Ta themi troç: ato na kallëzuan se klientelizmi është rruga drejt suksesit në zgjedhje.
Nga 28 komuna shqiptare, në 24 fituan ata që ishin kryetarë. Pavarësisht që asnjë komunë nuk po sheh ndonjë projekt transformues a zhvillim që do të na linte gojëhapur, suksesi i këtyre kryetarëve në zgjedhje s’ndalet. Madje, zgjedhjet i fitoi edhe Ramiz Lladrovci pa parti fare. E madje, i fitoi fare pa balotazh edhe Nisma në Malishevë.
Krejt këto fitore të kryetarëve në detyrë besoj se erdhën si rrjedhojë e investimeve klienteliste, punësimeve klienteliste apo si rezultat i një raporti të korruptuar mes strukturave të pushtetit komunal dhe qytetarëve të rëndomtë.
Në katër komunat e vetme ku pati ndërrim kryetari po ashtu s’gjejmë indikacione që tregojnë se kemi të bëjmë përjashtim nga rregulli. Në dy prej tyre (Kaçanik dhe Mitrovicë), PDK-ja i ndërroi kandidatët për kryetarë. Kaçanikun e fitoi, Mitrovicën e humbi për pak shkaku i një invazioni të diskursit nacional nga Albin Kurti që donte të ndërtonte një farë simbolike.
Ndërsa, në dy komunat tjera fituan dy kandidatët më të përfolur për punësime në vitet e fundit. I pari, Halil Thaçi në Obiliq. Dhe i dyti, Valon Prebreza në Fushë Kosovë.
Parë nga kjo perspektivë, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale na u vodhën. Prej të gjithë atyre që i fituan ato. VV-së, LDK-së, PDK-së e AAK-së.
S’është e mundur që në asnjë komunë të mos ketë qytetarë që duan kandidatë me ide transformuese. Që në 24 prej 28 komunave janë të kënaqur me atë që iu është ofruar.
Klientelizmi është normalizuar aq shumë sa s’i bën përshtypje askujt për kurrfarë skandali të këtij lloji më. Thjesht duan të aviten e të përfitojnë. Por, ky është dhe do të mbetet përjetë e mot korrupsion. Pavarësisht sa e gjerë të bëhet shkalla e përfshirjes së njerëzve në të.
Në tjetrën anë, ndërkohë, kemi një normalizim edhe të kërdisë që po e ushtrojnë profilet e rrejshme në rrjete sociale. E vetmja hapësirë e mbetur për qytetarin jashtë klientelës po shndërrohet në dhomë torture për të. Ose bëhu me ne, ose të torturojmë.
Ndërkohë, përveç që s’kemi kandidatë me ide transformative që fitojnë, s’do ta kemi asnjë grua për kryetare. Madje, s’e patëm asnjë në balotazh. Është viti 2025.
Çka ka Smajl Latifaj? Gazmend Muhaxheri? Shpejtim Bulliqi? Kadri Rahimaj? Shaqir Totaj? Kurrgjë hiç s’kanë. Ashtu si krejt të tjerët – pa e përjashtuar asnjërin – janë agjentë të staus quo-së. Agjentë të mos-ndryshimit.
Mos e harroni një gjë: nëse nuk shohim përpara drejt forcimit të demokracisë, fuqizimit të diversitetit e pluralizmit, atëherë po i japim leje kalbjes së lirive dhe të drejtave tona politike. E këto zgjedhje lokale ishin një hap i madh drejt asaj kalbjeje.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).