Edhe kur e bën nijet të mos shkruash e mos flasësh, janë disa ngjarje që ta nxjerrin dhunshëm mendimin. Qysh ta nxjerrë ofshamën një lëndim që s’e pret. P.sh. kur të godet një veturë derisa je duke ecë në trotuar.
Një ngjarje e tillë ofshamëse ishte edhe interpretimi politik i disa njerëzve mbi sëmundjen e më pas vdekjen e babës së Hashim Thaçit, të ndjerit Haxhi Thaçi.
Besoj edhe ju keni lexu statuse politike nga njerëz të ndryshëm në Facebook. Qofshin dashamirë të Thaçit apo thjesht dashakëqij të Kurtit. Ata në fillim e akuzuan Specialen për trajtim jonjerëzor, gjykim jofer etj. etj. Ndoshta me të drejtë. Por, më pas dilnin aty ku edhe e kishin qëllimin: e akuzuan Albin Kurtin e Vjosa Osmanin që s’folën asgjë për vizitën e Hashim Thaçit në Prishtinë te babai i sëmurë ose se e ngushëlluan pak kur i vdiq. Qëllimi pra ishte që ajo ndodhi ta dëmtonte disi pushtetin.
Ndodhia ishte krejtësisht personale. Fund e krye personale. E dhimbshme por e dhimbshme vetëm brenda një kornize të ngushtë. Përpjekja që dhimbja të dilte prej asaj kornize çoi në… debakël total.
Është e kuptueshme që opozita orvatet me politizu çka të mundet. Ndonjëherë, edhe gjëra në dukje triviale. Albin Kurti ishte mjeshtër i kësaj pune si opozitar. Por, opozita aktuale s’po ia del kurrqysh hiç. Në përpjekjen e saj politizuese – sado dashamirëse që përpjekja mund të jetë me raste – po del trishtueshëm patetike e mjerane. Aq patetike e mjerane sa po e prodhon një irritim të përmasave të habitshme në shoqërinë tonë (e që mund të ilustrohet tashmë edhe me rezultate zgjedhore, e bile edhe me fotografi).
Qe çka i tha ajo përpjekje për politizim të varrimit një qytetari të rëndomtë kosovar:
Që opozita s’mundet me organizu kurrfarë proteste për çkado qoftë dhe po provon eksploatimin e vdekjes së një njeriu;
Që opozita po provon me kapitalizu politikisht dhembshurinë e sinqertë të njerëzve (edhe atyre që s’kanë pikë simpatie politike) për ish-presidentin Thaçi;
Që opozita s’ka respekt as për dinjitetin individual të babës së ish-presidentit. Që është në gjendje me korruptu edhe dhimbjen për të;
Mesazhe të frikshme që kolapsojnë çfarëdo besimi, e lëre besimin e brishtë që njerëzit kishin te opozita.
Opozitarizmi i tillë operon përmes një makinerie që i ka të ekspozuara ingranazhet. Asaj i duken ata dhëmbëzorët e fshehtë që e vënë në lëvizje. E prandaj, edhe dhembshuria e popullit që fillimisht ishte e sinqertë lëre që s’u materializua po edhe u shua krejt. Sepse po e shihnin dhembshurinë e tyre derisa instrumentalizohej për qëllime të politikës ditore.
Njerëzit në Kosovë mund të mos i kuptojnë mirëfilli proceset e ndryshme politike. Por, i njohin detajisht ngjarjet e tilla personale si varrimet, dasmat, të pamet, vizitat në spital etj. Dhe i njohin mirë edhe përfituesit e dhimbjeve personale. Profiterët.
Ja, shikojeni sa pak njerëz kishte në varrimin e babës së ish-presidentit Thaçi. Shikojeni dhe mendoni të pandikuar.
Kjo është forca e pabesueshme e irritimit që u shkaktua. Gjithë ajo fushatë, gjithë ato statuse, gjithë ajo dhimbtë e shprehur, gjithë ata llajka. Në fund, pak më shumë se njëmijë vetë.
Pra, jo që varrimi s’prodhoi kauzë politike por në përpjekjen për politizim ai edhe u depersonalizua dhe plot njerëz që e kishin nijet të shkonin në varrim s’shkuan. Kushedi sa herë më i madh do të ishte varrimi sikur njerëzit të mos mendonin se po bëhej korrupsion me këtë vdekje. Mesazhi që u përçua ishte “hajdeni në varrim të bëjmë politikë kundër Kurtit”. E duhej të ishte “hajdeni me respektu kujtimin e të ndjerit, dhimbjen e Hashim Thaçit”.
Ma merr mendja se për Thaçin kishte respekt të sinqertë kur erdhi në Prishtinë të enjten e kaluar. Dhe ky respekt ishte i sinqertë sepse të gjithë kishim përjetu situata të ngjashme. Kishim qenë në po atë spital për me i vizitu të afërmit tanë në grahmat e fundit në shtratin e vdekjes. Ishte një dhimbje me të cilën s’kishe qysh mos me u lidhë. Por, kur simpatizantët e Thaçit – ose thjesht dashakeqët e Kurtit – na detyruan me zor që ta shihnim politikanin Thaçi – e jo njeriun Thaçi – atëherë respekti i lëshoi vend indiferencës.
Çka na tregon kjo?
Mungesë të thellë vetërespekti e vetëvlerësimi nga opozitarët. Cinizëm për gjithçka në përpjekje me fshehë atë mungesë vetërespekti e vetëvlerësimi. Një cinizëm i përzier me arrogancë që po shkakton irritim monstruoz. Dhe që do të shkaktonte në secilën kulturë e secilën gjuhë të botës. Sepse s’kuptohet veç prej njerëzve që e shkaktojnë atë.
Paramendojeni, u shpreh kënaqësi edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit që efektivisht ia konsolidoi pushtetin gjigant Albin Kurtit. Me shumë gjasë, do të shprehet kënaqësi edhe për fotografinë e mësipërme të varrimit. Pse? Sepse jetojnë në një izolim të plotë intelektual pasi i kanë shkëputë marrëdhëniet me shumicën e irrituar të cilën e konsiderojnë mendjemadhësisht si të mashtruar, budallaqe apo të padenjë për respekt.
Mendjemadhësia s’është zgjidhje. Mendjemadhësia në fakt është thjesht shprehje e maskuar e pasigurisë.
Unë sinqerisht besoj se PDK-ja, AAK-ja e fatkeqësisht tash po na del se edhe LDK-ja janë parti armike të demokracisë tonë. Janë opozitë sa për sy e faqe. Dhe funksioni kryesor aktual i tyre – pa dëshirën e tyre – është ta mirëmbajnë popullaritetin e Albin Kurtit. Asgjë tjetër.
Mbështetja për këto parti indirekt është mbështetje për rrënimin e demokracisë tonë. S’ka asgjë prej tyre. S’do të ketë asgjë prej tyre. Prandaj, mbështetja për to është mbështetje për Albin Kurtin – i cili do t’i mposhtë e do t’i mposhtë e do t’i mposhtë deri në përjetësi.
Shpërndaje nëse pajtohesh me mua. Tjetër është një magazinë online që funksionon në baza vullnetare. Pa sponzor. Pa reklama. Pa pare. S’kemi interes prej askujt. Prandaj, edhe e themi veç atë që e mendojmë.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).