmi do të thotë mos me pasë nevojë me konkurru vazhdimisht për hapësirën e tunelit, e cila kërkon shumë energji. Kafshët e vetmuara gjithashtu mund të përballen me më pak konkurrencë për çiftëzim dhe rrezik të ultë të kontraktimit të sëmundjeve dhe parazitëve. Ndërkohë, femrat që porsa kanë lindur pasardhës munden me harxhu krejt energjinë e tyre për t’u kujdesë për ta, pa pasë nevojë me u kujdesë për të vegjlit e fqinjëve të tyre, siç bëjnë disa specie më sociale.
“Nëse jeton si vetmitar, je më pak i dukshëm,” thotë Lindelani Mayuka, një zoologe nga Universiteti i Witwatersrand në Johannesburg, Afrika e Jugut.
Të jetosh vetëm krijon sfida të tjera – të tilla si humbja e mundësisë së bërjes bashkë për ngrohje. Por disa kafshë si miu i shkurret Karo i Afrikës Jugore e zëvendësojnë këtë gjë duke ndërtu shtëpiza të mëdha me shkopinj për me mbrojtë veten nga moti i luhatshëm e nga grabitqarët.
Për kafshët shumë sociale, të qenit vetëm mund të jetë stresuese – shpesh duke çu në shëndet të dobët dhe ankth – por kafshët vetmitare ia dalin. Në fakt, minjtë e verbër të Lindjes së Mesme bëhen të stresuar dhe të shqetësuar kur vendosen pranë njëri-tjetrit, edhe nëse ka një barrierë midis tyre.

Jo krejt speciet vetmitare zmbrapsin njëra-tjetrën. Shumë prej tyre bashkohen nga burimet e përbashkëta dhe kanë jetë çuditërisht të pasur sociale, duke toleru njëri-tjetrin dhe madje duke bashkëpunu. Për shembull, minjtë me shkurre Karoo që jetojnë afër individëve të afërt kanë ndërveprime të shpeshta miqësore me njëri-tjetrin – ndajnë tokat e ushqimit me femrat e lidhura, ndonjëherë edhe duke mbajtë strehë druri në fund të sezonit të shumimit, kur ka një kërkesë të madhe për një të tillë.
‘”Vetëm për shkak se disa kafshë jetojnë të vetmuara nuk do të thotë se ato nuk kanë ndërveprime sociale,” thotë Mayuka.’
Edhe disa oktapodë – një grup që dikur konsiderohej aq i vetmuar sa bëhej hajgare që ata takoheshin ose për t’u çiftu për ta ngrënë njëri-tjetrin – nganjëherë bëhen bashkë, thotë Scheel.

“Kafshët që ndoshta në situata normale s’do të formonin grupe komplekse në të vërtetë kanë aspekte goxha të sofistikuara të jetës sociale,” – tha bihejvioristja Anna Wilkinson.
Në eksperimentet me breshkat me këmbë të kuqe, të cilat gërmojnë ushqim të vetmuara, por mund të zateten me njëra-tjetrën nën pemë frutore, për shembull, Wikinsoni iu dha shfaqi një gardh të tejdukshëm në formë V-je me ushqim brenda. Asnjëra breshkë s’mund ta arrinte ushqimin, derisa Wilkinsoni dhe kolegët e saj e ushtruan njërën prej tyre se si ta bënte. Me të parë atë breshkë këmbëkuqe që po arrinte te ushqimi, breshkat e tjera ndoqën menjëherë shembullin. Është veçanërisht e jashtëzakonshme të shihet se zvarranikët kanë aftësinë me mësu nga individë të tjerë përmes imitimit, duke pasë parasysh se shumë prej tyre kanë evolu për me dalë nga vezët pa një prind afër për me i mësu aftësi të ndryshme.
Dëshmi të tilla po bëjnë që shkencëtarët ta shohin jetën vetmitare jo si një kategori fikse dhe uniforme, por më tepër si një lloj vazhdimësie: prej kafshëve si minjtë e verbër që jetojnë kryesisht vetëm, te speciet që jetojnë vetë ama mësojnë prej njëra-tjetrës. Disa specie madje përziejnë stilet e jetesës vetmitare dhe sociale, si minjtë me vija që jetojnë bashkë dhe pastaj kthehen në vetmitarë sapo vjen koha të shumohen, meshkujt e të cilëve janë vetmitarë dhe femrat bëjnë gjueti në grupe.
Studimi i kafshëve vetmitare dhe rrjeteve të tyre sociale mund të ndihmojë aktivistët që t’i mbrojnë dhe ruajnë më mirë popullësitë e tyre nga kërcënimet njerëzore. Mayuka dhe Shradin kanë fillu tashmë një përpjekje për me ndërtu një komunitet shkencëtarësh për me deshifru më tej jetën, përfitimet, nevojat dhe sfidat e kafshëve vetmitare. “Të jesh i vetmuar nuk është e thjeshtë dhe primitive,” thotë Shradin. “Ajo mund të jetë mjaft komplekse dhe sfiduese… që zgjidhen në mënyra të ndryshme nga specie të ndryshme.”
Të kuptuarit e plotë të jetesës vetmitare mund të jetë e dobishme për njerëzit. Kimçi po studion ndryshimet në trurin e minjve të verbër teksa ata kalojnë ndërmjet fazave të çiftëzimit dhe rritjes së këlyshëve introvert dhe më social. Ndoshta një hulumtim i tillë mund t’i ndihmojë shkencëtarët me kuptu qysh njerëzit me kushte të caktuara neurologjike ose psikiatrike bëhen të tërhequr nga shoqëria, thotë ajo.
Kafshët vetmitare gjithashtu mund të na ndihmojnë të mendojmë se të qenit vetëm nuk duhet domosdoshmërisht të jetë problematike, edhe nëse është disi e stigmatizuar në shoqërinë tonë të drejtuar nga ekstrovertët, thotë Shradin. Kafshët vetmitare “sociale” ndërtojnë rrjete sociale kuptimplote rreth tyre – dhe njerëzit që jetojnë vetëm munden po ashtu. “Me qenë vetëm” thotë Shradin, “mund të jetë gjithashtu zgjidhja më e mirë për shumë njerëz.”
Artikull i botuar më 14 shkurt 2025 në BBC. Përkthyer nga Tjetër*.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).