Një ditë prej ditësh ma vodhi vëmendjen një shkrim. Ishte i gjithi i mbushur me lajlelule. Fjalët s’e kryenin as funksionin bazë në fjali sepse ishin shndërru në zbukurime koti. Krejt ajo çka shkrimi thoshte mund të përmblidhej kollaj me një fjali të vetme, të shkurtër sa titulli. Por, ja që autorit i duhej gjithë ai sinonimizim sepse vetëm ashtu i gjente përmbushje supremacia mes këtij mileti analfabetësh funksionalë.
Këtu na futet Agim Bahtiri. Ashiqare, Agimi s’e ka hallin që t’i lë përshtypje dikujt me fjalor e me simbolika. Bile, edhe ato fjalë që i di nganjëherë i shqipton dallash kur ngutet. Mirëpo, kryen punë. E kupton se kur thotë diçka e ka përnjëmend, prandaj edhe arrin me shprehë emocion e me qenë bindës. S’merret me lajlelule. S’ka vakt.
Përqeshja e 10 prillit
Po i grahja me gisht teposhtë newsfeed-it në Facebook kur pashë fytyrën e Agim Bahtirit. I ngrati ishte bërë sërish objekt i përqeshjes masive. I qeshur po e përshëndeste dikë. S’po ma rrokte se ku ishte problemi?! Grimasat e fytyrës i kishte të natyrshme për dikë që gëzohet kur e sheh dikë tjetër. S’po bënte ndonjë huqje. As ndonjë keqshqiptim. Asgjë.
Pse po bullizohej?
Arsyeja besoj se qëndron te një pasojë që ka shkaktuar përqeshja masive e bërë tash e mbi një dekadë. Kjo përqeshje është bërë aq histerike sa sot njerëzit janë të predispozuar që të qeshin me Agim Bahtirin edhe kur bën gjestet më të natyrshme e të rëndomta njerëzore. Po e përshëndeste dikë, në këtë rast. Por, në parakuptimet e përqeshësve surrati i Bahtirit po thoshte diçka me të cilën duhej të shkriheshe së qeshuri. “Qysh bre s’pe kupton?! Fundja, pse mos me qeshë? Po qeshin të gjithë.” – mund të thoshte i pasherri bullizues kur i kërkohet me i gjetë arsyet. Prandaj meqë të gjithë po qeshin – mendon ai – duhet me pasë një arsye.
Siç e thamë, këta njerëz janë të predispozuar që të qeshin me Agim Bahtirin. Dhe janë të predispozuar sepse ky personalitet është përqeshur kolektivisht aq brutalisht sa kjo mbërriti masën e dehumanizimit. Shtypeni në YouTube emrin e tij dhe shihni çfarë sugjerimesh iu dalin. Ose kudo tjetër.
Provoni me mendu si qenie njerëzore Agim Bahtirin. Si dikë që të paktën një herë në dhjetë vjet e meriton të trajtohet në mënyrë njerëzore. Dhe pastaj pyeteni veten: s’është trajtimi ndaj tij abuziv? A s’janë trajtuesit abuzivë si nxënës bullizues të fillores?
Eh, këtu duam të dalim.
Anatomia e këtij budallallëku
Shikojeni mirë legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Mund t’i gjeni veç një a dy përfaqësues të shtresës së mesme të ulët. Për varfanjakë, harrojeni. S’ka. Dhe, s’do të ketë as në të renë.
A ka mes nesh njerëz të varfër? Natyrisht se po. Kahmos. Por, qytetarit të Kosovës i është thënë që prej nisjes së këtij tranzicioni të pafundmë socioekonomik që ta përçmojë veten. Dhe ai ka pranuar. Prandaj, kosovari i rëndomtë jo veç që s’mund ta durojë një përfaqësim të situatës së tij socioekonomike, por s’mund ta durojë as përfaqësimin e situatës së tij kulturore. Situatat më të rehatshme për të, janë ato më tëhuajsueset.
Shihni me çfarë shpejtësie të rrufeshme u zhdukën prej rrugëve plisat, kapuçat e zinj dhe teshat tjera të gjyshërve tanë. Me po atë shpejtësi po na zhduket edhe fjalori i tyre. Dhe me po atë shpejtësi do të na zhduket njerëzillëku, duke na lënë si zombi që hanë njëri tjetrin. Snobët do të hedhin valle!
Kjo është perspektivë e rëndësishme për me kuptu (deridiku) trajtimin kolektiv ndaj Agim Bahtirit sepse të shtypurit në Kosovë s’do të përfaqësohen prej personazheve që paraqesin fshatarësinë e varfër në filmat e Kinostudios Shqipëria e Re.
Por, t’i përjashtojmë shtresat e shtypura për një moment. Cili është formimi kulturor i një qytetari të rëndomtë të Kosovës? S’është i afërt me të Albin Kurtit. Është i afërt me formimin kulturor të Agim Bahtirit. Njerëzit i bashkohen përqeshjes kolektive për Agim Bahtirin – janë të predispozuar që ta përqeshin – sepse e njohin intimisht. E bullizojnë Agim Bahtirin sepse kanë përbuzje të thellë për veten. Dhe më besoni, s’po e them këtë gjë me idenë se këta janë të padijshëm ose s’dinë të flasin ose kështu diçka. Po e them sepse kështu është. Bile, edhe Agim Bahtiri e përçmon Agim Bahtirin. Shihni se si shkruan në Facebook. Qartazi, ai e paguan një lajlelul koti për t’i qëndisur statuset e tij.
Dikush mund të thotë: e gjithë kjo përqeshje e gjaaaatë ndaj Agim Bahtirit ndoshta ka thjesht motive partiake. Ka edhe motive partiake. Por, jo veç motive partiake. Glauk Konjufca praktikisht e përqafonte portretin e ndërtuar për Agim Bahtirin nga bullizuesit e tij si njeri të padijshëm kur në Mitrovicë e quajti me tallje akademik.
E gjithë kjo frymë përjashtuese mund të kuptohej deridiku nëse Agim Bahtiri do të ishte senzacion i para dy javëve. Ose hajt, para dy muajve. Por, Agim Bahtiri është në skenën politike qe dymbëdhjetë vjet. Po bullizohet qe dymbëdhjetë vjet.
Qysh ka mundësi që të paktën të mos bëhej bajat krejt kjo?!
Përveç kësaj, a jemi rehat me kulturën dhe edukatën që po përçojmë përmes këtij bullizimi të egër shumëvjeçar? Sidomos me rastet kur s’kemi kurrfarë lënde për përqeshje – a s’rrezikon kjo të na çojë drejt legjitimimit të përqeshjeve të njerëzve për anomali në të folur, për pamje të jashtme etj?