Përfundoi dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan James Rubin në Hagë. Ajo dëshmi mund të jetë reflektim i përvojës së vërtetë që ai e kishte në vitin 1999. Ma merr mendja se përnjëmend ishte. Kur ai u shpreh se UÇK-ja nuk kishte “sistem të vërtetë kontrolli”, besoj që kjo korrespondon me përvojat edhe të njerëzve tjerë në Kosovë që ishin pjesë e UÇK-së. Por, kur Rubini e bëri Adem Demaçin si epror të Hashim Thaçit (një përshtypje e krijuar nga mënyra se si ky i fundit i drejtohej të parit) e krejt UÇK-së… atëherë duhet të marrim frymë thellë dhe ta themi një JO të madhe.
Adem Demaçi është ndoshta figura më e ndritshme dhe më frymëzuese e kombit tonë në 100 vitet e fundit. Por, ai nuk ishte njeriu kryesor i UÇK-së. Dhe, jo që s’ishte kryesori por në realitet s’ishte as pjesë e UÇK-së. S’mori pjesë as në themelimin e saj, as në organizimin e saj, e as në ndërtimin e politikës së saj. Dhe kjo është tepër lehtë e dëshmueshme, madje edhe nga vetë fjalët e Demaçit.
Është e vërtetë se në gusht të vitit 1998, Demaçit iu dha pozita e përfaqësuesit politik të UÇK-së. Por, kjo pozitë s’kishte asnjë funksion real. Ishte pozitë fiktive. UÇK-ja në atë kohë edhe më tej s’e kishte mbështetjen popullore. Edhe më tej dyshohej, madje edhe nga vetë populli. Dhe emërimi i Demaçit – Mandelës së Kosovës – i dha një legjitimitet të madh.
Por, mos të harrojmë. UÇK-ja dhe Demaçi kishin pikëpamje të ndryshme politike deri kur u ndërkombëtarizua lufta. Demaçi ishte kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës, rivales së LDK-së. UÇK-ja i kundërshtonte të dyja, madje me gjuhë mjaft të ashpër. Sipas tyre, s’ishte koha për politikë, protesta, fjalë. Ishte koha për pushkë.
Nga opinioni i përgjithshëm i njerëzve mund të duket krejtësisht e pabesueshme, por ndasia mes Demaçit dhe UÇK-së ishte më e thellë se ajo mes Demaçit dhe Rugovës. Dhe kjo mund të kuptohet lehtë edhe në një debat të tij në TVSH me Fehmi Aganin në prag të vitit 1998. Demaçi besonte te një zgjidhje politike, e jo te një zgjidhje me armë për Kosovën. Besonte te rezistenca paqësore. Dhe ato fjalë Demaçi po i thoshte pasi UÇK-ja e bëri të ditur për të gjithë ekzistencën e saj (28 nëntor 1997).
Këtë shfaqje publike, Demaçi e cilëson si “dalje të situatës nga kontrolli” derisa kërkon që të mblidhet Parlamenti i Kosovës në mënyrë që kundërshtia ndaj Serbisë të ishte institucionale.
“Unë iu them (ndërkombëtarëve) më pak do t’ishte e komplikume situata nëqoftëse do ta kishim parlamentin, dhe do të palaviteshim me Serbinë përmes institucioneve legale e legjitime, e tjera, e tjera, sesa të na dali tashti, të na krijohet ushtria (UÇK) atje… të krijohet një faktor të cilin ne s’mund ta kontrollojmë, të cilit detyrohemi t’i lutemi në mënyrë që të mund ta vazhdojmë politikën tonë,” – shprehej Demaço (35:46 – 36:07)
Ai madje shpreh keqardhje për krijimin e UÇK-së edhe më vonë, duke e cilësuar si “krah ekstrem”, që erdhi si rrjedhojë edhe e mosdinamizimit të jetës politike kosovare. (49:37 – 50:13)
Po e përsëris: Adem Demaçi është pa dyshim figura më frymëzuese e përpjekjeve tona për liri në njëqind vitet e fundit. Por, siç mund ta shihni, ai nuk është as afërsisht në një vijë me UÇK-në.
James Rubin kur u pyet nga Prokurori në Hagë nëse e kishte dëgjuar ndonjëherë Adem Demaçin duke i dhënë ndonjë urdhër dikujt u përgjigj me jo. Natyrisht se jo.
“Një shumicë e madhe e popullit është gjithashtu e zhgënjyer, e demoralizuar, e mërzitur e tjera. Ju e dini atë anketën që e ka bërë njëra prej gazetave, nuk e di cila gazetë e ka bërë… 62% – para këtyre aksioneve të fundit – e të rinjëve janë deklaruar se do t’shkonin në… do t’bëheshin me UÇK-në. Dhe kjo mua më ka frikësuar shumë.” (1:13:39 – 1:13:59).
Dëgjojeni edhe këtë pjesë:
“Dhe sot ke ti edhe nëpër Prishtinë e kudo, të rinj thonë “unë jom UÇK, unë jom UÇK”. More mbylle gojën atje…” (1:14:19 -1:14:26)
Adem Demaçi ishte një humanist. Dhe si çdo humanist i madh, ai e kishte të qartë se lufta ishte gjë e rëndë. Ai frikësohet se njerëzit në Kosovë s’e dinin se sa e keqe ishte në të vërtetë lufta meqë s’e kishin provuar në trupin e vet.
Por, ai nuk ndodhet në kampin e UÇK-së. Madje, gjatë intervistës që po e përmendim, Demaçi iu përgjigjet kritikave që UÇK-ja po i bënte ndaj tyre.
“Ma s’pari do t’iu përgjigjesha atyre zotërive atje që na thonë neve se me telefona e me lapsa e me tavolina nuk zgjidhet ky problem… do t’iu kisha thanë që ta dinë ata që nuk e kemi lehtë. Njëqind herë ma tepër e dëshiroj vdekjen se sa këtë jetë që mendon dikush se jem duke e bërë… Dhe nuk mendoj se e kemi aspak lehtë kur mundohemi ta shpëtojmë këtë popull me sakrifica sa më t’vogla. Me flijime sa më t’vogla… dhe nuk u them atyre që ta nënçmojnë këtë përpjekje tonën. Edhe pse ne e kuptojmë çka do t’thotë flijimi kapital… Po edhe kjo e jona nuk guxon të nënçmohet… siç e patën atë deklaratën e tyre nr. 40 a s’di sa ishte… që na thonë neve se me telefona e kështu nuk zgjidhet ky problem…” (1:22:53- 1:23:39)
Pra, siç po e shihni edhe ju, Demaçi ishte më afër Rugovës se UÇK-së në prag të vitit 1998. Por, edhe kur u bashkua me UÇK-në tetë muaj pas asaj interviste, ai nuk mori ndonjë funksion të vërtetë.
S’mund të pyeteshe për diçka në UÇK, e bile as të ishte pjesë e UÇK-së, nëse s’e dëshmoje veten me pushkë e me veprime. Fjalët në rrethanat e viteve ’90 ishin krejtësisht të panevojshme. Ai që thjesht fliste përçmohej. Në thelb të saj, UÇK-ja ishte lëvizje anti-intelektuale.
Më duhet ta përsëris: Rubini ka të drejtë kur thotë se UÇK-ja nuk kishte sistem të kontrolluar. Dhe këto s’kishim nevojë t’i dëgjonim prej Rubinit (ndoshta gjyqtarët në Speciale po). S’ishte e vështirë të kuptohej. Jo veç komandantët, por edhe ushtarët e thjeshtë të UÇK-së shpesh kishin autonomi gati të plotë veprimi.
Çka duhet atëherë ky shtrembërim për Adem Demaçin?!