E hënë, 21 Prill, 2025

Dallimet mes “në detyrë” dhe “ushtrues detyre” në funksionet shtetërore

PolitikëDallimet mes “në detyrë” dhe “ushtrues detyre” në funksionet shtetërore

 

Intervistë me z. Bledi Dika

Tjetër:

Z. Dika, si mund të sqaroni dallimet juridike dhe funksionale midis termave “në detyrë” dhe “ushtrues detyre” në kontekstin e pozitave të larta shtetërore?

Bledi Dika:

“Në detyrë” i referohet një funksionari publik që ka marrë mandatin në mënyrë të rregullt, sipas procedurave kushtetuese dhe ligjore, dhe e ushtron plotësisht funksionin dhe kompetencat që burojnë nga ai mandat.

Karakteristikat:
Mandati është konfirmuar përmes emërimit ose zgjedhjes në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse.
Kompetencat janë të plota dhe të pacënuara, përveç rasteve kur kalojnë në status teknik si “qeveri në detyrë” (p.sh., pas dorëheqjes, moskalimit të mocionit të besimit, Qeveri kalimtare, shpërbërjes së Kuvendit, etj.).
Kryeministri i zgjedhur nga Kuvendi pas procedurës përkatëse është “në detyrë” dhe ka të gjitha të drejtat e plota për të qeverisur, përfshirë emërime, vendimmarrje strategjike dhe përfaqësim ndërkombëtar.

Kuptimi ligjor dhe funksional i termit “ushtrues detyre” është një person që është caktuar përkohësisht për të kryer detyrat e një funksioni të lartë shtetëror, zakonisht në mungesë të bartësit të rregullt të detyrës apo në pritje të emërimit të një titullari të ri.

Karakteristikat:
Nuk ka mandat të plotë, por ushtron funksionin përkohësisht.
Kompetencat zakonisht janë të kufizuara dhe të karakterit teknik/administrativ, varësisht nga ligji përkatës.
Zakonisht nuk mund të marrë vendime të rëndësishme politike apo strategjike.

Shembull konkret:
Një zëvendësministër që caktohet si “ushtrues detyre” i ministrit pas dorëheqjes së këtij të fundit nuk mund të ndërmarrë vendime të mëdha politike ose të ndryshojë linjat strategjike.

Tjetër:

A mund të konsiderohet një “ushtrues detyre” si “në detyrë” në kuptimin ligjor, sidomos në rastet kur ligji kërkon dorëheqjen e një anëtari të Qeverisë “në detyrë”?

Bledi Dika:

Kjo është një çështje që ka krijuar paqartësi. Neni përkatës i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës kërkon dorëheqjen e një anëtari të Qeverisë që është “në detyrë” në rast se zgjidhet deputet. Pyetja është: a hyn këtu edhe “ushtruesi i detyrës”?

Formalisht, një “ushtrues detyre” nuk është në detyrë në kuptimin kushtetues të mandatit të plotë.
Megjithatë, në aspektin funksional, ai ushtron detyrat e një zyrtari “në detyrë”, përkohësisht.
Prandaj, nëse ushtruesi i detyrës gëzon autoritetin e plotë të funksionit sipas vendimit të emërimit të përkohshëm, ai mund të trajtohet si “në detyrë” në kuptimin e ligjit zgjedhor, për sa i përket përplasjes së funksioneve (për të shmangur mbajtjen e dy posteve njëherësh).

Sipas doktrinës kushtetuese, rastë përjashtimore kur “ushtruesi detyrës” mund të konsiderohet “në detyrë”, kanë të bëjnë me menaxhimin e gjëndjes së jashtëzakonshme (psh., emergjencë shëndetësore, klimatike, pandemi, përmbytje të mëdha etj.).

Precedente kushtetuese:
Deri më tani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka dhënë një interpretim eksplicit për këtë çështje. Megjithatë, praktika e deritanishme e KQZ-së dhe vendimeve të Qeverisë sugjeron se në rastet kur një funksionar është “ushtrues detyre”, ai trajtohet si bartës i funksionit në aspektin formal dhe duhet të respektojë kufizimet që lidhen me përplasjen e pozitave.

Rasti i mësipërm italian, përkon me një çështje disi të komplikuar sepse përfshihet edhe një interpretim mbi incidentin e këtyre instituteve mbi të drejtën subjektive. Ndërsa rasti Kurti është tejet i thjeshtë dhe i lehtë për tu përkufizuar në mënyrë katërcipërore si “Ushtrues detyre”.

Tjetër:

Si mund të harmonizohet përdorimi i këtyre termave për të shmangur paqartësitë institucionale?

Bledi Dika:

Edhe pse në Kosovë mund të ketë një konfuzion si në përdorim gjuhësor ashtu edhe në praktikë, për shkak të mungesës së definimeve të qarta ligjore. Gjithsesi mund të themi pa droje që “Ushtrues detyre” do të thotë bartës i përkohshëm me kompetenca të kufizuara.

Italia ofron një model të qartë ku:
“In carica” = mandat i plotë;
“Facente funzioni” = përkohësi me kompetenca të kufizuara;
Ky dallim është i përfshirë në ligj, në praktikë dhe në emërtimet zyrtare, duke shmangur keqinterpretime politike dhe institucionale.

Ky model do të ishte i vlefshëm për t’u marrë parasysh edhe në Kosovë për të kodifikuar dallimet mes “në detyrë” dhe “ushtrues detyre” në mënyrë eksplicite, në Kushtetutë ose Ligjin për Qeverinë dhe Administratën Publike.

Një rast i rëndësishëm në jurisprudencën italiane është Vendimi nr. 35 i Gjykatës Kushtetuese të Italisë (11 mars 2021), ku u theksua se mbajtja e një funksioni publik kërkon përmbushjen e kritereve ligjore dhe morale. Kjo ndihmon në qartësimin e faktit se “ushtruesi i detyrës” nuk ka të njëjtat të drejta si një funksionar “në detyrë”.

Tjetër:

Kurti i është referuar vetes pas kalimit të mandatit gabimisht si “Kryeministër në detyrë”, sepse termi juridik “në detyrë” nënkupton detyrimisht periudhën para përfundimit të mandatit ose para dorëheqjes.

Bledi Dika:


Nëse mandati ka përfunduar, sido ta quajë veten Kurti, ai është ushtrues detyre. Doktrina na mëson që pas zgjedhjeve, kryeministri apo qeveria në fuqi është ushtrues detyre pa fuqi vendimarrëse, por vetëm administrative, deri në formimin e qeverisë së re. Nëse Kurti gjatë kësaj periudhe merr vendime qeverisëse, atëherë ato konsiderohen antikushtetuese dhe Kurti mban përgjegjësitë përkatëse.

Nuk ka shumë rëndësi se si e quan veten Kurti — mund ta quajë veten edhe “mbret” — kjo është çështje komunikimi. Por nëse merr akte, vendime, etj., atëherë çështja kthehet në një çështje juridike me përgjegjësitë e veta që mbart në kuadrin ligjor dhe kushtetues.

Dispozita është pak problematike, sepse kur mbaron mandati automatikisht nuk quhesh më “në detyrë” por “ushtrues detyre”. Megjithatë, fryma kushtetuese ka specifikuar faktin që duhet dhënë formalisht dorëheqja. Pse kërkon dispozita kushtetuese një dorëheqje formale, pra shkresore? Sepse ka frymë rregulluese në mënyrë që të shmangen abuzimet me vendimarrjen e qeveritarëve në periudhën tranzitore.

Problemi lind në momentin e certifikimit të zgjedhjeve, kur kandidatët qeveritarë të zgjedhur deputetë ende nuk kanë dhënë dorëheqje. Në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të një prej parimeve themelore kushtetuese. Me qartësinë e së drejtës, çdo dispozitë kushtetuese vepron në kohë edhe në hapësirë; këto dy dimensione janë themelore për një kushtetutë të qartë pa ekuivoke dhe qëndrojnë në themel të shtetit të së drejtës.

Pyetja që vijon është: a përbën kjo shkelje një kriter të mjaftueshëm që mandatet e deputetëve të jenë të papajtueshme, pra t’u hiqen mandatet? Instituti i papajtueshmërisë së mandateve për shkak të detyrës lidhet me kandidatët që ushtrojnë detyra para dhe gjatë zgjedhjeve. Ndërsa dispozita këtu thotë “para certifikimit të zgjedhjeve”, pra detyrat qeveritare duhet të lihen para dhe gjatë procesit zgjedhor.

Atëherë si mund të sanksionohet kjo shkelje, sepse mbetet një shkelje e tipit administrativ? Shkeljet administrative zakonisht sanksionohen me gjoba. Pra, në thelb nuk mund të hiqet mandati sepse kushtetuta nuk e përcakton qartë, plus që një sanksion administrativ nuk mund të zhbëjë një vullnet popullor siç është zgjedhja. Por, të paktën minimalisht, Kurti dhe ministrat e tjerë duhet të gjobiten. Në rast se një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve

Intervista përgatitur nga Tjeter.net

Bledi Dika është një ish-lektor në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, ku ka punuar në Fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik, me fokus në fushat e Ekonomisë dhe të Drejtës. Ai ka ndjekur studimet në Universitetin Sapienza të Romës, një nga universitetet më prestigjioze në Itali

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: