Sot gjatë ditës, gazetarja Saranda Ramaj e publikoi një status në Facebook në të cilin shkruante për një debat të një niveli të tmerrshëm që kishte ndodhur në komunën e Shtimes.
“Kryetari i Shtimes e imitonte të folmen e asamblistit, duke përdorur kryesisht fjalë me ngjyrime rajonaliste. Arrogancë dhe ofendime pa asnjë nevojë. Pra, kryetari i një komune të vogël po përqeshte rajonalizmat e bashkëqytetarit të tij,” – shkroi ajo.
Po ashtu, tregoi edhe për fyerjen e asamblistit ndaj kryetarit. I pari e ‘diagnostikonte të dytin si “të sëmurë mendor”.
Provuam me gjetë atë farë debati, dhe ia dolëm. Ishte në profilin e Komunës respektive në Facebook. Debati kishte ndodhë më 27 janar dhe ishte vërtet tmerrues.
Kryetari Qemajl Aliu i thotë asamblistit se kishte fjalor të dobët. Në fakt, ajo çka mendonte s’ishte fjalori por e folmja e tij. Theksi. Mënyra e të folurit.
“U ka; S’u ka; Po rre; Po vjedhë,” thotë ai derisa e shtrembëron fytyrën. Në një moment ai e quan edhe ‘bastard’ asamblistin.
Shihni videon e mëposhtme:
Me aq sa kuptuam po debatohej për buxhetin. Dhe kishte akuza e kundërakuza të zakonshme.
Por, pse duhej fyer mënyrën se si flet dikush? Viktimë tjetër e një bullizimi të tillë ndaj të folmes është edhe bashkëpartiaku i tij, Agim Bahtiri, që ishte kryetar i Mitrovicës. Si ndihet Agim Bahtiri kur sheh një bashkëpartiak derisa bën fyerje të njëjta me ato që e lëndojnë atë?
Në anën tjetër, asamblisti – që nga fjalët e kryetarit del se është edhe mjek – i thotë këtij të fundit se ka probleme mendore. Një cilësim tjetër i papranueshëm që lëndon të gjithë ata që kanë përnjëmend probleme me shëndetin mendor.
Duket se… ajo që ndodhë në Prishtinë s’mbetet në Prishtinë. E keqja përhapet shpejt gjithandej!
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).