E shtunë, 7 Qershor, 2025

Budallallëku me letërnjoftim: Pse Kurti s’po e sulmon Devollin si oligark?

PolitikëBudallallëku me letërnjoftim: Pse Kurti s'po e sulmon Devollin si oligark?

Më 19 prill, kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla e publikoi në Facebook letërnjoftimin e Shkëlqim Devollit të lëshuar nga Mali i Zi. Më në fund diçka serioze?! Hmmm…

Oligarku po denoncohej si dikush që kishte dokument ku mohohej Republika e Kosovës, e prandaj mohohej edhe gjaku i derdhur për liri”.

Atë postim e shpërndau edhe kryeministri Albin Kurti. Ndërkohë, Sekretari Organizativ i VV-së, Alim Rama, u bëri thirrje të gjithë mbështetësve të VV-së që t’i bojkotonin produktet e Devollit.

600 komente në postimin e Gërvallës. 905 komente në shpërndarjen e Kurtit. 100 komente te Alim Rama.

Shumica dërmuese e këtyre komenteve e ndërtonin një fyerje horroriale ndaj Devollit. Dhe mos na keqkuptoni: ne besojmë fuqishëm se Shkëlqim Devolli është oligark. Por, duhet ta lodhim ngapak trurin e të pyesim në raste si ky: ku është problemi?

Kjo është njësoj sikur hajdutit që t’i ka vjedhë krejt kursimet e tua t’i thuash: “ti s’e don aq shumë Kosovën”.

Rimendojeni se çka ndodhi: po sulmohej Shkëlqim Devolli se e kishte një dokument të nxjerrë në kohën kur Mali i Zi nuk e njihte Kosovën si shtet. Iu publikua letërnjoftimi në Facebook. Po e shkelte gjakun e derdhur për liri – sipas Donika Gërvallës – sepse kishte dokument nga një shtet që s’e njihte Kosovën si shtet kur Kosova s’ishte shtet.

Më e shumta që mund të nxirret prej këtij sulmi nga ana e pushtetit është kjo: Devollët s’e duan me fanatizëm Kosovën; s’janë në gjendje të vdesin për Kosovën.

Kjo logjikë e Kurtit dhe Gërvallës i bën shkelës të gjakut të dëshmorëve krejt ata qytetarë me dokumente të Gjermanisë – që deri para pak kohësh s’i njihte qytetet e Kosovës si të Kosovës. I bën shkelës të ligjit edhe krejt shqiptarët e Kosovës me nënshtetësi të vendeve që s’e kanë njohur Kosovën. Ta zëmë, bukëpjekësi kosovar që jeton e punon në Spanjë dhe ka pasaportë spanjolle ka faj që ky shtet s’e njeh Kosovën. Jo udhëheqësit e shtetit.

Pse s’po i përmendet hajdutit fakti që t’i ka vjedhë kursimet e po i përmendet diçka kaq banale?

Ku mbeti oligarkia?

Qytetari i Kosovës vazhdon të jetë po aq i pashpresë sa më 13 shkurt 2021. Vazhdon të jetë po aq i paperspektivë. Puna e tij vazhdon të jetë po aq shfrytëzuese. Rritja e çmimeve ndërkohë, veç sa po ia rëndon edhe më zi gjendjen.

Qeveria e Kurtit nxiti shpresë të madhe thjesht me rreshtimin e saj kundër oligarkisë. Albin Kurti çka s’tha kundër Devollëve. Por, rreshtimi i saj kundër oligarkisë ishte dhe mbeti thjesht deklarativ.

Nga e thëna në të bërë, del se përnjëmend është një mal i tërë.

Përplasja me Devollët prej kur e morën pushtetin ishte banale. U sulmua në vazhdimësi mungesa e patriotizmit të fuqishëm prej tyre. S’u sulmua kapja e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. S’u sulmua dëmi që po i shkaktonin qytetarit të vendit. U sulmuan se kishin dokumente ku Kosova s’njihej si shtet.

Derisa Devolli thoshte se po i mbante me bukë 15 mijë familje (nganjëherë e ulte numrin në 4 mijë, por s’ka lidhje), Kurti s’lodhej të elaboronte sesi 285 mijë familjeve tjera kosovare po ia rëndonte jetën kjo kompani. Po i akuzonte thjesht që s’ishin patriotë të mëdhenj, siç ndodhi tash dhe siç ndodhi më herët në rastin e dokumenteve të Klan Kosovës.

A harruan përnjëherësh nga pushteti i Kurtit se çfarë dëmesh shkakton një oligark? Hmmm, s’na e merr mendja.

Çka atëherë?

A e mbani mend sesi u mashtrua Kurti nga dy rusët në muajin shkurt? Eh, edhe në ato momente – në një bisedë që besonte se po e bënte me kryeministrin e Letonisë – ai mendjen e kishte te Devollët. Pra, kjo na tregon se prokupimi i tij për ta luftuar oligarkinë është i vërtetë. Ose të paktën, preokupimi me Devollët është i vërtetë.

Pyetja që logjikisht vjen është: pse atëherë s’po i lufton oligarkët si oligarkë?

Janë dy mundësi: 1) Kurti po i shantazhon që të nisin shërbimin ndaj regjimit të tij; 2) Kurti po i sulmon indirekt pushtetarët e Devollëve në gjyqësor, media, ushtri, biznes.

Cilado qoftë e vërteta, kjo është taktikë e një mendje të lodhur që do ta shpie drejt humbjes. Dhe do t’i lërë qytetarët e Kosovës të pambrojtur.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: