Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka treguar se është i gatshëm që të udhëtojë drejt ShBA-ve për të pajtuar dy familjet në ‘hasmëri’, Kirk dhe Robinson.
Tashmë u mor vesh se personi i dyshuar për vrasjen e komentatorit përçarës Charlie Kirk ishte një i ri 22-vjeçar nga familja Robinson me emrin Tyler. Edhe kjo familje ishte përkrahëse e flaktë e presidentit përçarës amerikan Donald Trump.
Ramush Haradinaj njihet në Kosovë për angazhimin e tij në pajtimin e hasmërive të familjeve të ndryshme, sidomos në rajonin e Dukagjinit. Ai ka treguar se është i gatshëm që të ndërmjetësojë në pajtimin e këtyre dy familjeve.
“Meqë dy familjet janë përkrahëse të Trumpit, atëherë besoj që familja Kirk do ta falte gjakun e mashkllit të vet. Ndërkohë, ftoj mbështetësit e tjerë të Trumpit në Amerikë për qetësi dhe vetëpërmbajtje.” – ka thënë z. Haradinaj në një prononcim para gazetarëve.
Nuk dihet nëse kjo përpjekje e z. Haradinaj lidhet edhe me sanksionet e fundit që ShBA-ja i vuri Kosovës duke e pezulluar një farë dialogu strategjik për të cilin doli se kishin dëgjuar të gjithë shqiptarët anë e mbanë, përfshirë poetin Ben Blushi.
Në anën tjetër, edhe pse familja Kirk mund të shprehë gatishmëri për faljen e gjakut të birit të tyre, Charliet, kjo ndoshta nuk mund të vlejë edhe për mbështetësit e Donald Trumpit që po vazhdojnë me retorikë nxitëse e përçarëse.
*Shiko rubrikën në të cilën ndodhet ky artikull për të vlerësuar seriozitetin e tij.