Në një kohë kur në Kosovë nuk botohet asnjë gazetë ditore, kur fjala e shtypur është përjashtuar nga rituali i përditshëm i qytetarit, shfaqja baletike “Deadline” vjen si një homazh i ndjerë – por edhe si një kritikë e heshtur – ndaj një realiteti ku gazetaria e shkruar është zhdukur nga qarkullimi. Në Ditën Botërore të Vallëzimit koreografi Sead Vuniqi, përmes një koreografie që i ngjan një redaksie të gjallë, rikthen në skenë epokën e artë të shtypit, duke e vendosur atë përballë një shoqërie që sot e ka zëvendësuar gazetën me zhurmën e ekranit dhe me përmbajtje të shpejta, të konsumueshme e të harrueshme.
Shfaqja nis në errësirë, me pesë makina shkrimi dhe po aq balerinë që më vonë rriten në numër bashkë me ndriçimin gradual të skenës. Redaksia merr formë hap pas hapi, gazetat e shtypura bëhen pjesë e koreografisë, fotoreporterët nisin lëvizjen, balerinët ndahet mes atyre që shtypin në makinë dhe atyre që kërcejnë, derisa të gjithë bashkohen në një ritëm të përbashkët – një ditë pune intensive në një redaksi që ekziston më shumë në kujtesë sesa në realitet.
Në qendër të skenës, një figurë spikat: kryeredaktori, që kundërshton, proteston, debaton – jo vetëm për shpejtësinë e punës, por ndoshta edhe për drejtësinë e fjalës së shkruar, për vërtetësinë e lajmit dhe për idealin e gazetarisë që nuk e komprometon titullin. Ky akt ndan koreografinë nga thjesht estetika – dhe e ngre në një nivel më të lartë simbolik, “Deadline” nuk është vetëm një rikthim në kohë, por një ballafaqim me të tashmen.
“Deadline” është më shumë se një balet, është një dokument artistik i një epoke tashmë të perënduar në Kosovë, ku mungesa e gazetave të shtypura është bërë shenjë e një boshllëku kulturor. Nëpërmjet një hulumtimi të kujdesshëm, në skenë bëhen pjesë edhe disa gazeta të cilat ishin shtypur në të kaluarën dhe kishin histori, ndër to edhe “Rilindja”, të cilat në vete mbajnë ngarkesa simbolike të shumanshme. E në këtë shfaqje gazetat bëhen vetëm subjekt i vallëzimit, si një kujtesë kolektive dhe reflektim mbi kohën.
Shfaqja ndërton një realitet paralel me të sotmen dhe kjo bën që kritika e saj të jetë e fuqishme pa qenë eksplicite. Ajo nuk predikon, nuk moralizon, por përmes trupit dhe lëvizjes flet për një kohë kur gazetaria kishte ritëm, hierarki profesionale, kolegjialitet e pasion. Ajo flet për gazetat që frymonin çdo mëngjes dhe që i jepnin qytetarit jo vetëm informacion, por edhe mendim, vizion, analizë.
Koreografi i shfaqjes së baletit “Deadline”, Sead Vuniqi ka thënë se për realizmin e këtij baleti është frymëzuar nga rëndësia që dikur kishin gazeta për informimin publik. Ai më tutje ka shtuar se, gazetat dikur ishin burimi i vetëm i informimit, kurse gazetarët bënin një punë mjaft dinamike për të arritur te lajmi dhe informuar sa më parë publikun.
Vuniqi ka thënë se ishte lexuesi i rregullt i gazetave ditore, përmes së cilave informohej për ngjarje të ndryshme nga kultura, sporti e fshat e tjera.
“Duke pasur parasysh zhvillimet teknologjike, ku kemi mundësi të informohemi nga telefoni për zhvillimet që ndodhin kudo në botë në kohë reale, prapë se prapë gazeta mungon në shoqërinë tonë dhe pse të mos kemi edhe ne sikurse shumë vende të tjera”, ka thënë Vuniqi për magazinën TJETËR.
Ai ka shtuar se makinat e shtypit i prezantojnë edhe personazhet. Në fillim janë 4-5 personazhe kryesore të shfaqjes, e gjithë ngjarja zhvillohet mes këtyre personazheve.
“Shfaqja flet edhe për kohën, kur vjen koha të “Deadline”, do të thotë është një kohë e caktuar, ku ti duhet patjetër të përfundosh artikullin i cili duhet të dalë në shtyp të nesërmen dhe gjithë kjo ngrit tensione sepse nuk ka kohë të mjaftueshme, nuk ka makina shtypi të mjaftueshme, mungon edhe hapësira e nevojshme për të kryer punën, e shumë gjëra të tjera të cilat i mungojnë një redaksie” ka thënë ai.
Aulonë Nuhiu ka thënë se shfaqja “Deadline” është e ngarkuar dhe që vjen me një temë, e cila ia vlen që është trajtuar edhe përmes baletit. Ajo ka shtuar se kjo na ka kthyer në kohë dhe na ka kthyer në një periudhë kur janë përdorur makinat, janë lexuar gazetat e të gjitha këto i kemi përjetuar edhe duke e përgatitur shfaqjen.
“Nuk mund të them ndoshta që është shumë kritikë, por në njërën anë jemi munduar ta shprehim vlerën e gazetarisë, të gazetave dhe vlerën e kohës si ka qenë atëherë, sepse tash teknologjia na ka rrëmbyer pak si shumë dhe shfaqja si e tillë na kthen shumë në kohë”, ka shtuar Nuhiu për magazinën TJETËR.
Ajo ka theksuar se si në çdo vend të punë edhe në redaksi janë disa persona që kanë një rol kanë një punë më të rëndësishme.
“Në këtë rast ishim në pesë personazhet kryesore, unë isha si fotoreportere dhe secili prej nesh në fillim paraqitet duke e shfaqur karakterin e vet, pastaj inkuadrohen edhe balerinët e tjerë dhe në shumë pjesë të shfaqjes shihet edhe presioni edhe dëshira e secilit për të punuar dhe për të nxjerr lajme sa më të rëndësishme, ku përmes kësaj shihet puna dhe dëshira e çdo gazetari për ta nxjerrë një lajm të mirë, një lajm të rëndësishëm” ka thënë balerina Aulonë Nuhiu.
Në një shoqëri që sot nuk siguron asnjë gazetë të shtypur, ku gazetaria shpesh është nën presion, e paushqyer nga struktura, publiku dhe shteti, “Deadline” vjen si një alarm i artikuluar përmes artit. Është një përkujtues, por edhe një thirrje për kthim te thelbi – te fjala me peshë, te redaksia si hapësirë mendimi, dhe te gazetaria si profesion, jo si rrjedhë.