Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të festivalit “Chopin Piano Fest”, Filharmonia e Kosovës krijoi një ngjarje muzikore me peshë të veçantë, duke ndërthurur përkujtimin, interpretimin dhe reflektimin estetik përmes dy kryeveprave të Tchaikovsky-t. Në një atmosferë solemniteti artistik, nën tingujt e “Koncertit Nr. 1 për piano” dhe “Simfonisë së Gjashtë – “Pathétique”, publikut iu ofrua jo vetëm një përvojë muzikore, por edhe një rrugëtim emocional dhe filozofik në thellësitë e shpirtit të kompozitorit rus. Koncerti u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me mysafirë të rangut të lartë artistik: dirigjentin Peter Valentovič dhe pianisten me renome ndërkombëtare, Sofya Gulyak.
Zgjedhja e veprave nuk ishte e rastësishme: të dyja këto kompozime mbartin një ngarkesë dramatike dhe shpirtërore që tejkalon kufijtë e muzikës së thjeshtë programatike. Koncerti për piano është një dialog monumental mes individit dhe strukturës, ku pianoja nuk shërben si zë i bindur, por si ndërgjegje që ngrihet përballë një bote të rreptë. Ndërsa simfonia “Pathetique” vjen si një testament artistik dhe shpirtëror, një narrativë që përshkon skajet e ndjeshmërisë njerëzore, duke filluar me një murmurim melankolik e përfunduar në heshtjen e një kapitullimi të qetë.
Ky koncert nuk ishte vetëm një ekspozim teknik i mjeshtërive interpretative, por një vepër e gjallë e mendimit muzikor, ku tingujt shndërroheshin në forma ndjesish, dhe struktura e kompozimeve në një filozofi të ekzistencës. Aty ku fjala nuk mjafton, muzika e Tchaikovsky-t gjente mënyrën për të artikuluar dhimbjen, krenarinë, vetminë dhe revoltën – si një gjuhë e padukshme që depërton përtej kuptimit të drejtpërdrejtë, drejt përjetimit të thellë.
Koncerti për Piano Nr. 1 në b-mol, Op. 23 nga Tchaikovsky-i.
Vepra e cila ndahet në katër kohë. Koha e parë “Allegro ma non troppo e molto maestoso – Allegro con spirito” nuk fillon me piano, siç do të ishte e pritshme në një koncert për piano, por me një shpërthim orkestral që e ngrit perden me solemnitet dhe peshë të jashtëzakonshme me frymorët si kornotë dhe flautet e menjëherë i bashkohen edhe instrumentet harkorë si, violinat, violat dhe violonçelat me akorde të plota, të thella dhe të rënda, të mbështetura nga frymorët duke krijuar një efekt monumental, gati si një fanfarë e melankolisë heroike.
Koha e parë ndërtuar si një marsh epik, me një ritëm të rëndë dhe të solemnizuar, si një lëvizje statike e historisë që zvarritet mbi tokën e shpirtit rus. Tingujt janë të trashë, të thellë, me një frymë të mbretërimit të dhimbjes dhe një sens të pashmangshëm të tragjikes.
Pianoja hyn menjëherë me një qëndrim të fuqishëm, por jo si narratore melodike, përkundrazi: ajo nuk e merr temën madhështore, por i përgjigjet orkestrës me akorde të fuqishme oktavash –gati si një shprehje e rebelimit apo e vetëdijes që përplaset me strukturën. Ajo nuk kërkon të harmonizohet menjëherë, por të vendosë praninë e vet si një subjekt i plotfuqishëm. Kjo e bën koncertin jo thjesht një ekspozim teknik të virtuozitetit, por një dramë të brendshme filozofike mes njeriut dhe botës.
Pas hyrjes solemne, muzika kalon në një Allegro con spirito, dhe ritmi fillon të rritet – ngrehina e ngadaltë dhe e rëndë hapet për t’i lënë vend dinamikës, rrjedhës, lëvizjes. Këtu pianoja bëhet motori kryesor, duke udhëhequr me pasazhe të shpejta, të skalitura me finesë, dhe me një energji që vibraton ndërmjet pasionit dhe përmbajtjes.
Në këtë koncert, hyrja sfidon pritshmërinë tradicionale, nuk ka një ekspozim të qetë dhe gradual të temës nga pianoja, por një përleshje poetike midis individit dhe strukturës. Orkestra shpall një botë të ngurtë e solemne, pianoja hyn si dëshira për liri, si trazimi i ndërgjegjes, si fuqia subjektive e njeriut që nuk pranon të përkulet.
Ky koncert nuk është thjesht një vepër muzikore, por një baladë filozofike për vetëdijen, që fillon në heshtjen e rëndë të historisë dhe kulmon në përpëlitjen e shpirtit për t’u dëgjuar.
Simfonia Nr. 6 në B minor, Op. 74 – “Pathetique” e Pyotr Ilyich Tchaikovsky
Kjo simfoni është një udhëtim emocional që nis me një psherëtimë të zymtë dhe përfundon në një formë të heshtur, duke përshkruar një hark të pazakontë nga përhumbja, por jo edhe nga errësira drejt dritës si në simfonitë klasike. Kjo simfoni përbëhet nga katër lëvizje, secila me karakter unik, ritmikisht dhe emocionalisht, duke krijuar një narrativë dramatike që reflekton thellësisht shpirtin e kompozitorit.
Koha e I – Adagio – Allegro non troppo
Simfonia hapet në mënyrë jashtëzakonisht intime dhe misterioze me fagot solo në një regjistër të ulët dhe melankolik. Kjo linjë e vetmuar shoqërohet butësisht nga violat dhe kontrabasët, duke krijuar një atmosferë të errët, të pasigurt dhe të brishtë.
Adagio-ja fillestare është si një psherëtimë metafizike, koha ndalet, si një përqendrim para furtunës.
Më pas, gradualisht, muzika rrit intensitetin dhe kalon në Allegro non troppo, ku orkestrës i shtohet dinamizëm. Violinat, kornot dhe përkusionet ngrenë tensionin emocional në një kulm dramatik, shoqëruar me motive të fuqishme që shpërthejnë si dëshpërim i përmbajtur për një kohë të gjatë.
Koha e II – Allegro con grazia
Koha e dytë është një vals i pazakontë, që krijon një ndjenjë të bukur, por njëkohësisht të çuditshme dhe të lëkundur. Këtu hyjnë në lojë violinat dhe violonçelat, duke sjellë një melodi elegante dhe të hijshme, por që, përmes asimetrisë ritmike, bartin nëntekstin e një trishtimi të maskuar.
Është një pjesë që luhatet mes kënaqësisë estetike dhe disonancës së padukshme, një kujtim i një gëzimi që nuk është më, si një kujtim të bukur të deformuar nga koha.
Koha e III – Allegro molto vivace
Fillon me një vrull ritmik të fuqishëm. Kjo pjesë është e ngarkuar me energji, e luajtur nga e gjithë orkestra, sidomos instrumentet frymorë, dhe përkusionet që i japin jetë një marshi gati triumfues.
Megjithatë, kjo vrullësi është e dyshimtë. Pas shikimit të parë, duket sikur Tchaikovsky kërkon të na japë një finale të lavdishme – publiku madje mund të mendojë se simfonia mbaron këtu – por në fakt është një ironi tragjike. Kjo është jehona e një fitoreje të zbrazët, një maskë që mbulon rrënimin e brendshëm.
Koha e IV – Adagio lamentoso
Pjesa e fundit është një himn përfundimtar i dhimbjes, që e përmbys plotësisht pritshmërinë për një finale të fuqishme. Fillon me violat dhe violonçelat, duke përçuar një melodi të butë, të zgjatur dhe të përndjekur. Tingujt janë të rëndë, si hapa të ngadaltë në një funeral të vetvetes.
Gradualisht ndërtohet një kulm emocional ku e gjithë orkestra shpërthen në një lloj britme, por më pas gjithçka fillon të tretet. Tempoja bie, dinamika zbret në pianissimo, dhe për herë të parë në një simfoni të tillë, ajo përfundon jo me një akord madhështor, por me në mënyrë të qetë dhe të heshtur – si një shpirt që largohet nga trupi pa zhurmë, duke mbetur vetëm në një dridhje të largët të kontrabasëve.
Në thelb, kjo simfoni është një cikël emocional që rritet drejt pikut për t’u zhytur më pas në heshtje – një metaforë muzikore për vetë jetën e lindur nga heshtja, e ngritur drejt dritës, dhe e kthyer sërish në errësirë.
Peter Valentivič ka thënë për magazinën TJETËR se është bërë një punë shumë pozitive dhe shumë e mirë, dhe se e për të është hera e parë në Kosovë dhe sigurisht hera e parë që ka dirigjuar këtë orkestër, për të cilën ka thëne se është e mrekullueshme, por edhe hera e parë që ka bashkëpunuar me pianisten Sofia Gulat, duke i cilësuar të dy bashkëpunimet absolutisht fenomenale.
“Jam shumë i kënaqur me rezultatin. Sigurisht, Sofia është pianiste e mrekullueshme dhe orkestra është një orkestër shumë e mirë. Kemi punuar nga e hëna deri të premte, dhe mendoj se ka pasur progres çdo ditë. Instrumentistët e Filharmonisë kanë bërë prova edhe në shtëpi, janë praktikuar sepse është simfoni shumë e vështirë”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se koncerti për piano i Tchaiovky-t nuk është shumë i lehtë, por simfonia është më e vështirë, duke theksuar se ka qenë një lidhje dhe ka qenë shumë i lumtur që ka mundur të bëjë muzikë aty me ata njerëz të mrekullueshëm.
“Mendoj se është e mrekullueshme, sepse entuziazmi që kishim nga publiku dhe për orkestrën dhe gjithçka nga energjia, ishte befasues, mendoj se si njerëzit e duartrokitën dhe jam i lumtur që pata mundësinë të luaj dhe të jem këtu” është shprehur Valentivič.
Sofya Gulyak ka thënë se kjo ka qenë një përvojë shumë e bukur dhe ka gjetur një ndjenjë shumë të mirë për të luajtur së bashku, sepse muzikantët janë përpjekur me të vërtetë të bëjnë më të mirën, ata janë shumë të përfshirë me muzikën dhe përpiqen të më ndjekin mua, aq saktë, me shumë vëmendje dhe dirigjenti gjithashtu. Ajo më tutje është shprehur për dirigjentin Valentivič se ai është shumë i ndjeshëm në lidhje me orkestrat dhe është gjithashtu një person shumë i mirë. Pra, është mirë të luash me ta.
Kjo është hera e dytë që Sofya Gulyak ndodhet para publikut kosovar duke theksuar se publiku është shumë i ngrohtë këtu.
“Pritja është gjithmonë shumë e ngrohtë dhe ndihem sikur janë shumë të vëmendshëm nga dëgjimi i tyre. Atyre u pëlqen muzika klasike dhe vijnë në koncerte dhe ndjen përgjigjen prej tyre. Eksperiencë shumë e bukur”, ka thënë Gulyak për magazinën TJETËR.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves është shprehur për magazinën TJETËR se ka kaluar një kohë të mrekullueshme këtë mbrëmje.
“Është një privilegj i vërtetë që në Prishtinë, ne kemi këtë festival që sjell njerëz nga e gjithë bota dhe jemi jashtëzakonisht me fat që jemi në gjendje të shijojmë një cilësi kaq të lartë këtu në Prishtinë. Është një nga gjërat që i bën Kosova dhe Prishtina, një vend i mrekullishëm për të jetuar dhe ju shihni entuziazmin dhe kënaqësinë që kanë pasur kaq shumë njerëz të ndryshëm nga i gjithë qyteti”, ka theksuar Hargreaves.
“Ky festival vazhdon për disa javë. Isha veçanërisht i kënaqur që isha në këtë mbrëmje për të dëgjuar një pianiste nga më të mira, ajo përfaqëson kulturën globale dhe talentin global që vjen në këtë vend”, ka thënë Hargreaves.
Një dekadë e gjysmë tradite i festivalit “Chopin Piano Fest”.
“Kjo ka qenë pjesë e sezonit të Filharmonisë. Bashkëpunimi me festivalin është tradicional tash e 15 vjet. Në aspektin zhvillimor për Filharmoninë “Simfoniane gjashtë” e Tchaikovsky-t është një prej veprave që orkestra nuk e ka luajtur shpesh, ky është interpretimi i dytë, dhe është mirë se në këtë rikthim të një prej veprave të muzikës simfonike, orekestra ka arritur ta sjellë në nivelin që e ka interpretuar sonte”, është shprehur Dardan Selimaj ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës për magazinën TJETËR.
Selimaj ka thënë se Peter Valentivič është drigjinet që është ftuar për herë të parë, nuk ka pasur bashkëpunim më herët, mirëpo ai do të jetë pjesë edhe e sezonit të ardhshëm në disa koncerte. Më tutje Selimaj ka theksuar se Sofya Gulyak përndryshe është një prej emrave eminent të skenës klasike, ajo ka interpretuar edhe më herët për skenën muzikore të Kosovës dhe është jashtëzakonisht nder dhe privilegj që ishte sonte një artiste e përmasave të tilla.
“Chopin Piano Fest”, sikur në edicionet e kaluara e ka vazhduar ritmin të cilin e ka pasur. Është tashmë një festival i etabluar i cili vazhdon ta mbajë nivelin programor dhe uroj të vazhdoj kështu edhe në të ardhmen, dhe të cilët kujdesen për ta plotësuar ekosistemin muzikor të kryeqytetit”, ka thënë Selimaj.
Ai më tutje ka shtuar se duke iu shtuar një numër tashmë jo të vogël të solistëve të njohur që kanë bashkëpunuar me FIlharmoninë. Ka qënë një mbrëmje jo e lehtë për orkestrën, por puna me dirigjentin e ka lehtësuar barrën që instrumentistët e kanë pasur.
“Shpeshherë, jo vetëm për “Chopin Piano Fest”, por edhe për gjithë skenën klasike befasohem se si ajo vazhdon të rritet në aspektin kualitativ, duke qenë vazhdimisht në përballje me problemet të jashtëzakonshme të hapësirave ku prezantohet muzika, por më vjen mirë që ekziston energjia te njerëzit te muzikantët dhe insistojnë të zhvillohet skena muzikore”, ka theksuar më tutjte ai.
“Por vazhdimishit unë ndihem keq për rrethanat në të cilat ne prezantohemi, jo vetëm koncertet e festivalit “Chopin…”, apo “ReMusica” dhe festivalet e tjera, e gjithashtu edhe të Filharmonisë e cila natyrisht e mban barrën e sezonit koncertal në nivel vendi”, ka thënë Selimaj.
Antonio Gashi violonçelist dhe profesor në Universitetin e Prishtinës për magazinën TJETËR ka thënë, se ka qenë një kohë shumë e shkurtër për përgatitje sepse Filharmonia kishte edhe koncerte të tjera dhe aktivitete të tjera dhe dirigjenti Valentivič ka qenë i mrekullueshëm si me qetësinë e vet edhe me idetë e veta ka thënë
“Të gjitha në këtë javë që e kemi kaluar kemi qenë aq të emocionuar që t’i ekzekujtojmë veprat sa më mirë që mundemi.Pianistja është e mrekullueshme është nëj prej pipanisteve me famë botërore dhë është kënaqësi për të gjithë edhe bashkëpunimi me ta edhe të dëgjohën”, ka theksuar ai.
Gashi ka shtuar më tutje se si çdo festival që ka Kosova është kënaqësi kur arrihet një jubile i tillë dhe sukses e sidomos në kushte të tilla të vështira. Më tutje ka shtuar se edhe për kulturën nuk jepet ndonjë rëndësi shumë e madhe, por ministria dhe sponsorët e tjerë kanë ndihmuar që ky aktivitet të vazhdojë dhe të mbahet.