E shtunë, 7 Qershor, 2025

Albin Kurti po bën gati AKUZË kundër LDK-së

PolitikëAlbin Kurti po bën gati AKUZË kundër LDK-së

Pak minuta pas dështimit të njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit, u mor vesh se Albin Kurti ia kishte dërgu një tjetër letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. I kërkonte atij jo vetëm që të takoheshin por e shtronte troç mundësinë e formimit të koalicionit qeverisës. Por, bash kjo letër do të përdoret si prova më e fortë kundër LDK-së në akuzën që po përgatitet ndaj saj.

“Pse të mos e bëjmë?” – e pyeste retorikisht në atë letër. Hajmedet! S’është që s’u pataksa prej këtyre fjalëve. Edhe te unë është përbrendësuar përvjedhurazi një albinkurt që s’i bindet kujt, e s’e lutë kënd!? Një albinkurt që s’bie në kësi pozicioni që t’i gëlltis fjalët e thëna me fanatizëm.

Nejse.

Kjo letër sidoqoftë ka potencialin të ndërtojë një moment tjetër politik. Ashiqare, qytetari i Kosovës është i frustruar me abortimin që po i ndodh materializimit të vullnetit të tij që e shprehu më 9 shkurt. Frustrim që do ta shtyjë të bëjë me gisht kah fajtori. Një bërje me gisht që s’është një akt fort i thjeshtë politik sepse përfshin veprimtari të përçartur online kundër fajtorëve. Një turrje aq agresive ndaj atyre që pandehen fajtorë sa përbën edhe sulm të rëndë ndaj demokracisë.

Këtë gjë na e mëson e kaluara. Pranvera e vitit 2020. Asokohe e kishim një Vetëvendosje shumë më të dobët se sot. Një Albin që na ‘pataksi’ duke i thënë “profesor i nderuar” Isa Mustafës. Por që në prapaskenë po ndërtonte rrëfimin akuzues kundër tij. Dhe që e ndërtoi me shumë sukses duke e dyfishuar mbështetjen për veten.

Kurti ishte konstruktivi. E bllokuan.

Rrethanat e sotme janë pak më absurde por edhe më të përshtatshme për Albin Kurtin. Akuza veçse është gati ndaj Lumir Abdixhikut. Dy letra. Secila më dashamirëse se tjetra. Dy refuzime me mendjemadhësi. Në tjetrën anë, një emër i propozuar për kryetare të Kuvendit. Emri i gruas më të votuar nga qytetarët e Kosovës. I refuzuar njëmbëdhjetë herë deri tash nga opozita. Mendjemadhësisht bile. Në një anë edhe më tjetër kemi rritjen e çmimeve. Në të kundër të saj kemi moskokëçarjen e opozitës. Më në fillim: një refuzim absurd opozitar edhe i raportit të verifikimit të mandateve. Më në fund: një fitore shpartalluese të Albin Kurtit.

Nuk e di nëse Kurti po e pret ardhjen e verës dhe mërgimtarëve për zgjedhjet e reja apo ardhjen e afatit për Zgjedhje Lokale. Ajo që e di është se çdo refuzim opozitar për bashkëpunim dhe çdo vonesë i konvenon Kurtit. Opozitarët po ia shkruajnë akuzën vetes dhe po ia bëjnë pa pagesë fushatën e re Vetëvendosjes.

Kur iu referua opozitës si “hajvana” në natën e 9 shkurtit, duket se Kurti e bëri me paramendim. E dinte sa e lëndueshme ishte egoja e tyre. Dhe sa mirë kjo ego e lënduar do t’i përshtatej asaj që kërkonte të realizonte. Njësoj siç i ishte përshtatur skemave të tij përkëdhelja e egos së Isa Mustafës me “profesor i nderuar” dikur.

Nuk dua të besoj që Kurti po luan me liderët e opozitës përmes egove të tyre. Do të ishte shumë e trishtë. Por, fatkeqësisht tash për tash kështu duket e vërteta.

Lumir Abdixhiku pa ofruar kurrfarë arsyesh të qëndrueshme ka refuzuar takimin e parë. Dhe njëjtë si duket do të veprojë edhe me takimin e dytë. S’do duhej! Ai duhet të dalë përmbi egon e lënduar nga sharjet e kota të Kurtit dhe të takohet me të. Potencialisht edhe të bëhet hisedar i një qeverie të re. Ndryshe, e ka për detyrë që të ofrojë vizionin e tij për dalje nga kjo situatë drejt asaj ku Kosova bëhet me intitucione të reja.

Situata aktuale është e rrezikshme për LDK-në. Optika na thotë se janë të çlidhur nga hallet e qytetarëve. Se s’iu bën fort. Aktualisht, qytetarët ende s’e kanë ndarë mendjen krejtësisht për fajtorin. Por, do ta ndajnë kur frustrimi të rritet e të shpërthejë. Dhe marrë parasysh pozicionet e tri partive të mëdha, gjasat janë që LDK-ja ta pësojë.

Pse?

Sepse… kjo është e vërteta! LDK-ja s’po e di kah t’ia mbajë. S’do me VV-në. S’do me PDK-në. Efektivisht, është papërcaktueshmëria e saj që e mirëmban këtë bllokadë. Dhe, është kjo papërcaktueshmëri arrogante që do të bëhet përcaktuese e rezultatit të zgjedhjeve të radhës nëse Abdixhiku e refuzon Kurtin sërish.

Nëse jo me Kurtin e as me Hamzën e as me Ramushin, atëherë me kë?

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: