E shtunë, 20 Qershor, 2026

Çmenduria e Donald Trumpit

PolitikëÇmenduria e Donald Trumpit

 

Para më shumë se pesëqind vitesh, Makiavelli, filozofi i praktikimit të politikës dhe republikanizmit modern, tha në “Diskurset për Livyn” që “me raste është gjë e mençur të bëhesh sikur je budallë.” Presidenti Riçard Nikson, sipas shefit të stafit të tij H. R. Haldeman, mesa duket arriti në një konkluzion të ngjashëm, duke thënë: “E quaj Teoria e Budallës*, Bob. Dua që Vietnamezët e Veriut të besojnë se kam arritur pikën kur mund të bëj gjithçka për ta ndalur luftën. Veç duhet ta pëshpërisim këtë gjë te ta, e t’iu themi ‘pasha zotin, ju e dini se Niksoni e ka obsesion komunizmin. S’mund ta ndalim kur nervozohet – e pullën e armëve nukleare e ka në dorë – dhe Ho Chi Minhi vjen vetë në Paris për dy ditë duke na lutë për paqe.”

Të martën, Presidenti Trump na u shfaq nga Shtëpia e Bardhë përkrah kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe deklaroi se dy milionë palestinezët që jetonin në Gazë duhej të largoheshin prej aty. Amerika do ta “merrte kontrollin e Gazës dhe do të bëhej “pronare” e saj. Palestinezës, që i vajtuan dhjetëra mijëra njerëz të vrarë dhe përjetuan shkatërrimin e shtëpive, shkollave, xhamive e spitaleve të panumërta, duket se s’iu lejohet të thonë diçka dhe thjesht do të dërgohen… tjetërkah. Egjipt. Jordani. S’ka lidhje ku. Dhe dukej se s’kishte lidhje ku as për Trumpin që s’e kuptonte se kjo politikë përbën spastrim etnik. Morali s’ka kurrfarë rëndësie kur vjen puna te një biznes patundshmërie.

E kemi mundësinë me bo diçka fenomenale, dhe s’po du me u kallxu aaah kush jam unë, aaah sa i mençëm jam unë, ama Riviera e Lindjes t’Mesme – kjo mundet me u ba diçka që mundet me u ba – mundet me qenë mrekulli,”  – tha Trumpi. (Rivierë quajmë: “Vendin me diell për njerëz të territ,” siç e ka thënë W. Somerset Maugham). “Kemi me u siguru që (riviera) ka me u bo e klasit botëror,” – vazhdoi Trumpi të fliste si një biznesmen i patundshmërive. Më herët kishte theksuar edhe që, “S’është e thënë me qenë një zonë, por i merrni do zona të caktuara dhe aty ndërtoni shtëpi të cilësisë së lartë, e bëni si një qytet të bukur, si një farë vendi ku jetohet e nuk vdiset, sepse Gaza (siç është tash) është garanci që kanë me vdekë.”

Netanjahu e shprehu besimin që plani do ta lehtësonte “paqen me Arabinë Saudite dhe vendet tjera.” Sauditët e lëshuan një komunikatë zyrtare duke e refuzuar propozimin e Trumpit, por lakeu më i ri i tij e bëri atë që pritej: Sekretari i Shtetit Marco Rubio shkroi se “Shtetet e Bashkuara ishin gati ta Bënin Gazën të Bukur Përsëri.

Derisa Trumpi fliste, Netanjahu s’arriti ta mposhte tundimin për ta bërë një buzëqeshje aq të madhe sa duhet t’i ketë shkaktuar dhimbje pas një farë kohe. Ai as s’mund të kishte imagjinu dhuratë më të mirë nga Presidenti i Amerikës e as mbulim më të mirë politik për veten në Izrael. Mirënjohja e tij ishte e pafundme, dhe e dinte se i duhej të mos kursehej me lajka. “E kam thënë më parë, e po e them përsëri: ju jeni miku më i madh që Izraeli e ka pasë ndonjëherën ë Shtëpinë e Bardhë,” – i tha ai Trumpit para kamerave. “Unë besoj, zoti President, që gatishmëria juaj për me ça ngujimin e të menduarit të zakontë, një lloj i të menduarit që ka dështu vazhdimisht, gatishmëria juaj për me mendu pazakonshëm e për me shpikë ide të reja, do të na ndihmojë në arritjen e krejt këtyre qëllimeve.”

Kryetifozët e Netanjahut në mediat e Izraelit, të tillë si Amit Segal i Channel 12, u kënaqën me atë lajm, ndërsa Itamar Ben-Gvir, një prej liderëve të krahut aneksionist në politikën izraelite, shkroi, “Donald, ky duket se është fillimi i një miqësie të bukur,” Amos Hareli, një gazetar dhe reporter i respektuar i Haaretz-it, një gazete liberale, më tha, “E djathta këtu është në eufori. S’ka qysh me kuptu çka po ndodhë. Ndoshta Trumpi është edhe më deluzional se që kam mendu. Ai ka më shumë energji se Bideni ama… wow.”

Kjo s’është e para herë që familja Trump, e cila ka bërë investime të mëdha financiare në Lindje të Mesme viteve të fundit, e ka mendu Gazën nga prizmi i potencialit të saj turistik. Në shkurtin e vitit të kaluar, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, kishte thënë me një intervistë te Universiteti i Harvardit se “bregdeti i Gazës mund të jetë tepër i vlefshëm… e po të isha Izraeli do të bëja gjithçka që t’i hiqja njerëzit prej aty dhe më pas ta pastroja.” Kushneri është tërhequr prej politikës, dhe po qëndron në Miami për momentin, por ai e sheh veten si një farë grand-strategjisti për Lindjen e Mesme. Aty në Harvard, ai kishte thënë se “njohja proaktive” e një shteti palestinez do të ishte “ide super-e-keqe”.

Pasi e shikova Trumpin me Netanjahun, fola me Mkhaimar Abusadan, politolog në Universitetin Al-Azhar në Gazë, që sivjet ka dhënë mësim në Universitetin Northwestern. “U trishtova, njeri,” – më tha. “S’e di çka mundet me ndodhë, por e di që palestinezët janë kundër kësaj gjëje dhe më parë kishin me jetu në tenda mes gërmadhave të shtëpive se me u largu. Dhe krejt e dimë që shtetet fqinje, Egjipti e Jordania, i kanë thënë jo kësaj ideje.” Mbret Abdullahu i Dytë i Jordanisë, dhe Presidenti Abdel Fattah El-Sisi i Egjiptit, e shohin rritjen e popullësisë palestineze në shtetet e tyre si kërcënim politik e demografik për regjimet që i udhëheqin. Po ashtu, megjithëse të dyja këto vende kanë moti traktate paqeje me Izraelin, nuk është e sigurtë se propozimi i Trumpit e ajo kënaqësi e Netanjahut nuk do t’i dëmtojë ato marrëveshje.

Aaron David Miller, diplomat me përvojë dhe analist i Lindjes së Mesme, më tha se “po i eksplodonte koka” derisa e shihte Trumpin. “Për njëzet e shtatë vjet pune me Demokratë e Republikanë, kurrë s’kam parë një konferencë për media si kjo,” më tha ai.

Milleri, natyrisht, është i vetëdijshëm se qëllimi i Trumpit gjithnjë është që me tronditë, të bëhet si budallë, dhe kësisoji t’i frikësojë rivalët e tij dhe t’i ndryshojë kushtet e debatit. Ndoshta, veç ndoshta, kjo gjë do të zhduket vetiu, tha Milleri. Trumpi e ka bërë shprehi të thotë gjëra të çmendura, të shikojë çka po thonë njerëzit për to, dhe goxha shpesh më pas thjesht e distancon veten prej provokimeve të veta. (A do ta marrë Grenlandën? Kanalin e Panamasë? A do ta bëjë Kanadanë shtetin e 51-të të Amerikës?) Ndoshta Trumpi mendon se do t’ia arrijë ta mbështes Netanjahun në Izrael dhe të alarmojë liderët tjerë të Lindjes së Mesme se do t’ia dalë me detyru Iranin drejt një marrëveshjeje që i jep fund ambicieve të saj nukleare dhe të arrijë marrëveshje të gjerë rajonale me bashkëpunimin saudit. Ose ndoshta performanca e fundit e Trumpit është pjesë e strategjisë për me “përmbytë zonën” me aq shumë kaos dhe retorikë manipuluese, dhe me aq shumë propozime të çoroditura saqë kur të eksplodojë mendja e njerëzve në krye, ai do të arrijë të paktën diçka prej ambicieve kryesore.

E megjithatë duket e paevitueshme se krejt kjo çmenduri do ta ketë çmimin e saj. Milleri na paralajmëroi se, megjithëse Trumpi mund të tërhiqet nga propozimi i tij për spastrim etnik dhe krijimi i Rivierës, një performancë e tillë dërgon mesazh veçanërisht të rrezikshëm: “Është një miratim për Putinin se mund t’i mbajë territoret që i ka pushtu në Ukrainë, dhe për Xi-në, që tash mund të ketë më shumë vetëbesim me vendosë një bllokadë ndaj Tajvanit si përgatitje për invazion. E gjithë kjo e reflekton mendësinë e një burri joserioz.”

Presidenti Nikson e konsideronte veten një mendimtar të thellë sa i përket strategjisë globale. E megjithatë na duhet ta kujtojmë që, edhe pse e kishte bindë veten se veprimi i tij i lartpërmendur do t’i bënte vjetnamezët e veriut që t’i luteshin për paqe, ajo luftë përfundoi me Amerikën humbëse. Ngjashëm, kërcënimet me armë nukleare të Putinit gjatë luftës në Ukrainë, dhe kërcënimet e Trumpit për “zjarr e piskamë” ndaj Koresë së Veriut më 2017, zor se u treguan vendimtare, e aq më pak konstruktive. Vendimi i presidentit për të shfaqur kapadaillëk kaotik – një zbatim i Teorisë së Budallës – s’bën asgjë për t’i sjellë paqe të qëndrueshme Lindjes së Mesme ndërsa i sjellë turp Amerikës.

*Madman mund të përkthehet edhe si ‘i çmendur’ edhe si ‘budalla’ në bazë të fjalorit të gjuhës shqipe.

**Shkrimi është botuar së pari në The New Yorker më 5 shkurt 2025, me titullin “The Madness of Donald Trump” (shq. Çmenduria e Donald Trump).

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: