Edi Rama e fitoi mandatin e katërt rresht për me udhëheq me Shqipërinë. Kryeopozitar do ta ketë 80-vjeçarin Sali Berisha. Këta dy së bashku i morën gati 80 për qind të votave. Rilegjitimimi i një polarizimi ideologjikisht shterp mes këtyre dy figurave me shumë gjasë ka frustruar plot shqiptarë në Shqipëri. Por, ky frustrim s’e besoj që ka qenë më i madh se në Kosovë.
Si ka mundësi që demokracia e Shqipërisë, këtij vendi me një moshë mesatare relativisht të re, të jetë kaq joprodhuese?! Si është e mundur që krejt ato dinamika socio-ekonomike e socio-kulturore s’arrijnë kurrqysh të përvidhen në politikën qendrore?!
Kosova s’do ta duronte një gjë të tillë. Shterpësia e demokracisë këtu manifestohet paksa më ndryshe. Ndasia mes palëve – po aq shterpe ideologjikisht e qe besa edhe politikisht – aktualisht po e pamundëson materializimin e vullnetit popullor të 9 shkurtit. Edhe në Kosovë jetojmë nën tiraninë ngulfatëse të polarizimit politik. Një polarizim që na vjen prej një dikotomie me frymëzim fetar mes të mirit absolut dhe të keqit absolut. Sipas palëve, gjithmonë. Por, s’rreshtim së kërkuari figura të reja.
Tash për tash, gjallojmë nën pushtetin e një politikani relativisht të ri si Albin Kurti që dikur të linte përshtypjen sikur i kuptonte telashet shumështresore të shoqërisë. Pas pesë vitesh në pushtet, ai duket i rraskapitur, i hutuar e i vjetër. S’po ia del kurrqysh t’i japë rrjedhë metanarrativës së tij përmes të cilës dikur shpjegonte edhe ngjarjet më minore në shoqëri. As nuk po provon me radikalizu luftën ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim nënshtrimin e plotë/shkatërrimin e tyre, e as nuk po provon me bisedu për me arritë kompromis. Fundja, duke marrë parasysh hutinë e madhe të tij është e logjikshme se e vetmja situatë e volitshme për të është kjo bllokadë. Siç thoshte dikur, pushteti duhej marrë dhe duhej mbajtur përmes situatash të jashtëzakonshme.
Në këtë drejtim, tregimet për demokracinë e Shqipërisë dhe të Kosovës – sado të ndryshme që duken – mund të kuptohen edhe si komplementare. Krejt ato zhvillime politike, ekonomike e sociale të 12 viteve të fundit në Shqipëri u orientuan kah rikthimi në të njëjtën pikë: Edi Rama kryeministër, Sali Berisha kryeopozitar (bile, para 12 viteve ai dha dorëheqje si kryetar partie duke ia hapë një deriçkë të vogël ndryshimit që s’ndodhi). Demokracia e Kosovës, ndërkohë, përkundër mungesës së zhvillimeve domethënëse politike, sociale e ekonomike është e orientuar kah ndryshimi i figurave. Prandaj, edhe ka mundësi që irritimi i kosovarëve me Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri është më i madh se ai i shqiptarëve në Shqipëri. S’mund t’i elaborojmë mirë hallet tona, por të paktën e kemi impulsin që t’i ndërrojmë përfaqësuesit politikë në majë të majës.
Natyrisht, është edhe objektivisht gërditëse që t’i mbash dy figurat e njëjta në rolet kyçe pas aq shumë zhvillimesh domethënëse. Por, e gërditshme është edhe kur i ndërron rolet e figurave kyçe veç hajt ndërkohë që s’ke mendim për problemet kryesore shoqërore.
Sot, Albin Kurti po kërkon rikrijimin e 14 shkurtit të vitit 2021. Sharjet e ofshamat e tij ndaj liderëve të opozitës ishin kukama për mungesën e kundërshtarëve politikë që i jepnin legjitimitetin e dikurshëm. “Ku është Hashim Thaçi? Ku është Kadri Veseli?” “Ku është Isa Mustafa?” Ndihej keq, sinqerisht keq, që ishte në një garë me Bedri Hamzën e Lumir Abdixhikun. I konsideronte të padenjë, dhe prandaj i fyente me një arrogancë prej despoti. Pasi e kishte prezantu një program qesharakisht joambicioz për Kosovën e katër viteve të ardhshme, Kurti haptas gjatë fushatës e sulmoi ambicien e kundërshtarëve të tij. I pengonte që dikush mendonte se mund të bëhej diçka më shumë për Kosovën. Kërkonte thjesht 14 shkurtin. Ngrirjen e situatës së atëhershme.
Pse?
Sepse ai e kupton mirë që demokracia e Kosovës është vazhdimisht në kërkim të figurave të reja. Me një kryeneçësi të pabesueshme ai refuzoi që qoftë edhe për të mirën e tij të ndërronte ndonjë ministër gjatë katër viteve në qeverisje. Nja dy i dhanë dorëheqje. Një tjetër pasi u largua u kthye përsëri pasi e la Kurtin të priste tre muaj për të. Të gjithë punuan mirë, barazisht. Askush s’mund t’i zëvendësonte. Mësohuni me këta njerëz. S’bën të ndërrohen figurat. Kështu thotë rebelimi i Kurtit kundër impulsit demokratik të shoqërisë tonë. Impuls që edhe i dha pushtetin.
E bash ky rebelim e ndërtoi këtë situatë absurde në të cilën ndodhet vendi. Teorikisht, Kosova mund të mbërrijë në vitin 2030 apo 3030 duke provu me zgjedhë kryekuvendarin. Praktikisht, ashtu siç po e sulmon atë impuls demokracie të shoqërisë tonë, Kurti po e sulmon edhe vullnetin qytetar që s’i besoi për me qeverisë i vetëm. Pasi i shau si fëmijë inatxhi natën e 9 shkurtit rivalët me të cilët i duhej të ndërtonte shumicën e re, ai tash e 17 herë po provon ta bëjë kryekuvendare njërën prej figurave më të vjetra e të pluhurosura të partisë së tij.
Qëllimi është përmbysja e atij impulsi. Normalizimi i një gjendjeje ku s’ndërron asgjë. E ku s’ndërrojnë as figurat politike. Normalizimi i një gjendjeje ku qytetari s’pret asgjë nga të zgjedhurit e tij. Normalizimi i pafuqisë e dëshpërimit. Normalizimi i depolitizimit.
A mund të ketë sukses? Natyrisht që po. Shumë shpejt mund të na duket absurde dhe e papërgjegjshme qysh i ndërruam 19 kryetarë komunash për një ditë më 2013. Apo edhe votimi i vitit 2014 ku i dhamë ish-partive opozitare (VLAN) mbi 60 për qind të votave. Apo, edhe votimi i vitit 2019 kur dy ish-partitë opozitare (LDK, VV) i renditëm në dy vendet e para. Apo, edhe votimi i vitit 2021 kur partisë pa përvojë në qeverisje (VV) i dhamë 50.2 për qind dhe i thamë “qeveris e vetme”.
Edi Rama e Sali Berisha mund të jenë shembujt që do t’i ndjekim. Edhe Kurti do t’i fitojë nja shtatë a tetë mandate. Edhe Memli e Lumiri e Ramushi do të jenë aty derisa vdekja t’i ndajë prej tij. Dhe po, vetëm biologjia do ta ketë një farë roli në ndryshimin e figurave.