Richard Grenelli është ndoshta lidhja më e fortë e Kosovës me Donald Trumpin. Grenelli është militant i flaktë i presidentit amerikan dhe merret shpesh me vendin tonë shkaku i rolit që kishte në vitin 2020. Por, edhe shkaku se kryeministri Kurti i është bërë halë në sy.
Mund të mos e pranojmë, por të gjithë kemi frikë mos edhe Trumpit do t’i bëhet Kurti halë në sy. Një i deklaruar si i majtë që i ka dalë kundër Amerikës në plot raste ndodh që edhe provokon shpërthim të jashtëzakonshëm te presidenti i Amerikës. Shpresa jonë e madhe është se jemi vend aq i vogël sa ndoshta edhe s’gjen kohë të merret me neve.
Por, nëse rastësisht vendos të merret me Kosovën atëherë e dimë se kush e ka ushqy me informacione… ose dezinformacion. Është Grenelli.
Çka na thonë fjalët e tij ditëve të fundit?
1.
Pas përplasjes së tmerrshme që ndodhi dje mes Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë, Grenelli e bëri një fyerje të rëndë ndaj këtij të fundit.
“Zelensky është për Ukrainën ajo çka është Meghan Markle për Mbretërinë e Bashkuar.” – shkroi ai në X.
. @ZelenskyyUa is to Ukraine what Meghan Markle is to the UK.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) March 1, 2025
Markle është gruaja e Princit Harry dhe një personazh i botës së showbizit që përçmohet thellë prej konservatorëve. Për kontekst kjo mund të përkthehet edhe si “Zelensky është për Ukrainën ajo çka është Linda Morina për Kosovën”.
Një poshtërim aq i rëndë e vulgar ndaj një presidenti sa mundet me u pritë veç prej një militanti të cilit i është shpëla krejtësisht truri.
2.
Pasi ndodhi ajo përplasje e tmerrshme në Shtëpinë e Bardhë, Kaja Kallas – pasueseja e Josep Borrellit si kryediplomate e BE-së – i dha mbështetje Ukrainës.
“Sot, na është bërë e qartë se bota e re ka nevojë për lider të ri. Na ka mbetë neve, evropianëve, që t’i grahim punës,” – tha ajo.
Kaja Kallas calls for Regime Change in America.
Yikes for Kaja Kallas. https://t.co/9jpyJHoYWr
— Richard Grenell (@RichardGrenell) March 1, 2025
Çka tha Grenelli?
Si një person i radikalizuar rëndë, ai i interpretoi këto fjalë nga shefja e politikës së jashtme evropiane si “kërkesë për ndryshim regjimi” në Amerikë.” Pra, si kërkesë që ajo po e shtronte kinse për ta rrëzu Trumpin nga pushteti. Për t’i bërë puç.
Në një kohë të tensioneve politike e tregtare mes ShBA-ve dhe BE-së, këto fjalë janë të rrezikshme. Janë fjalë të një radikali.
3.
Dhe në fund diçka për lirinë e mediave që të raportojnë të lira.
Autoritarizmi i Trumpit tashmë shfaqet ashiqare. Dhe një gjë të tillë e shohim edhe te një postim i Grenellit.
Një gazetar me emrin David Enrich po shkruante se po ndodhnin trazira te Zëri i Amerikës. Gazetarët po përballeshin me hetime nëse bënin komente kritike ndaj Trrumpit.
“Një prej gazetarëve kryesorë u pezullu prej pune pasi një njeri i afërt me Trumpin e quajti tradhtar.” – alarmonte ai.
Çka bëri Grenelli?
Postimin më të turpshëm që mund ta bëj një politikan në një vend demokrat. Ai justifikoi atë veprim autoritar dhe kërkoi që Zëri i Amerikës të çonte përpara thjesht politikën zyrtare të ShBA-ve meqë paguhej nga taksapaguesit amerikanë.
“Nëse stafi i Zërit të Amerikës s’mundet me shty politikën zyrtare të Amerikës atëherë duhet me u largu prej pune… duhet me gjetë punë tjetërkund.” – tha Grenelli.
Voice of America is a U.S. taxpayer funded tool to push U.S. policies.
The United States President is Donald Trump and his polices were voted for by the American people.
If VOA staffers can’t push official U.S. policy then they should be fired.
They aren’t independent… https://t.co/SnRUHCOXrB
— Richard Grenell (@RichardGrenell) March 1, 2025
Pra, nëse nuk e çon përpara atë që e thotë Trumpi ose e kritikon Trumpin… je i pushuar nga puna.
Imagjinoni sikur të bënte thirrje dikush në Kosovë haptas që RTK-ja të mos kishte asnjë lajm kritik ndaj kryeministrit Kurti? Ose në të kaluarën ndaj Haradinajt, Thaçit, Mustafës apo kujtdo që ishte në pushtet? Eh, kaq keq është puna.