Hoxhallarët në Kosovë janë të mbingarkuar me punë. Një pjesë tepër e madhe kosovarësh i shfrytëzon ata jo veç për me u këshillu për fenë, por edhe si mjekë, mësues jete e bile edhe si makina kërkimore Google a Yahoo.
“Si duhet ta shfrytëzoj kohën gjatë dimrit?”
“A lejohet të dalim në foto me bredhin ose babadimrin?”
“A lejohet për aktorët burra të luajnë rolin e grave?”
“A është e ndaluar të pijmë ujë duke qenë në këmbë?”
“Çfarë duhet të themi kur të veshim rroba të reja?”
“Cilat janë shenjat e hipokrizisë?”
“Nuk po keni bereqet në biznes, cili mund të jetë shkaku?”
E kështu me radhë, deri në ditën e kiametit.
E përveç si Google, fatkeqësisht hoxhallarët po përdoren edhe si psikoterapistë. Dhe kjo është tepër, tepër, tepër e rrezikshme. Në fakt, është aq e rrezikshme sa edhe sikur të thonim gjithë ditën tepër tepër tepër s’do të dilte.
Kësaj radhe jemi marrë me hoxhën më me nam në Kosovë, Dr. Shefqet Krasniqin, dhe trajtimit që ai i bëri dhunës në familje dhe problemeve me shëndetin mendor.
Prapa çdo burri të dhunshëm fshihet një grua me lotë krokodili?
Një rast i rëndë iu lajmërua hoxhë Shefqetit në natën e parë – ose të dytë – të Ramazanit. Një qytetar po i tregonte për zullumet që i bënte në shtëpi babai i tij. Për dhunën në familje që e bënte.
Qe një pjesë e rrëfimit të tij:
“I ka ba zullum nanës, e tashti zullum o tu m’ba mu. Shkon thotë ‘myte veten’. Estakfurullah. Shkon e merr thikën, matet me thikë. Um njekë nëpër shpi. Qe sakat jom. Sakat jom prej kamës. La ilah ilallah. Çdo ramazan. Çdo ni mujë, dy mujë, o tu ba qishtu… Nanës i ka ba zullum prej qi u martue, prej qishtu qe, prej fminie. Edhe qishtu, z’di ni mysliman… ky falet! Falet. I falë pesë vaktet, i falë”.
Kur dëgjon këto, Shefqet Krasniqi e pyet mos ai ka pësu “sulm në tru” ndonjëherë. E më pas e pyet nëse kanë provu t’i japin “barna qetësimi”. Dhe pasi qytetari e mbyll telefonin, ai nis një lundrim të gjatë nëpër këto ujëra të turbullta.
“Kam përvojë bajagi në llojlloj fushash.” – thotë ai, për t’i dhënë vetes kompetencë për spekulimet që do t’i bëjë.
“Plaki mund t’ketë kallabllak arsyesh. Mund t’jetë shkak gjenet e tina. Të trentë e ka pasë babën, apo babgjyshin apo nanën. Dhe i ka ga. I trentë, i trentë. Në kuptimin e plotë të fjalës i trentë. I çmendur. I trentë, pa letra i trentë. Pa letra.” – vazhdon hoxha.
Më pas nis e thotë mos është sëmundje, traumë a lëndim që e ka përjetu gjatë kohës.
Por në fund shkon gjuha ku dhemb dhëmbi. Spekulimet e hoxhës mbërrijnë destinacionin e dëshiruar. Ndoshta, s’është faji i këtij burri dhunues hiç?
“Mund t’jetë – dhe kjo është pak ma e randë – edhe natyra e tina: është i pakënaqun ai me familje dhe me dynja. I pakënaqun…” – spekulon hoxha, dhe ndërton një peizazh familjar ku babai e humbet pushtetin që e kishte dikur.
“Mund t’jetë shkak edhe nana jote krejt. Respektivisht gruja e tina. Dhe kjo ndodh shpesh. Gruja mund t’jetë shkak.” – thotë ai dhe i çon duart lart në kuptimin “zot ruana”.
“Atij i vjen keq me kallëzu. Nana nuk kallëzon. Ai pastaj reflekton. Kështuqë djali duhet me studiu pak gjendjen e prindit. Mu munu me kqyrë pak me ble. Jo me ja majtë krahin veç nanës. Po duhet me ja majtë krahin edhe babës… respektivisht me kqyrë drejtësinë… nuk do t’thotë qi krejt mu dhanë mas nanës – qysh jepen shumica e djemve e çikave – e babën ta qesim qatje. Kjo punë osht duke u pa, ky zaman.”
TJETËR* është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
Fajësimet s’ndalen këtu.
“Për ata shumë pleq n’kohë t’sodit… shumë pleq n’kohë t’sotit vuajnë psiqikisht, kanë presion… t’brendshëm psiqik shkak i sjelljeve jokorrekte, jo të mira të djemve dhe çikave karshi tina…”
Mos po vdesin edhe nëpër motele për këtë shkak të moshuarit tanë? – mund ta pyeste dikush hoxhën në këtë moment. Nejse, s’e pyeti sepse veç ai kishte të drejtë të fliste.
“Ata e dinë, edhe ky e din, tanë e dinë që nana nuk osht qaq lule e kuqe nana. Ajo mund t’jetë gojë-omël dhe i qet lotë… po lotë qet edhe krokodili…”
Krejt në fund, hoxha megjithatë jep leje që për rastin në fjalë të përdoren barna në konsultim me psikiatrin.
Megjithëse mund të jetë dashamirës, hoxha s’duket shumë i preokupuar me dhunën në familje që ishte përshkruar nga telefonuesi. Me ndjekjen me thikë. Me urimin e babait që djali i tij ‘ta mbyste veten’.
Haram me qitë veten në depresion
Ka ilustrim edhe më të mirë për botëkuptimet e hoxhës mbi shëndetin mendor.
Në një tjetër rast, hoxha Shefqet pyetet “kam rënë në depresion, si të dalë nga kjo gjendje?” Fatkeqësisht, hoxhë Krasniqi dështon që ta referojë për ndihmë profesionale. Për më keq, ai dëshmon injorancë të plotë në lidhje me depresionin nga i cili vuajnë 280 milionë njerëz në botë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
“Njeriu nuk bon fetarisht me qitë vetëveten në depresion,” – thotë ai. Pra, njeriu e qet veten në depresion sipas botëkuptimeve të hoxhës së nderuar.
Por, ai s’ndalet këtu. Ai nis t’i stigmatizojë e t’i përçmojë personat me depresion derisa spekulon edhe mbi arsyet.
“S’din me keshë. S’din me folë. S’din me nejtë. Veç rrin mshelë. Mbyllun. S’flet me kërkon. Ose veç kanë. Pse? Kur t’ia këqyrsh zanafillën e ka pasë një dështim n’martesë, një dështim n’fejesë, një dështim në ndonjë sukses t’vetin…”
Më shumë se 700 mijë njerëz në vit bëjnë vetëvrasje sipas OBSh-së. Rastet duket se po rriten edhe në Kosovë, megjithëse mungojnë shifrat që e dëshmojnë një gjë tillë. Së fundmi, në vend kishte një iniciativë për një Projektligj për Parandalimin e Vetëvrasjeve.
Trajtimi i rasteve kaq të rënda me një lehtësi kaq të madhe nga hoxha i nderuar – ashtu si plot hoxhallarë tjerë – është tepër tepër tepër i rrezikshëm.
Pavarësisht dashamirësisë së hoxhës, mungesa e zotësisë profesionale të tij mund ta bëjë dallimin që një person me probleme të shëndetit mendor të ndërmarrë ose jo veprim të pakthyeshëm jetësor.
TJETËR* është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).