E shtunë, 19 Korrik, 2025

Bota do të ketë më pak njerëz: Çfarë do të thotë kjo?!

KulturëBota do të ketë më pak njerëz: Çfarë do të thotë kjo?!

Së fundi, një hartë e ripostuar nga Elon Musk bëri goxha jehonë edhe në Kosovë. Për këtë arsye, e kemi përkthyer për ju këtë artikull.

Një problem i madh i këtij shekulli pritet të jetë numri i ulët i lindjeve – e jo mbipopullimi siç mendohet zakonisht.

Shekulli i 20 kishte rritjen më të madhe të popullsisë në historinë e njerëzimit. Nga 1.6 miliard njerëz sa ishin në vitin 1900 numri u rrit në 6 miliardë në vitin 2000. Ky trend ka përfunduar. Shumica e të dhënave demografike sugjerojnë se pavarësisht shqetësimeve të mëparshme për krizat e mbipopullimit, problemi më i madh për shumicën e pjesëve të planetit do të jetë numri i paktë i fëmijëve.

Të dhënat e pasqyrojnë qartë këtë fenomen. Në Japoni, njerëzit blejnë më shumë pelena për të moshuarit sesa për foshnjat. Kina, e cila për një kohë të gjatë zbatoi politikën e një fëmije, së fundmi e rriti kufirin në tre fëmijë; pret që popullsia të arrijë kulmin dhe më pas të bjerë në vitin 2030. Ndërkohë, shkalla e rritjes së popullsisë në SHBA është në nivelin më të ulët historik, duke ‘kujtuar’ periudhën e Depresionit të Madh.

Një studim i ri eksploroi të ardhmen e popullsisë dhe si pritet që ajo të ndikojë në objektivat e qëndrueshmërisë. Duke përdorur të dhëna demografike nga raportet e Kombeve të Bashkuara, studimi argumenton se problemi i popullsisë është i dyfishtë: popullsitë po zvogëlohen dhe po plaken njëkohësisht.

Evoluimi i niveleve të vdekshmërisë dhe normave të lindshmërisë me kalimin e kohës/Big Think

Globalisht, njerëzit mbi 65 vjeç janë grupmoshat me rritjen më të shpejtë të popullsisë dhe në vitin 2019, për herë të parë në historinë njerëzore, ata tejkaluan numrin e fëmijëve më të vegjël se 5 vjeç” shkruajnë studiuesit. Në vitin 2020, 9% e popullsisë globale ishte mbi 65 vjeç, që përbën 728 milionë njerëz. Kjo popullsi parashikohet të rritet më shumë se dyfish, duke arritur në 1.55 miliardë në vitin 2050 dhe përbën 16% të popullsisë globale, me norma mesatare të fertilitetit.

TJETËR* është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Këto ndryshime nuk do të përhapen në mënyrë të barabartë në të gjithë globin. Deri në vitin 2050, rajonet që do të kenë rritje më të madhe të popullsisë së moshuar janë Evropa, Azia dhe Amerika Veriore, ndërsa shumica e kombeve në Afrikë do të vazhdojnë të kenë një popullsi relativisht të re.

Ndikimi i madh i urbanizmit

Një tregues kyç për të kuptuar zhvendosjet e popullsisë është shkalla e zëvendësimit të lindshmërisë, e cila përfaqëson numrin mesatar të fëmijëve që gratë duhet të kenë për të ruajtur një popullsi të qëndrueshme. Kjo normë është afërsisht 2.1 – dy fëmijë për të zëvendësuar prindërit, plus 0.1 shtesë, pasi jo të gjithë fëmijët mbijetojnë deri në moshën madhore.

Në dhjetëra vende, norma ka rënë nën 1.5, veçanërisht në Evropë dhe Azinë Lindore. Një nga arsyet kryesore të kësaj është urbanizimi i shpejtë. Në vitin 1950, rreth një e treta e njerëzve jetonin në zona urbane, por kjo përqindje pritet të dyfishohet deri në vitin 2050, me rreth 7 miliardë njerëz që do të jetojnë në qytete, shumë prej tyre për mundësi punësimi në një ekonomi globale gjithnjë e më të përqendruar te industria dhe teknologjia.

Tranzicioni i popullsisë./Big Think

Urbanizimi ndikon në dy mënyra kryesore. Së pari, banorët e qyteteve priren të kenë më pak fëmijë për arsye të kostos më të lartë të jetesës, qasjes më të lehtë në kontraceptivë dhe gratë të fokusuara në karrierë, të cilat zgjedhin të heqin dorë ose ta shtyjnë lindjen e fëmijëve. Së dyti, jeta urbane ofron stimuj të ndryshëm: familjet mund të përfitojnë nga pasja e më shumë fëmijëve në zonat rurale, por e njëjta gjë nuk vlen për qytetet. Kjo shpjegon, pjesërisht pse Kina vendosi ta lehtësonte politikën e një fëmije për familjet rurale në vitet 1980.

Urbanizimi gjithashtu priret të ulë shkallën e vdekshmërisë falë pasurisë së shtuar dhe qasjes në kujdesin shëndetësor. Kështu, të rriturit kanë më pak fëmijë, përderisa jetojnë më gjatë. Studiuesit theksuan se “rritja e përqindjes së të moshuarve në një vend mund të ushtrojë më shumë presion ekonomik dhe shoqëror mbi popullsinë në moshë për të punuar, duke ulur më tej normat e lindshmërisë dhe/ose duke i shtyrë lindjet.

Stimulimi i Lindshmërisë

Duke u përballur me një popullsi në plakje dhe të zvogëluar, disa vende tashmë po miratojnë politika për të rritur shkallët e lindshmërisë, duke përfshirë bonuse për foshnjat,” kujdesin e subvencionuar për fëmijët e lejet e paguara të atësisë dhe amësisë.

Nëse këto ndërhyrje rezultojnë të suksesshme, ato mund të çojnë në një fazë të re demografike, të cilën studimi e quan “model i brishtë”; që karakterizohet nga një vdekshmëri e ulët, por me lindshmëri të lartë. Kjo mund të sjellë një popullsi me shumë të rinj dhe shumë të moshuar, por me pak të rritur në moshë për të punuar, e të cilët mund të mbingarkohen.

Studiuesit vërejtën se ndryshimet demografike janë komplekse dhe shumë gjëra mbeten të pasqaruara në lidhje me mënyrën se si faktorë të tillë si urbanizimi do të ndikojnë jo vetëm në nivelet e popullsisë, por edhe në mjedis dhe kushtet socio-ekonomike në mbarë botën.

Për shkak të ritmit të shpejtë të këtyre ndryshimeve, sidomos pasi shkalla e plakjes dhe zvogëlimit të popullsisë mund të jetë nënvlerësuar në statistikat zyrtare, ka nevojë për veprime urgjente” përfundoi studimi.

Artikull i shkruar nga BIG Think. Përkthyer nga Tjetër*

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: