Shkruan: Gazmend Demolli
Kushtetuesja nuk pa ndonjë udhë tjetër pos të besojë në zërat e disa deputetëve, prirë nga AAK, se nëse kthehet votimi i hapur do të votojnë dhe konstituojnë Kuvendin. Vuri bast në fjalët e tyre.
E nxori një vendim ad hoc, i cili me fjalët e saj nuk do të merret më pas si referencë, por ka një qëllim të vetëm: eskalimin e bllokadës institucionale. E vetëdijshme se ka edhe mënyra të tjera, tha: kurdo që konstituoni Kuvendin, gjeni vetë mënyrën dhe kodifikojeni në rregullore të Kuvendit. Nuk e mori mundin të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme apo të drejtë, por zgjodhi udhën e një zgjidhjeje që në kontekstin aktual mund të prodhojë effet utile. Koha do të tregojë nëse kishte të drejtë.
Për të mundur t’i rikthejë deputetët në ulëset e Kuvendit, edhe pas afatit 30-ditor, e vetmja mënyrë që ajo pa ishte të anulonte të gjitha seancat pas aktgjykimit të fundit, duke konstatuar se deputetët, dhe në veçanti kryesuesi i seancës, nuk kanë vepruar sipas aktgjykimit paraprak që ka kërkuar nga ta të konstituojnë Kuvendin në afatin e caktuar.
Ishte mënyra e vetme për t’u rikthyer në seancë. Pa fajtorë, nuk kishte anulim; pa anulim, nuk kishte rikthim; pa rikthim, nuk ka konstituim.
Harroi, në këtë rast, të konstatojë se një pjesë të madhe të fajit e mban vetë. Gjykata vetë e ka përsëritur në jurisprudencën e saj se interpretimi kushtetues duhet të garantojë zbatimin praktik të dispozitave dhe funksionalitetin e organeve. Ajo shkroi se nuk është thirrur për të zgjidhur një mosmarrëveshje politike ndërmjet grupeve parlamentare, por për të garantuar që proceset themelore kushtetuese zhvillohen në përputhje me parimet e transparencës, llogaridhënies dhe funksionalitetit.
Nëse funksionaliteti ishte qëllimi, interpretimi që e bën tekstin të zbatueshëm ishte i detyrueshëm; neutraliteti procedural që lë organin të paralizuar ishte, praktikisht, mosrespektim i standardit që Gjykata ia ka vendosur vetes. Interpretim pa mjet nuk është interpretim, por deklarim, konstatim. Një indietro elegante që i kthen të gjitha pasojat dhe fajet mbi Kuvendin e bllokuar. Harron fajin e vetë.
Por ne e dimë. Pjesa më e madhe e përsëritjeve shterpe të seancave ishin në pritje të vendimit të Gjykatës. Njëherë këtij, pastaj atij. Blloku i partive LDK, PDK, AAK fshihej pas injorancës, për të veshur refuzimin e votimit të fshehtë me petkun e ilegalitetit kushtetues të aktit. Ndonëse e pyetur disa herë, Gjykata u fsheh pas neutralitetit për të eskivuar pyetjen dhe në këtë mënyrë e mundësoi përsëritjen dhe vonesën. Të gjitha pretendimet e bllokut LDK, PDK, AAK ishin të pabaza. Më në fund Kushtetuesja është pak më shumë eksplicite, por jo direkte.
Zgjidhja e prekonizuar që zgjedhja të bëhet përmes ndërrimit të kandidatit pas tri iteracioneve mund të ketë një rezultat dikur. Por, pranojeni se në vend se të votohet në mënyrë suksesive për kandidatin A, pastaj B, pastaj C, D, do të ishte më mirë të hidhen në votim të gjithë përnjëherë dhe deputetët të zgjedhin më të pëlqyerin e tyre. Është aq logjike sa nuk meriton shtjellim. Të gjitha demokracitë funksionale e kanë këtë modalitet votimi. Dhe atë me votim të fshehtë. Për ata që mendojnë se nuk është e lejuar: nëse lejohet votimi suksesiv njëherë për A, pastaj për B, pastaj për C, D, E, F… gjithsesi është i lejuar edhe votimi për A, B, C, D në rundin e parë dhe pastaj për dy të parët në balotazh.
Por kjo le t’u mbetet deputetëve ta kodifikojnë në rregullore të Kuvendit. Nuk kemi çka ndalemi në një modalitet që nuk u zgjodh, nuk u prekonizua. Kurdo që të konstituohet Kuvendi, do të ishte e udhës që të vendosin që Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë në mes të kandidatëve të ndryshëm nga parti të ndryshme që marrin së paku 11 nënshkrime. Me të njëjtin hap amandamentohet Kushtetuta dhe kaq.
Sepse a e dini çka ndodh me këtë formulë që e dha Kushtetuesja tash? Çdo seancë e re pas zgjedhjeve do të fillojë vetëm dy-tri ditë para skadimit të afatit 30-ditor, në mënyrë që të mos ketë hapësirë të kundërshtimit të vazhdueshëm të kandidatëve. A është kjo zgjidhje? Jo. Është vetëm stratagjemë.