E hënë, 21 Prill, 2025

A po iu duket që politika në Kosovë është në pritje të diçkaje të madhe? S’jeni vetëm!

PolitikëA po iu duket që politika në Kosovë është në pritje të diçkaje të madhe? S'jeni vetëm!

Po bëhet një muaj prej që u mbajtën zgjedhjet (9 shkurt). Dy muaj prej që nisi fushata zgjedhore (11 janar). Tetë muaj prej që u shpallën zgjedhjet (16 gusht). Por, lëvizje s’ka. As përpara, as prapa. As andej, as këndej. Hiç.

Kur merr parasysh që Kosova ishte një vend me demokraci tepër të zhurmshme – me zhvillime politike qoftë domethënëse, qoftë banale – kjo moslëvizje s’ka qysh të duket ndryshe veçse si diçka tepër e çuditshme. Pse s’po ndodhë asgjë?

Të gjithë e dimë se derisa Kosova numëronte vota, rrethanat gjeopolitike ndryshuan rrezikshëm kundër vendit tonë. Kryeministri de fakto i Amerikës, Elon Musk, bën thirrje që shteti i tij të largohet prej NATO-s dhe OKB-së. Presidenti Trump e dëboi prej Shtëpisë së Bardhë Zelenskin pasi u fjalos me të para kamerave. Komentatorë e analistë me nam flasin për një rend të ri botëror. Zhvillime ka edhe në rajon, me Dodikun që u dënua me burg dhe Vuçiqin të trazuar prej protestave. Por, të zgjedhurve të Kosovës s’iu ngutet.

Albin Kurti duket sikur s’ka trohë vullneti me vazhdu si kryeministër. Natën e 9 shkurtit e shpalli fitoren dhe me një prepotencë të pakuptueshme i ofendoi PDK-në dhe LDK-në. Në krejt periudhën që pasoi s’bëri asgjë që të afrohej me to, përkundër që ashiqare i duhen për formimin e një koalicioni të qëndrueshëm.

Por, për çudi veprime s’po bëjnë as partitë tjera. I vetmi që tha diçka ishte Fatmir Limaj, duke ia lënë derën çelë (edhe) Albin Kurtit.

Kah na vjen krejt kjo mungesë zhvillimesh?

Ma merr mendja se nuk kemi të bëjmë thjesht me rraskapitje mendore (burn out) nga njerëzit kryesorë. Fundja, çka punuan? Besoj se paraliza mundet me u kuptu nëse përpiqemi ta marrim vesh se prej kur u rralluan zhvillimet domethënëse në politikën e brendshme të Kosovës.

Kur?

Si orientim në kalendar e mora gushtin e vitit 2024 meqenëse atëherë ishin shpallë zgjedhjet e 9 shkurtit. Të gjithë kishim mendu se po i jepnim fund bajatizmit në politikë. Të gjithë e dimë se bajatizmi veç sa u rrit. Nejse.

Duke kërku në Wayback Machine e kuptova se asgjë s’kishte ndodhë as në korrik. As në qershor. As në maj. As në prill. As në ma…

E gjetëm

Kjo periudhë e gjatë heshtjeje filloi para një viti, në marsin e vitit 2024.

Qeveria Kurti e kishte bërë lëshimin e madh, atë për Manastirin e Deçanit. Ky lëshim ishte bërë si pjesë e përpjekjes që Kosova të bëhej anëtare e Këshillit të Evropës.

Fatkeqësisht, siç e dimë, kjo përpjekje kishte dështuar.

Zhvillimi në fjalë është i rëndësishëm meqë paraprakisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja efektivisht vdiq.

Kjo çoi në distancim gjithnjë e më të madh të Kosovës me BE-në dhe ShBA-në. Qeverisë s’iu bë vonë për aleatët e saj që qortonin e qortonin pa ndalë derisa ajo ndërmerrte veprime në veri të vendit.

Eh, këtu qëndron hipoteza ime për këtë paralizë.

Pse?

Unë besoj se Kosova është në pritje të një përgjigjjeje definitive që i jep fund përfundimisht polarizimit të skajshëm politik.

Kush pati të drejtë? Opozitarët që e ndërtuan shtetin përmes një koordinimi – e ndoshta edhe subordimi – me aleatët? Apo Albin Kurti që i dëmtoi ato aleanca por duke i largu/margjinalizu banditët serbë prej atje? Nëse çështja ishte thjesht te ai dëmtim, atëherë Kurti kishte të drejtë. Nëse pason diçka më e madhe, atëherë opozita.

Heshtja njëvjeçare besoj se është rrjedhojë e pavetëdijshme e pritjes së përgjigjes definitive që mendohet se po vjen.

Nuk e besoj që të dyja palët e meritojnë me ekzistu në Kosovë. Dikush prej tyre – cilado qoftë – e ka dëmtu rëndë Kosovën tash e pesëmbëdhjetë vjet. Na ka mashtru rrastë. E ka rreziku sovranitetin dhe ia ka humbë vendit një kohë tepër tepër të çmueshme. E ka cenu demokracinë. Na e ka vjedhë lirinë e perspektivën. Dhe s’meriton tjetërçka pos burgut.

Përgijgja përfundimtare s’lë vend për të dyja palët. S’e besoj që dikush do t’i ketë 50 e dikush tjetër 40 ulëse në Kuvend. Jo. Hipoteza ime e përgjigjes përfundimtare është se… dikush do të zhduket krejtësisht dhe meriton të zhduket krejtësisht. Polarizimi politik ka mbërri në asi nivelesh që e bëjnë të pamundshme çfarëdo mundësie për bashkëjetesë. Dhe ndoshta, më mirë kështu.

*KEMI NJË KËRKESË PËR TY: Tjetër është magazinë online që punon në baza vullnetare. Do të ishim shumë mirënjohës nëse e bëni LIKE në faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe SUBSCRIBE në faqen tonë në YouTube.

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: