E shtunë, 19 Prill, 2025

Donika: Shqetësimi për prindërit po ma shkatërron jetën, çka nëse…

MendjeDonika: Shqetësimi për prindërit po ma shkatërron jetën, çka nëse...

Verës u martova. Burri më do. As s’ma prishë e as s’ia prishi. Jetojmë në një banesë bajagi komode në Prishtinë. Dytë punojmë. Të ardhurat s’janë hajmedet por s’është aq keq sepse s’bëjmë harxhime kushedi çka.

Në përgjithësi, kur e mendoj veten ku kam qenë e ku jam… dallimi është si nata me ditë. Jam njëqind herë më mirë se që e kisha mendu veten kur më la burri i parë. Më rrahu për herë të fundit dhe më la. Më dëboi prej shtëpie dhe më la në rrugë. Bërtiste si i trentë se e kisha tradhtu por s’e besonte as vetë. Donte me u nda prej meje, veç pse e gjeti një tjetër. Unë mbeta midis rruge dhe sillesha me valixhe prej shoqes në shoqe derisa mu duk që e teprova. Pastaj prej motelit në motel derisa mu harxhuan paret. Dhe në fund, i tregova nënës që isha nda e u ktheva në shtëpi.

Në atë kohë as që më shkonte ndërmend se një ditë do të martohesha prapë. Isha e bindur se do të plakesha e vdisja në shtëpinë e prindërve duke u përkujdes për ta.

E, çka kam tash? Pse kaq keq?

Puna e babit e nanit.

Babi parvjet ka dalë në pension. Vjet vdiq Artoni, shoku i tij më i ngushtë. Prej atëherë, ai s’del kurrkah hiç. Rri veç vetë gjithë ditën. Flet me nanin nganjëherë, rrallë. Dhe më së shumti thjesht këqyr televizor. Vetmia e tij po më mundon shumë. Dje e vizitova. Më pyeti qysh isha unë e burri sa për me la gojën dhe i ktheu sytë kah televizori e s’më foli më. Televizori po shfaqte reklama. Por, ai po bëhej sikur bash ato reklama i interesonin veç sa mos me folë me mu.

Kur i thashë nanit se më brengoste babi, ma ktheu se “jeta pa punë kështu e ka”.

Nani është një vit para pensionit. Gjithë jetën ka qenë amvise, edhe pse shpesh e ka shprehë ëndrrën që me punu diçka jashtë shtëpie. Bile, para nja pesë vjete ia nisi me punu si pastruese në një shtëpi të komshive. Ama, punonte tinëz sepse e dinte që babi s’do ta linte. Fundja, s’ishim aq keq me pare. Kur babi e zbuloi, krisi lufta mes tyre dhe ajo e la atë punë dy javë pasi ia kish nisë.

“Pasha qato dy javë,” – ma përsëriste sa herë që shkonte llafi te dëshira e saj me punu (e llafi shkonte gjithë).

Tash që periudha e pensionit po vinte, nani po bënte gjithçka që mundej me kthy ëndrrën në realitet. Ma tha që kjo ishte përpjekja e saj e fundit me gjetë punë sepse sapo të dilte në pension kish me u dorëzu.

Po provoj edhe unë me ia gjetë një punë. Por, s’po mundem. Është zor me e punësu një 64-vjeçare me shkollë të mesme e pa përvojë pune.

Më mundon deri në asht kjo përpjekje e nanit. Kur ishte veç ëndërr, më bënte me qeshë sepse më dukej simpatike.

Por, tash kjo ëndërr e vogël e saj po shndërrohet në makth dhe unë po druhem për të. Siç druhem shpesh kur ajo më tregon se u refuzua prej një marketi a prej një lulishteje a prej një çerdheje. Qysh me ngushëllu? E druhem edhe kur më kallëzon që babi është aty para televizorit, si gjithë.

Kur e fola me burrin, ai ma ktheu bajagi keq. Më tha mos me e thirrë nanin hiç një kohë. Beson që ato thirrje e ato vizita të shpeshta te ta po më bëjnë keq.

Edhe unë besoj ashtu. Ama, qysh mundem unë mos me shku te nani e mos me ia çelë telefonin? Kjo s’është zgjidhja. Apo…?

A mundeni me pasë empati të tepruar?

Lexojeni artikullin e mëposhtëm:

A mund ta teproni me empati?

*Emri i personazhit është fiksional. Rrëfimi është i edituar. Dërgo rrëfimin tënd në [email protected].

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: