E diel, 7 Dhjetor, 2025

Barazia është arkitekturë. Nju Jorku e votoi; Prishtina e ka radhën

PolitikëBarazia është arkitekturë. Nju Jorku e votoi; Prishtina e ka radhën

Shkruan: Gazmend Demolli

Nëse mund ta bësh këtu… mund ta bësh kudo. E rikthejmë me shkas. Është manual pune. Barazia nuk vjen prej qiellit; ndërtohet si infrastrukturë e mundësisë—trotuar që funksionon, autobus që vjen me kohë, çerdhe afër që s’ta ha gjysmën e rrogës, dritë rruge që ta bën ecjen të sigurt, ngrohje që s’ta kthen dimrin në krizë. Prej këtyre gjërave të vogla përditësia bëhet e madhe. Prej këtyre gjërave të thjeshta, rendi shoqnor bëhet i qëndrueshëm.

Fitorja e Zohran Mamdanit në Nju Jork—me program të qartë kundër pabarazisë—e ktheu këtë logjikë në mandat politik: ngrirje qirashë, banim i përballueshëm, kujdes për fëmijë universal, autobusë falas, taksa më të larta për më të pasurit. Kjo quhet ulje e kostos së jetës me mjete publike, jo show me pllaka betoni.

Nëse Nju Jorku e votoi barazinë si projekt qeverisës, Prishtina s’ka luksin ta lërë si tentim. Pse? Sepse pabarazia këtu nuk është debat akademik; është trajektore jetësore. Kur shërbimi mungon në një lagje e është i plotë në tjetrën, nuk është rastësi – është vendim buxheti. Dhe kjo, me kalimin e viteve, të ndryshon fëmijërinë, kohën, shëndetin, sigurinë. Kthehet në fat. Fatalitet. Ne këtë fat duhet ta thyejmë me votë që kthehet në standard dhe zbatim.

Barazia si arkitekturë e mundësisë

Çerdhja në distancë ecjeje nuk është luks, është infrastrukturë pune: prindërit punojnë të qetë, të ardhurat rriten, lagja merr vlerë. Shkolla afër? Më pak trafik, më shumë kohë me familjen, më pak pabarazi. Këto nuk janë mesele; janë llogari të thjeshta që i rrisin vlerën shtëpisë, lagjes, edhe qytetit.

Në Nju Jork, mandati i Mamdanit e ka futur kujdesin universal për fëmijë në themel të agjendës së përballueshmërisë. Po, si investim në produktivitet dhe pjesëmarrje – jo si shpenzim për imazh.

Korsitë e autobusit, frekuenca reale, lidhjet me periferi – janë barazi kohe. Më shumë jetë, më pak pritje. Edhe fare-free bus? Mund të vijë si fazë – por s’bën pa disiplinë, pa rrjet, pa orar që mban. Paraja publike must të shkojë te themeli, jo te fasada.

Mamdani e tha qartë: transporti urban i shpejtë dhe i përballueshëm është politikë sociale po aq sa transport. Edhe kur është falas. Sfida është zbatimi, jo ideja. Zbatimi bëhet me përkushtim ndaj parimit të barazisë me qytetarin në qendër.

Banesat e përballueshme, izolimi termik, zgjerimi i ngrohjes qendrore – këto ulin varfërinë energjetike dhe rrisin kohezionin. Investimi publik këtu e rrit vlerën private shumëfish. Po, shumëfish.

Në Nju Jork, ngrirja e qirave dhe strehimi i përballueshëm janë test i parë i besueshmërisë së Mamdanit. Te ne – testi është sa shpejt ndalojmë retorikën e shesheve ikonike dhe fillojmë izolimin e ndërtesave, rikthimin e ngrohjes, zgjatjen e jetës së stokut banesor.

Një provë e thjeshtë për çdo kryetar: a e di sa kohë bëjnë gjërat për t’u bërë? Leje, furnizime, ekip, një hyrje e një dalje; kantier që hapet e mbyllet, jo që rri peng i qytetit me muaj. Mateni performancen me kohën e kthimit të hapësirës te qytetari, jo me foto të shiritit. Jo me bulldozhera që rrinë në shesh për të krijuar iluzionin e punimeve, e rreth tyre ka dalë bari i egër deri te kabina e shoferit që nuk është aty.

Në Nju Jork, tranzicioni i Mamdanit filloi me sinjal të fortë profesionalizmi – një ekip tranzicioni i shpallur hapur, përfshirë edhe Lina Khan, ikonë e luftës anti-trust kundër mashtrimit dhe korrupsionit të kompanive të mëdha. Te ne, po të duam seriozisht rezultate, duhet të bëjmë të njëjtën: njerëz pune, role të qarta, afate të matshme, ndëshkime  reale për vonesat.

Asgjë më e neveritshme se kantieret që s’përfundojnë, sheshet pa hije dhe ndërtesat pa hapësirë për çerdhe e shkollë. Kjo nuk është modernizim; është pabarazi në pllaka. Liro trotuarin, ndriço rrugën, gjelbëro me ujitje të garantuar, mirëmbaj këndet e lojës – kjo është siguri, shëndet dhe dinjitet.

Dhe po, kjo kërkon financim. Mos u trembni: më e shtrenjta është pabarazia – ajo prodhon pasiguri, kosto shëndeti, humbje kohe, ikje të besimit. Kur e zhvendos buxhetin nga fasadat te themeli – çerdhe, korsi autobusi, izolim termik, mirëmbajtje – kthimi vjen në dekadë. Rend i qëndrueshëm, qytet i sigurt, lagje që lulëzon.

A ka kundërshtarë kjo? Sigurisht. Të privilegjuarit s’ta falin barazinë. Kurrë. Prandaj sjellja me votë dhe me zbatim. Nju Jorku e dërgoi mesazhin: një fushatë terreni, derë-më-derë, me një program që i flet jetës reale, mund të fitojë qytetin më të madh. Pjesa e vështirë vjen tani: ta jetësojë.

Kaq e thjeshtë dhe kaq e vështirë. Barazia nuk është projekt i majtë; është inxhinieri e përditshmërisë. Nju Jorku na tregoi se mund të fitohet me të. Tash, le ta fitojmë këtu, në Prishtinë – me votë, me cilësi, me standard. Përndryshe, edhe një mandat kalon në pllaka betoni, duke lexuar libra imagjinarë në kolonë trafiku. Pyetne Përparimin kur ka lexuar librin e fundit. Nuk e mbanë në mend sigurisht.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: