E premte, 19 Qershor, 2026

250 mijë eurot, ‘blerja’ e analistëve dhe diçka tjetër

Politikë250 mijë eurot, 'blerja' e analistëve dhe diçka tjetër

U tha se një kandidate për deputete i ka harxhu 250 mijë euro në fushatën e fundit. Dhe se – më e rënda – me ato harxhime absurde i ka pagu edhe disa analistë që këta me i thanë dy-tri fjalë të mira në debate televizive.

Teknikisht ende jemi në lloçin e rrëshqitshëm të thashethemeve. S’është ofru ende asnjë provë të fortë. S’jemi ende përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. E megjithatë… praktikisht jemi. Barra e provës ka ndërru vendbanim.

Kandidatja quhet Alisa Jetullahu. Ajo dje e mohoi çdo pretendim. Bash dje, e mohuan çdo pretendim edhe analistët televizivë.

Mirëpo, mohu i tyre ishte meeeh. Aspak bindës. Sidomos kur krahasohet me videot virale të atyre tre-katër analistëve me ato tri-katër fjalë të mira për kandidaten. Me zë e me figurë.

Për shkak të respektit për integritetin e secilit prej analistëve, e lypa në Google emrin e kandidates. Al-isa Je-tu-lla-hu. Diçka brenda vetes i shfajësonte këta analistë. Thoshte: “ndoshta i kanë meritu ato dy-tri fjalë të mira?!” Dhe ia dëgjova dy intervista.

E para i zgjaste veç shtatë minuta. Po zhvillohej në kohën kur ajo garonte për asambleiste në Podujevë. Është intervistë shumë e sikletshme. Nuk po lëshohem në komente specifike sepse qëllimi nuk është linçimi i një vajze të re. E cila në të ardhmen mundet me i kontribu shoqërisë tonë. Qëllimi është me tregu pse nuk u binda prej mohimit të analistëve. Kur kandidatja pyetet për synimet e saj si asambleiste, për shembull, fillon me lexu prej diçkaje që e kishte vendosë në anën e djathtë të saj. Shikojeni. Kamera po e xhiron duke e lexu përgjigjen, merreni me mend. Këtu s’ka faj veç kjo vajzë. Ka faj secili që ajo e ka përreth vetes. Qysh lëshohet kjo intervistë kështu?!

Pra, këtu s’ka diçka që ka pasë mundësi me e impresionu Visar Ymerin, Yll Hoxhën e Belgëzim Kamberin. Nuk ka.

Intervista e dytë që u dha së fundi në garën për deputete është edhe më e sikletshme. Nuk po du me e komentu më tej për asyet që i thashë por e keni mundësinë me e këqyrë secili. Dhe përgjigjuni se a ka mundësi që me u impresionu këta analistë?!

Ajo që më ka habitë tepër shumë është prania e emrit të Visar Ymerit. Ai është prej të paktëve – s’po them i vetmi – që herë pas here ia del me na tregu se qysh debatohet joarbitrarisht. Se çka nënkupton me qenë i përgjegjshëm e i arsyeshëm. Me e ndjekë rrjedhën e mendimeve tua, e jo me deviju sa herë që të konvenon. Për shembull, gati secilit analist tjetër televiziv ia shohim qartë ingranazhet e mendimeve. I shohim në kohë reale se qysh i formojnë. Ata s’janë të vetëdijshëm, por përsëritja e shpeshtë në debate bashkë me arbitraritetin në gjykim i bën tepër të lexueshëm. Mirëpo, jo edhe Visar Ymerin. Të paktën, jo për aq sa e kam dëgju. E megjithatë, mohimi i tij për këtë skandal ishte arbitrar. I pamjaftueshëm. S’i përgjigjej mendjes së shëndoshë. Barra e provës që ai tha se i takon akuzuesit në fakt i takon atij. Ai duhet me pastru emrin e tij – nëse mendon seriozisht që është i pafajshëm. Të paktën, para neve që i kemi besu.

Sepse e di që niveli i kandidatëve për deputetë e i deputetëve të të gjitha partive është shumë i ulët. Mirëpo, niveli i kësaj kandidateje ishte edhe më poshtë… Ka saktësisht zero shansë që Visar Ymeri dhe analistët e tjerë me pasë përshtypje të mirë për të. S’e rrokë logjika. E ka shumë shansë që ata nuk i kanë ndjekë hiç këto intervista. Nuk e kanë nda një llaf të vetëm me kandidaten. Dhe prandaj, nën paragjykimin se s’ka mundësi me qenë edhe më keq se niveli i kandidatëve tjerë mendojnë se ka mundësi me u nxjerrë.

Nuk e di dhe nuk du me paragjyku se qysh ka ndodhë ky farë errori i madh. Mirëpo, që ka pasë error, që ka pasë një farë korrupsioni, këtu s’e kam asnjë dyshim. S’e kam asnjë dëshmi me mbështetë këtë bindje. Mirëpo, ajo çka du me pasë është dëshmia që ma rrëzon bindjen.

Edhe pa asnjë dëshmi shtesë ky thashethem ka me e dëmtu pandreqshëm besueshmërinë dhe integritetin e mediave. Ka me e përforcu narracionin veçse të fortë anti-media që shtyhet përpara prej pushtetit dhe grupeve të caktuara të interesit. Ka me e përforcu besimin edhe në thashethemet më djallëzore që shpërndahen kundër gazetarëve e opinionistëve.

Prandaj, këtu shpëtim s’ka. Mundet me pasë veç ngushëllim.

Në anën tjetër, duhet me i denoncu edhe format e tjera që e korruptojnë debatin publik. Për shembull, kur e shihni dikë që po del si analist i pavarur në një emision debati dhe pastaj bëhet kandidat për deputet dijeni që ky është korrupsion. Ai ka folë për një favor që i erdhi më vonë. Nëse e shihni dikë tjetër që del si analist i pavarur dhe punon në zyren e një pushtetari… ky është korrupsion. Nëse e shihni edhe një tjetër që paraqitet si analist i pavarur mirëpo është anëtar partie… nejse ky është banalitet.

250 mijë eurot: Pse ndalohet me qenë i varfër dhe deputet?!

Te 250 mijë eurot ndoshta nuk ka asgjë të paligjshme. Ndoshta ato janë paratë e familjes së kandidates. Dhe ndoshta janë më pak se 250 mijë euro. Por, edhe sikur të jenë veç 200 ose 150 mijë kjo përsëri është absurde.

85 nga 120 deputetët e legjislaturës së fundit ishin regjistru si të papunë për me i marrë të hyrat kalimtare. Edhe pse shumica prej tyre janë pasanikë ose djem e vajza pasanikësh. Asnjëri prej tyre nuk është i varfër. Të dhënat për pasurinë e tyre na publikohen vit pas viti prej Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit [APK].

Harxhimi i madh i kandidates është naiv. Billbordet e saj i kam pa edhe në Pejë… e ajo prej Podujeve. Qysh e patë, bënte reklamë në media nacionale edhe kur ishte kandidate për asambleiste. Naivitet tepër i sikletshëm. Duket si një teke kalimtare e fëmijëve të pasanikëve. Mirëpo, realisht me qenë deputet s’është që bëhesh dikush. Kur s’ke asnjë ide e asnjë agjendë me shty përpara, mbetesh askushi. Këtë gjë na e tregon edhe fati i qindra e qindra ish-deputetëve tjerë. Sot s’i njeh kush. E s’i vetë kush. Po aq të panjohur sa cilido qytetar i rëndomtë.

Megjithatë, ky harxhim marramendës na tregon edhe diçka shuuumë më me rëndësi. Liderët e partive politike duan në duart e tyre instrumente që e kanë një farë kapitali për investim. Investimi për fushatën individuale është investimi i domosdoshëm për partinë. Rrafsh 110 investime për partinë nga 110 kandidatë. Pra, kandidati për deputet në sytë e një lideri partiak s’është e rëndësishme as qysh quhet, as çka flet, as çka përfaqëson. Mjafton me qenë investitor serioz. Investimi për veten përkthehet pashmangshëm në investim për partinë. Prandaj, s’futet në Kuvend asnjë i varfër. As sa për mësysh. Dhe prandaj, edhe përkundër pakënaqësisë së vazhdueshme të shprehur me tallje e me përbuzje nga simatizantët e të gjitha partive për nivelin e ulët të deputetëve… asnjëri s’do me i ndryshu rregullat e lojës.

Në një matje të thjeshtë të vitit 2022 përmes deklarimeve të pasurisë në APK, dilte se pasuria e paluajtshme e deputetëve të Kosovës shkonte një milionë e fiu për secilin.

Në vitin 2013, Vetëvendosja e Kurtit me anë të një komunikate – të cilën e ka fshi –  i shkruante këta rreshta.

“… thelbësore është se nga çfarë shtresash shoqërore vijnë deputetët – p.sh. të varfrit s’janë fare të përfaqësuar, kurse klasa e mesme është pak e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës”,

Mirëpo, këto shqetësime s’i ka më as partia e Kurtit. E natyrisht, s’i ka as Lumir Abdixhiku apo opozitarët e tjerë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: