Shkruan: Gazmend Demolli
Prishtina s’është e kollajshme me u jetu. If you can make it here… you can make it anywhere. Mundësia për me përparu nuk të pikë prej qielli. Shansi që fëmijët e tu me arritë në jetë, nuk është naj punë nafake.
Vjen prej trotuarit, prej autobusit që vjen me kohë, prej çerdhes afër që nuk ta merr gjysmën e rrogës, prej dritës që e bën rrugën e sigurt, prej ngrohjes që s’e kthen dimrin në krizë financiare. Këto janë elemente të një sistemi që mban rendin shoqnor funksional.
Kur një shërbim mungon në një lagje e është i plotë në tjetrën, kjo s’është rastësi: prodhohet prej vendimeve që i dërgojnë mjetet tjetërkah. Prandaj duhet barazinë me e kuptu si arkitekturë mundësie dhe me e mbrojtë me standarde e zbatim. Ka akterë që s’kanë interes me na pa të barabartë; edhe pse kjo është llogari e gabume. Barazia e mban rendin shoqnor stabil, e rritë besimin, e ulë konfliktin dhe e liron talentin që sot ngecë në periferi të shërbimeve. Duhet me parandalu ciklet e kapjes e të privilegjit që vetë-riprodhohen.
Të privilegjuemit nuk kanë me ta falë barazinë. Kurrë. Duhet me e pru me votë.
Thellimi i pabarazive në Prishtinë, shihet gjithandej, nuk do kallauz: tek qasja jo e njëjtë në hapësirë publike, tek energjia e përballueshme, pra te qasja në ngrohtore qendrore, tek transporti i besueshëm, tek kujdesi i fëmijërisë së hershme.
Asimetria e shërbimeve e ndryshon fëmijërinë, kohën, sigurinë dhe shëndetin – e kjo, me kalimin e viteve, bëhet trajektore e pakthyeshme. Për me e kthy, politika urbane duhet me e vendosë fëmijën në qendër, me e barazu pikënisjen dhe me e mbrojt kohën e banorit si resurs publik.
Barazia kërkon me standardizu shërbimet bazike në çdo lagje—çerdhe në distancë ecjeje, ditë e plotë shkollore, mjekësi parandaluese, trotuare që funksionojnë, ndriçim i vazhdueshëm, ngrohje e përballueshme. E dyta: me prioritetizu investimet që ulin koston e kohës—korsi autobusi, frekuenca reale, lidhje me fshatrat, informacion të hapun në kohë reale. E para ke kjo në fillim. E treta: me rregullu hapësirën publike si e drejtë—park i afërt, kënde loje funksionale, heqje e uzurpimeve dhe mirëmbajtje sistematike. Secila prej këtyne është instrument i barazisë.
Pastaj vjen dimensioni i energjisë që duhet me u trajtu si drejtësi. Zgjerimi i ngrohjes qendrore, renovimi termik i stokut të banesave dhe skemat e targetuara për familjet në nevojë janë rruga me e sigurt me e ul varfërinë energjetike. Pse nuk është bë zgjerimi përkundër fondeve të parapara ? Pyetje retorike.
Jo po sheshi anej knej. Hapësira publike e barabartë nuk matet me shesh ikonik deri te rrethi me flamur, por me përditshmërinë në lagje. Lirimi i trotuareve, dhe krijimi i tyre me ndriçim, siguritë pranë shkollave dhe mirëmbajtja e këndeve të lojës janë politika të sigurisë dhe të shëndetit po aq sa janë të estetikës dhe prestigjit të të jetuarit në kryeqytet. Edhe kultura e parkimit: uzurpimi i hapësirës është pabarazi e drejtpërdrejtë ndaj fëmijëve, të moshuarve e grave.
Arsimi dhe fëmijëria e hershme bëjnë diferencën që s’e riparon dot asnjë bursë e vonshme. Dy çerdhe për lagje si prag minimal, klasa me numër të arsyeshëm nxënësish, shumë më të ultë në fëmijëri të hershme dhe në lagje të lëna anash, pastaj, laboratorë e pajisje digjitale—këto e barazojnë nisjen dhe e pakësojnë shtresimin e pabarazive që lindin para klasës së parë. Investimi këtu kthehet në produktivitet, shëndet e pjesëmarrje, pra në rend shoqnor ma stabil.
Ka dy dekada që një pjesë e qytetarëve të Prishtinës, me u thanë aspirues të elitës, kushtet dhe standardet që nuk ua ka plotësuar publikja i kanë krijuar vetë. Pra, ka 15-20 vjet që ata dërgojnë fëmijët në çerdhe, i dërgojnë në kurse të ndryshme plotësuese qysh në fëmjëri, aktivitete sportive, kulturore, artistike. I dërgojnë të mësojnë piano, balet, pikturë. Dhe kjo ju kushton shumë por e shohin, me të drejtë, si thelbësore në zhvillim dhe në mbajtjen e hapit me fëmijët tjerë në botë. Këto kushte një pjesë tjetër shumë më e madhe e popullsisë nuk i ka. Dhe mbetet mbrapa.
Krijimi i kushteve publike për të gjithë nuk e pengon askënd. Duhet kuptuar se ata që sot i dërgojnë fëmijët në struktura private nuk e bëjnë sepse privati ofron kushte e standarde, në shumicën e rasteve nuk ka asnjë standard arsimor por vetëm ruajtje, thjeshtë, nuk kanë tjetër opsion. As lirë, as shtrenjtë.
Qeverisja e barazisë lyp kapacitete e disiplinë. Udhëheqja me i respektu rregullat që i kërkon prej të tjerëve. Pikë së pari. Ekipe zbatimi që dinë me dorëzu punë me afat e cilësi. Procedura të hapuna prej planifikimit deri te auditimi. Kontrata që shpërblejnë cilësinë; penalitete reale për vonesat. Sisteme informacioni që e bëjnë të dukshme paratë, afatet e statusin e projekteve. Orientim të prioriteteve në mënyrë të drejtë dhe barabartë.
Financimi i luftimit të pabarazisë s’duhet me na frikësu. Më e shtrenjta është pabarazia: gjeneron pasiguri, kosto shëndeti, humbje kohe, ikje të besimit. Dhe pas një kohe kostoja është gheto, pasiguria, krimi. Me e zhvendos buxhetin prej fasadave kah themeli—çerdhe, korsi autobusi, izolim termik, mirëmbajtje e hapësirës publike—kthimi vjen në dekadë.
Dhe, aty ku ka investim publik rritet vlera private. Shumëfish.
Krejt në fund, çka po kërkoj? Qytet ku rregulli i përditshëm punon njësoj për krejt. Ku fëmija ecë i sigurt, prindi s’e humb ditën në pritje, i moshuari jeton, familja s’dridhet prej faturës së dimrit. Barazia si arkitekturë e mundësisë e bënë qytetin ma të sigurt e ma të zhvilluar.
Por pabarazitë e viteve të fundit s’kanë me u tretë vetë. Kërkojnë plan, standard, zbatim e llogaridhënie.
Kërkojnë votë të menduar mirë.
Unë e kam shoshitur. Ky është një balotazh ku pika më e rëndësishme ndarëse është barazia si arkitekturë e mundësisë.
Nëse keni lexuar deri këtu sigurisht e prisni të jemë paekuivok.
Unë e zgjedhë barazinë sociale. Hajrulla Çekun.