E shtunë, 19 Prill, 2025

Dembelia e Albin Kurtit po radikalizohet

PolitikëDembelia e Albin Kurtit po radikalizohet

Dembelia e Albin Kurtit në qeverisje po bëhet gjithnjë e më radikale me kalimin e muajve. Dhe për fat të keq, ky s’është thjesht një fat i keq. Është më shumë se kaq.

Gjatë ditës së djeshme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) vendosi që ta shtrenjtonte çmimin e energjisë elektrike për 16.1 për qind. E hëngrëm të gjithë. Përfshirë ata dhjetëra mijëra qytetarë që hoqën keq duke kursy sipas udhëzimeve të Qeverisë Kurti. Përfshirë ata që i rritën harxhimet për inat të Qeverisë Kurti.

Askush s’e tha ndonjë fjalë. Bile edhe ministrja Artane Rizvanolli – e deleguar që ta bënte ‘luftën’ sa për sy e faqe në emër të Qeverisë – u hesht.

Marrë parasysh këtë heshtje kaq të turpshme, një pyetje shtrohet vetiu: ku është njeriu që e paguajmë për të qenë kryeministër? Me çka po merret?

Me formim të Qeverisë së Re?

Meqë doli i pari më 9 shkurt, Kurtit i takon të fillojë pazaret për ta formuar Qeverinë e Re. Dhe, këtu na ekspozohen së pari shenjat e radikalizimit të dembelisë së tij.

Gjendja është kjo: i ka 48 deputetë, i duhen edhe 13 për ta bërë Qeverinë dhe potencialisht edhe 32 për ta siguruar Presidenten.

Prej 9 shkurtit, Kurti abstenoi krejtësisht nga pozita e tij si njeriu më i votuar në Kosovë. Pas një fyerje që e bëri ndaj rivalëve politikë dhe votuesve të tyre, u mbyll në Kështjellën e Fildishtë dhe s’u mor me ta. E s’u mor as me Qytetarët e Kosovës.

Lëvizjet e tij në muajin prill janë aq dembele e të çrregullta sa s’duan koment.

Veprimi dembel 1: Kishte darku me Fatmir Limajn, që ia kishte lënë të hapur derën për bashkëpunim para një muaji e gjysmë.

Veprimi dembel 2: Më vonë, meqë ishte shumë dembel për të ndërruar ambient, i ftoi në Zyrë të Kryeministrit deputetët e minoriteteve etnike që të fliste për bashkëpunim.

Veprimi dembel 3: Pasi ata shprehën kërkesat e tyre, Albin Kurti vendosi t’i intimidonte duke i lidhur me kryeterroristin Millan Radojiçiq e me disa serbë të dënuar për tejkalim shpejtësie diku në Kosovë.

Veprimi dembel 4: Në një shenjë të qartë dëshpërimi, në fund ai vendosi t’i çonte letër kryetarit të LDK-së duke e ftuar në takim. Natyrisht, u refuzua.

Çka bëri këtë muaj?

Raportimi që Zyra e Kryeministrit e bëri për punën e kryeministrit është tepër i trishtë.

Takimet:

Kurti përgjatë këtyre ditëve ka takuar ambasadorët e Italisë, Belgjikës, Bullgarisë, Gjermanisë, Suedisë dhe El Salvadorit. Po ashtu edhe të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë.

Ai ka takuar edhe alpinisten Uta Ibrahimi, artisten Merita Toçila, kryetarin e Bashkësisë Islame në Bosnje, deputetin që është edhe tifoz i Leeds Utd Alex Sobel, kryetarin e Ulqinit Genci Nimanbegu, deputetë të komisionit britanik për Punë të Jashtme, një grup nxënësish nga Bosnje e Hercegovina, Sekretarin e Jashtëm David Lammy, shefin e zyres së BE-së në Kosovë dhe aktivisten Sonja Biserko.

Vizita:

Shkoi në të pame te një familje e veteranit të UÇK-së. Bëri homazhe te varret e dëshmorëve në Kaçanik. Bëri homazhe në Rakoc të Kaçanikut. Bëri homazhe te Lagja e Re në Kaçanik. Bëri homazhe për betejën e Koshares. Bëri homazhe në Rezallë të Kunderajit. Shkoi në të pame te polici i vrarë, Muhamet Lika. Në përurim të çerdhes në Rezinë të Gjakovës. Shkoi në një ceremoni të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

Letra, fjalime:

Foli në një konferencë të organizuar nga FES.

Foli në një diskutim të organizuar nga Ambsaada e Kosovës në Bruksel dhe Qendra për Studime të Politikave Evropiane.

I dërgoi letër ngushëllimi familjes së aktores së ndjerë Margarita Xhepa.

A është kjo krejt çka duhet të bëjë një kryeministër? Dyshojmë tepër tepër shumë.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: