Administrata publike ka ardhë në një pikë pjekurie kritike dhe nuk mundemi me u sjellë sikur jemi ende në vitet e para të shtetit. Atëherë na duhej me e mbush hapësirën institucionale, me e pasë shtetin të dukshëm e funksional në bazë. Pagat ishin të vogla dhe ndërrimet e shpeshta të pushteteve kanë krijuar valë suksesive punësimesh në administratë dhe ndërmarrje publike.
Tani jemi në fazën kur cilësia duhet me e zëvendësu sasinë. Me këtë vëllim zyrtarësh lokalë, qendrorë e institucionalë, aparati rrezikon me u bo një trup i rëndë që i thith paret dhe energjinë e shoqnisë, pa e kthy mbrapsht vlerën që pritet prej tij. Çfarë shteti po ndërtojmë dhe çfarë marrëdhënie po krijojmë mes qytetarit, punës dhe institucioneve?
Në këtë moment fushate parazgjedhore pres një angazhim crystal clear nga partitë në garë se me ardhjen e tyre në pozitë nuk do të ketë fryrje të mëtutjeshme të administrates por pikërisht një downsizing të saj të përcjellë me masa reale në këtë drejtim.
Për bindjen time, duhet adoptuar një parim të thjeshtë por me ndikim të thellë:
Largimet natyrale s’duhet me u mbyllë me çdo kusht me punësime partiake apo nepotiste, por si mundësi me e riorganizu sistemin përbrenda. Kur një zyrtar del në pension, duhet tejkaluar reagimi automatik i konkursit të jashtëm. Në shumë raste, ajo pozitë mundet me u ridizenju, me u bashku me një tjetër, ose me u mbush nga dikush brenda që e ka përvojën dhe e ka tregu veten. Kjo strategji e moszëvendësimit automatik krijon një vakum që s’është bosh, po krijues: hap rrugë për ngjitje meritore, e e thyen stagnimin ku njerëzit presin me dekada derisa t’u vijë radha. Kur një zyrtar e din që ka lëvizje reale, ai e merr punën seriozisht, se e sheh shansin me u rrit profesionalisht.
Kursimi që del prej kësaj qasjeje është kapital që duhet me u përdor për me e rrit dinjitetin e atyne që bartin ma shumë përgjegjësi me paga ma të drejta dhe kushte ma profesionale. Këtu lidhet edhe ajo ideja e dinjitetit fiskal: shteti s’ka të drejtë me ia lanë gjeneratës tjetër barrën e një administrate të fryme veç pse sot s’po kemi guxim me e rregullu, dhe pse sot kemi interesa partiake dhe nepotiste. Me e fry administratën pa nevojë është borxh i fshehur ndaj të ardhmes.
Por downsizing vetë s’e kryn punën. Një administratë e madhe, nëse është e copëzuar, sillet si organizëm që s’i ndien gjymtyrët e veta. Sot shumë institucione funksionojnë të ndame, me procese që s’lidhen dhe me përgjegjësi që përsëriten. Kjo prodhon vonesa dhe lodhje për qytetarin. Zgjidhja këtu nuk është me shtu edhe një zyrë tjetër për koordinim, po me e rritë lëvizshmërinë e brendshme. Transferet ndërsektoriale dhe ndërinstitucionale, të shoqëruara me riaftësim, e bojnë shtetin me qarkullu dije, jo me e mbajtë të mbyllun nëpër sirtarë. Ka një lloj dijeje që s’e gjen në ligj as në manual, po e mban njeriu që e ka kry punën me vite – tacitknowledge. Kur ky njeri lëviz brenda sistemit, ai e shpërndan atë përvojë aty ku duhet, e i thyen muret e vogla burokratike që i kanë ndërtu institucionet mes vete. Rezultati është administratë ma polivalente, ma fleksibile dhe ma pak e varun prej një individi a një zyre të vetme.
Një reformë e brendshme e tillë ka edhe një efekt tjetër të madh: e dobëson politizimin. Sot punësimi dhe avancimi shpesh ndikohen nga përkatësia partiake ose lidhjet e ngushta, deri në atë masë sa hulumtimet sugjerojnë se një pjesë e madhe e punësimeve s’janë meritokratike. Kjo e gërryen identitetin profesional të zyrtarit. Kur njeriu e din që pozita s’i ka ardhë prej aftësisë po prej dikujt që e ka shti, ai e humb autonominë morale: i detyrohet patronit, jo ligjit. Dhe kur kjo bahet normë, administrata shndërrohet në klientelë politike, jo në shërbim civil. Nëse rubineti i punësimeve të panevojshme prej jashtë mbyllet dhe sistemi detyrohet me u rritë përbrenda, patronazhi e ka shumë ma vështirë me hy. Avancimi prej brenda, kur bëhet me kritere të qarta pune, e rikthen etikën profesionale të burokracisë racionale: autoriteti buron prej kompetencës teknike, jo prej telefonit të dikujt.
E thotë këtë edhe miku im, filozofi autodidakt B. Hysenaj; ai kërkon të vendoset etikaWeberiane në burokraci: një sistem racional, të depolitizuar, ku autoriteti buron nga kompetenca teknike. “Zyrtari që avancohet sepse është i aftë dhe sepse sistemi ka nevojë për të, fiton një autonomi psikologjike dhe profesionale të pashoqe. Ai nuk i detyrohet askujt për pozitën e tij përveç punës së vet, duke u shndërruar kështu nga një vartës i politikës në një gardian të interesit publik”, thotë ai me të drejtë.
Krejt kjo duhet me u lidhë ngushtë me digjitalizim real. Procedurat manuale, shkresat pa fund dhe sportelet që kërkojnë prezencë fizike për punë rutinë janë formë moderne e humbjes së kohës. Digjitalizimi digital-by-default është mjet për me e çliruar njeriun prej punës mekanike. Shteti nuk ka pse me e shti qytetarin me sjell dokument që shteti veç e ka diku në databazë. Parimi duhet me qenë vetëm një herë: qytetari jep të dhënën një herë, e institucionet i shkëmbejnë mes vete. Platforma si e-Kosova kanë bërë hapa, po nëse shërbimet nuk janë prej fillimit deri në fund online, nëse mungon identiteti elektronik dhe nënshkrimi digjital i plotë, atëherë digjitalizimi mbetet gjysmak. Qëllimi është i qartë: algoritmi le ta kryn rutinën, zyrtari le të merret me rastet ku duhet gjykim, jo veç vulë. Kështu zyrtari matet me cilësinë e zgjidhjeve, jo me numrin e vulave.
Në fund të ditës, logjika është kjo: shteti i vogël nuk është shtet i dobët. Shteti i vogël e i mençur është ai që ndërhyn pak, po saktë; që ka administratë sa i duhet për funksionet bazike, po të zgjedhun mirë, të pagum drejtë dhe të mbajtun nën standard profesional. Zvoglimi përmes attrition, rritja e meritës përbrenda, lëvizshmëria e dijes dhe digjitalizimi serioz janë katër shtylla që e kthejnë administratën prej barre në mjet. Nëse s’e bëjmë këtë kalim tash, aparati veç ka me u rëndu ma shumë, e pastaj çdo reformë ka me qenë më e shtrenjtë dhe ma e dhimbshme.
I kam lexuar programet. Vetëvendosje premton moszëvendësim automatik të largimeve natyrale, digjitalizim të plotë dhe lëvizshmëri të brendshme për një shtet të lehtë e meritokratik, ka nominuar Lulzon Jagxhiun si bartës të mundshëm të një ministrie të re për Administratën Publike, si sinjal i qartë se reforma nuk mbetet në fjalë. LDK sfidon me ulje 20-30% të pozicioneve qendrore e lokale, ligj për attrition dhe rritje pagash për meritokratinë e vërtetë; PDK premton 15-25% prerje me auditim të plotë dhe eliminim punësimesh partiake. I kemi dëgjuar këto edhe më parë, por ja që në kompaninë Pastrimi tani ka më shumë zyrtarë që sillen zyreve, se sa punëtorë në terren – e bërlloku mbetet në lagje.
Duam akte – jo llafe.
Downsize now!
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).