Shkruan: Gazmend Demolli
Marr shpesh një shembull ilustrues nga një aforizëm: kur qethen dështë, tregohen më agresivë dhe fillojnë të përleshen mes veti, sepse mendojnë se tjetri ka rënë zajftë pasi i qethur duket më i vogël, dhe kështu e hajnë në sy shoqi-shojnë, e nuk e shohin veten në deregjën që janë.
Që moti e kemi thënë se vendet e rezervuara për komunitete mundësojnë defunksionalizimin dhe bllokimin e shtetit, por asnjëherë nuk ka qenë kaq evidente sa sot. Nëntë votat e Listës që nuk e njeh shtetin dhe nuk e do formimin e institucioneve qëndrojnë pikërisht në mes të dy taborreve politike, duke mos i lënë asnjërës palë, dhe veçanërisht palës fituese, mundësinë të formojë institucionet.
Përkundër përpjekjeve të Kurtit për të ofruar koalicion LDK-së, lidershipi i saj refuzon të takohet për diskutim, e jo më të bashkëpunojë për qeverinë e vendit.
Tash shihet qartë se mundësia e vetme e mbetur është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, me shpresë që situata të ndryshojë në njërën apo tjetrën anë dhe të mundësohet krijimi i qeverisë. Edhe konfirmimi i gjendjes aktuale do të ishte një sinjal në vetvete.
Por çfarë mund të ndryshojë në një periudhë kaq të shkurtër? Shumë gjëra.
-
Bedri Hamza sigurisht nuk do të rikandidohej
Hamza e la mandatin e deputetit për t’u rikthyer në punë në Mitrovicë, që lë të kuptohet se ai do të garojë përsëri për kryetar të komunës. Duke qenë se zgjedhjet për komunat po afrohen shumë shpejt, nuk do të ketë hapësirë të mjaftueshme kohore për të zhvilluar të dy fushatat.
Kjo lë një zbrazëti që do të duhet të mbushet me një kandidat tjetër, i cili nuk është kandidat për ndonjë komunë të madhe. PDK-ja ka mjaft emra, por ndërtimi i pranueshmërisë së një kandidati kërkon kohë, dhe gara me kandidatë që në zgjedhjet e kaluara nuk kanë arritur një numër të madh votash mund të jetë kokëçarëse.
-
As kryetarët e tjerë nuk do të jenë në lista
Kjo vlen edhe për kryetarët e tjerë në listat e LDK-së dhe PDK-së; secili do të ketë arsye për të thënë se nuk mund të rrezikojë komunën në këtë hapësirë kohore.
Kjo i lë partitë pa ndihmën logjistike të strukturave komunale në mobilizim, ose së paku i zvogëlon ato, dhe listat pa këta emra të mëdhenj mund të duken pak më juniore.
-
Aleancat AAK/NISMA dhe AKR/Familja
Vazhdimi i aleancave partiake është një pikëpyetje e madhe. Megjithëse pragmatizmi i Haradinajt dhe Limajt mund t’i bëjë të harrojnë përçarjet dhe fjalët e kësaj periudhe, diçka do të ndryshojë. Si mund të mobilizojnë kualitativisht kandidatë nga anët e tjera të Kosovës, kur është dëshmuar sa kandidatë kanë potencial për të fituar dhe sa prej tyre vijnë nga Deçani e Malisheva? Në rast të mospëlqimit për të shkuar së bashku në aleancë, pragu zgjedhor mund të jetë shumë i lartë për ta.
AKR-ja dhe “Familja” ishin një aleancë e zorit dhe arritën sukses në disa komuna, por potenciali i dobët i listës nuk do të jetë mjaftueshëm tërheqës për AKR-në, e cila mund edhe të tërhiqet nga gara.
-
Kapaciteti për të propozuar lista kualitative
Nga lista e LDK-së, 90 veta nuk kanë marrë mandat, po ashtu gati gjysma e PDK-së. Një pjesë e madhe e tyre mund të mos pranojnë të hyjnë përsëri në garë, dhe nëse pranojnë, do të investohen shumë më pak se herë të tjera.
PDK poashtu do të ketë një vështirësi tjetër që lidhet me disbalancin regjionale që ka baza elektorale e saj. Te jesh kandidat nga Gjilani e Kamenica për PDK është altruizëm i sojit superior.
VV-ja, nga ana tjetër, mund të jetë më tërheqëse për kandidatë të rinj sepse, megjithëse duhet një numër më i madh votash për të marrë mandatin, prapë probabiliteti është më i madh.
-
Diskursi nuk do të jetë fitimtar
Kur del me 20 ulëse të fituara, është pak e vështirë të pretendosh se do t’i fitosh zgjedhjet. Diskursi parazgjedhor ndryshon dhe analiza e komentuesve po ashtu. Do të flitet që në fillim me një ton pak më të moderuar, i cili është më pak mobilizues. Si mund të premtohet dielli e hëna kur nuk i ke numrat?
Si do t’u thuash njerëzve që do rrisësh rrogat javën e parë, kur ata e dinë që është premtim i zbrazët? Shumë gjëra relativizohen. Do të jetë një betejë fotografish që nuk do t’i shikojë shumëkush.
Dhe ajo pyetje që secili gazetar, analist e opinionist do t’ua bëjë pa pushim: “Me kë do të bësh qeverinë?”
-
Do të jetë më e vështirë të manipulohet me votat e diasporës
LDK-ja dhe të tjerët nuk duhet ta mendojnë se do të kalojnë lehtë, asnjë manipulim me vota. Njëherë u bë “Hoxha Viq”. Edhe në Drenicë mund të ketë vëzhgues më shumë. Këto manipulime kanë devijuar së paku një ulëse, dhe një ulëse në këtë ngerç politik do të thotë shumë.
-
Partitë opozitare serbe mund të bëjnë koalicion
Nuk jam i sigurt se sa është e mundur kjo, por nuk është larg mendsh që minoriteti serb ta lërë Listën “Srpska” me 7–8 ulëse. Por edhe e kundërta vlen: mund të ketë një mobilizim të kundërt që e pamundëson ulësen për Rashiqin.
-
Nuk ka muaj të mjaltit
Votuesi ka shumë pyetje dhe kërkesa që lidhen me jetën e tyre të përditshme dhe janë të mllefosur me politikanët, të cilët fokusin e kanë te partia dhe shpesh nuk mendojnë për nevojat e njerëzve. Ata do të jenë shumë të vëmendshëm për të dëgjuar propozime konkrete për probleme konkrete.
—–
Lista nuk mëton të jetë e plotë dhe gjithpërfshirëse, ka shumë gjëra tjera që do të ndryshojnë, këndej apo andej do të varet nga shumë faktorë shpesh kundërthënës. POr populli e di. Dhe ka shumë qef t’i zgjidhë këto probleme