Populli foli.
Por, se çka tha nuk është bash kollaj me u kuptu.
Zgjedhjet e 9 shkurtit na e lanë pas një rezultat… të rrëmujshëm e të pështjelltë. VV-ja as s’e arriti 50 përqindëshin por as s’u zvogëlu aq sa kishte shpresu opozita. Kjo e fundit e mori një rezultat… deridiku dësh-për… deridiku të kënaqsh…
Nejse!
Ajo çka na intereson këtu është rezultati i përplasjes kryesore të këtyre zgjedhjeve: Albin Kurti vs. Mediat opozitare!
Ka shumë pretendime për një gjë të tillë: disa thonë se këto media vetëm sa e dëmtuan opozitën dhe e rritën Kurtin, disa tjerë se ia dolën ta ekspozonin Kurtin me skandale e me prirjet e tij autoritare. E vërteta është ajo që është. Neve na intereson ta kuptojmë se kujt i dha të drejtë populli.
Për me marrë një përgjigje më të informuar u rrasëm në numrat e KQZ-së. I bëmë një lexim tjetër – sepse edhe quhemi TJETËR* – numrave të rezultateve preliminare.
Votuesi që ndërron mendje
Metodologjia – e bazuar vetëm në mendje të shëndoshë, jo në ndonjë teori shkencore – konsiston në përpjekjen për heqjen nga ekuacioni të votave që ndikohen nga sentimente të caktuara. Pra, duam të gjejmë votuesit e luhatshëm.
Nuk mund të dihet se kush e fitoi luftën mes Kurtit dhe mediave nëse vota ka karakter rajonal, etnik apo lokal. Dikush mund të jetë skeptik se kjo mund të bëhet. Fundja, Kosova është e vogël dhe emigracioni i brendshëm është goxha i madh. Por, le ta bëjmë më të mirën që mundemi.
Një mënyrë ilustruese që na ndihmon tepër shumë në përpjekjen tonë është edhe përcaktimi se sa e lëvizshme historikisht ishte kjo votë. Ta zëmë, në Drenicë lëvizja e votës ishte shumë e vogël në të kaluarën. Goxha e vogël ishte edhe në qytete si Deçani. Vota lëviz por vetëm sa i përket partisë së parë edhe në qytete tjera të vogla e në fshatra të vogla të Kosovës. Një gjë të tillë e kuptojmë nëse shohim rezultatet e zgjedhjeve të kaluara: 2021, 2019, 2017 e 2014.
Ku na lë ky kriterium? Te vetëm shtatë qytete të Kosovës, te ato që janë pak më kryesore e pak më të mëdha se të tjerat: Prishtina, Mitrovica, Ferizaji, Gjilani, Prizreni, Peja dhe Gjakova. Nëse s’më besoni, futuni në KQZ dhe e shihni.
Por, duke parë rezultatet nga vendvotimi në vendvotim kuptuam se harta duhej ngushtuar edhe më shumë. Në fakt, për me çrajonalizu e çlokalizu votën, duhej të hiqnim edhe fshatrat nga matja. Duhej pra të përfshinim veç ato qendra votimi që ishin në qytet për me kuptu sa më mirë që ishte e mundur ndikimin e debatit publik në votën e pandikuar nga sentimente tjera të caktuara te votuesit kosovarë.
Ajo çka pamë kur filluam të shihnim veç këto rezultate ishte e mahnitshme. Rezultatet e këtyre qendrave ishin tepër tepër të ngjashme me njëra tjetrën. Një ngjashmëri e tillë në aq shumë lokalitete e thotë me piskamë perceptimin publik.
I numëruam 96 qendra votimi nga 2522 të numëruara në mbarë Kosovën nga KQZ-ja. Por, edhe pse numëruam vetëm 3.8 për qind të qendrave të votimit, ato përmbanin 244 mijë e 332 vota. Pra, 30.5 për qind të votave në totalin e pjesëmarrjes prej 799 mijë e 954 votuesve.
Çka na thonë këto vota?
Duhet thënë se i numëruam vetëm votat e pesë subjekteve politike: VV, LDK, PDK, AAK dhe Koalicioni për Familjen.
Ta fillojmë me Familjen. Ky subjekt nga totali i mori 7991 vota ose 3.27% të këtij totali. Pra, goxha më mirë se rezultati preliminar i KQZ-së për krejt Kosovën.
AAK-ja ka rezultatin më dëshpërues nga të gjithë. Kjo parti në bazë të vetëm këtyre votave s’do ta kalonte pragun. Do t’i merrte vetëm 12 mijë e 98 vota, ose 4.95%.
LDK-ja doli e treta. I mori 48 mijë e 475 vota ose 19.84 për qind. Shumë pak përmbi është PDK-ja me 48 mijë e 572 vota ose 19.88 për qind.
E tash është VV-ja. Kjo parti në këto qendra votimi i mori 127 mijë e 196 vota ose 52.06 për qind.
Kjo është renditja e partive nëse supozojmë se kemi llogaritur pjesën e votuesve më të lëvizshëm të zgjedhjeve të fundit.
Por, a ta bëjmë edhe një dredhim këtu. T’i heqim krejt qytetet e Dukagjinit në matjen tonë (Pejë, Gjakovë dhe Prizren) dhe ta fusim Fushë Kosovën pa fshatra. Ky është rezultati:
VV – 49.95%;
LDK – 21.10%;
PDK – 22.29%;
AAK – 3.12%;
KF – 3.52%;
AAK-ja siç e shihni na bie më poshtë se Familja. E Familja – subjekt që u hap pak para zgjedhjeve – na tregon që… debati publik ka rëndësi te votuesit e luhatshëm.
Shembulli i LDK-së
Ta heqim tash Prishtinën, por ta lëmë Fushë Kosovën.
54.67 për qind i merr VV-ja. 20.75 për qind i merr PDK-ja. 5.71 për qind AAK-ja. 2.75 për qind Familja. Dhe… veç 16.1 për qind LDK-ja.
Por, hajt të themi se përveç kryetar Përparim Ramës ka ndikuar edhe Gazmend Muhaxheri në Pejë. Sa është përqindja e LDK-së pa Pejë e pa Prishtinë, veç me gjashtë qytete tjera (po e lëmë edhe Fushë Kosovën meqë e bëmë zakon)?
Veç 14.002%. Dhe, duhet ta kujtojmë faktin se përqindja do të zvogëlohej edhe më shumë nëse fusim në matje pakicat.
LDK-ja ra në sy më shumë se çdo parti tjetër për investimin që kishte bërë në media. Por, marrë parasysh që ka një përqindje kaq të ulët votuesish sidomos te votuesi i luhatshëm atëherë kjo nënkupton se investimi s’iu shpagua (nëse s’i bëri dëm).
Përveç investimit në media, LDK kishte edhe disa rrethana tjera ndihmuese. E para, s’e kishte rrëzuar Qeverinë si në vitin 2020. Udhëhiqej – jo prej Isa Mustafës – por prej atij që e kishte kundërshtuar atë rrëzim të famshëm. Prej atij që e kishte bërë një program larg më të detajuar e larg më herët se partitë tjera. Dhe, ofroi më shumë figura se PDK-ja. Në anën tjetër, edhe dëmtuesja më e madhe e votës së saj, Vjosa Osmani, kishte pasë përplasje publike me Kurtin.
Por… veç 14 për qind mes votuesve të luhatshëm të qendrave urbane të këtyre gjashtë komunave.
Kush fitoi?
Vota e luhatshme u luhat në këto zgjedhje më së paku në dhjetë vitet e fundit, përkundër që për herë të parë s’kishim zgjedhje të parakohshme. Pra, zgjedhjet i patën katër vjet mes njëra tjetrës duke i dhënë edhe më shumë kohë votuesit të luhatej. Por, ai s’u luhat.
VV-ja humbi vota në qendrat që i numëruam. Dhe në bazë të rezultateve preliminare, veçanërisht e madhe është humbja e votave në Prishtinë, ku aktualisht numëron gati 20 për qind më pak se që i kishte më 2021.
Por, marrë parasysh krejt zhvillimet politike të viteve të fundit kjo është një humbje dërmuese për opozitën dhe mediat ku u mbështetën ato.
Pse? Sepse vota e 14 shkurtit 2021 u ngurtësua.Dhe u ngurtësua veçanërisht në pjesën ku vota është më e luhatshme se çdoherë. Siç mund ta shihni prej votimeve që u bënë nga 2007-a e tutje, vota urbane e shtatë qyteteve kryesore të Kosovës pati luhatje konstante. Përveç më 2025.
Vetëvendosja arriti me konsolidu mbështetjen e saj, dhe tashmë ka kriju bastione nëpër zona urbane ku bastionizimi dukej i pamundshëm: Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë.
Pra, na pëlqeu ose jo duhet me pranu se fitoi Kurti.
Mediat liberale në Amerikë që ishin në mënyrë fanatike kundër Trumpit po rikalibrojnë mbulimin e tij (se si do të raportojnë për të) pasi ky i fitoi zgjedhjet e nëntorit. Të mposhtura në mënyrë poshtëruese prej tij, duket se s’iu ka mbetur tjetër.
Ndoshta është koha të mësohet se çka është rikalibrimi?! Ndoshta.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).