Në vigjilje të Pavarësisë së Kosovës po luhej derbi më i madh i futbollit të Italisë: Juventus-Inter. Po komentonte Andin Lokaj.
Edhe pa e thënë asnjë fjalë Andini, kjo përbënte në vetëvete një ngjarje kombëtare. Ishte pjesë e kujtesës tonë kolektive. E shenjon një rikthim në vitet e para të pasluftës kur si një popull i varfër e me trauma lufte provonte me u argëtu në çkado që shfaqnin tri televizionet e vetme kombëtare atëbotë (RTK, KTV, 21).
Andini, pjesë e kujtesës kolektive
Ashiqare, futbolli italian – që transmetohej ilegalisht nga KTV-ja – ishte mes atyre pak argëtimeve. Veç imagjinojeni një natë të zakonshme në Kosovën e vitit 2002. Pa internet. Po çfarë interneti, shpesh s’kishte as rrymë. E kur kishte rrymë, shfaqeshin lajme politike që na thernin në palcë (sa kishim dalë prej lufte, o hej).
Terr, frikë e monotoni! Kur nga televizori – që rrinte i ndezur gjithë kohën shkaku se traumat tona na e bënin të padurueshme vetminë – një zë i lartë bërtiste e bërtiste me pasion. Ishte Andin Lokaj. Dhe bërtiste për diçka që s’kishte lidhje me politikë.
Ato piskama, ai zell i madh në komentim, e rrasën një komb të tërë (të paktën shumicën e varfër të tij) në narrativën e futbollit italian që sendërgjohej javë pas jave.
Andin Lokaj – me a pa dashje – ia zbuti ankthin politik një shoqërie traumatike. E zhyti në ankthin e ndeshjeve si Chievo-Milan, Roma-Parma, Lazio-Sampdoria. Dhe në atë narrativë futbolli italian s’kishte ngjarje më të madhe se ajo mes dy ekipeve më të forta: Juventus-Inter.
Komentimet e Andin Lokajt s’ishin asnjëherë konvencionale. Përjetimi i tij për një ndeshje që po luhej mijëra kilometra larg nesh ishte i pazakontë. Por, mirë a keq, ishte ajo që na i formësoi plot netë bajate në Kosovën e varfër e traumatike të asaj kohe.
Andini ishte kontrovers. Jepte gjykime e ofendime me arbitraritet të paparë. E shpërfaqte idiosinkrasinë shoqërore nëpërmes frazave e fyerjeve tona – veç tonave – që deri atëherë s’e besonim se i përkisnin botës publike.
Hajvani
Andin Lokaj mbrëmë eskaloi. Më poshtë e keni të transkriptuar çdo fjalë që ai e tha në videon që është bërë virale tashmë:
“Veç, veç një dëshirë e kam sonte! E dëshira ime më e madhe është që kryeministri jonë aktual – që është më hajvani n’histori t’njerëzimit – të mos më dëgjojë sonte… se me ditë që ai më dëgjon sonte une… qitash e nali komentimin edhe iki te shpija! Kryeministri më hajvan n’histori. E tash vazhdojmë! Juveeee! Kjo është atmosfera evropiane… që kryeministri jonë nuk e ka n’shpirt. Kryeministri, po çfarë kryeministri bre ky… E bëra këtë hyrje për shkak të asaj që… ne jemi evropianë… E ky që na udhëheq nuk është!”
Pra, Andin Lokaj e quajti ‘hajvan’ kryeministrin Albin Kurti. I tha nja dy fjalë politike në fillim të një ndeshjeje futbolli. E fyu njeriun më të pushtetshëm në Kosovë, dhe bum, krisi kiameti.
Andini u poshtërua nga punëdhënësi i tij e linçua nga masat. Artmotion – ku transmetohej ndeshja – e ndërroi si komentator në pjesë të dytë. Ngjarje e pangjarë deri tash. Në anën tjetër, në rrjete sociale u dhunua verbalisht nga përplot njerëz.
Çka ndodhi me lirinë e shprehjes dhe demokracinë? Papritmas, na del që s’lejohet fyerja e njerëzve të pushtetshëm?
Presidenti amerikan fyhet miliona herë më keq në televizione miliona herë më të mëdha. Qe një përmbledhje. Por, s’i duket liria e shprehjes mbaron aty ku fillon mospajtimi ynë.
“Liria e shprehjes mbaron aty ku fillon mospajtimi im!” – Populli
Çka e nxiti atë shpërthim?
Andin Lokaj duket qartazi i rrëmbyer nga atmosfera e krijuar në ndeshjen Juve-Inter. Është një rrëmbim që e kuptojmë të gjithë ne që i përjetuam ato vite terri të pasluftës. Është një përjetim që s’përkthehet në kultura tjera, meqë buron nga një trivialitet që na përket veç neve.
Në një moment, Andini bile edhe nis këngën me tifozët e Juventusit. “Juve” – bërtet mes dy momenteve ku fyen kryeministrin. Të rëndësishme janë sidomos këto fjalë:
“Kjo është atmosfera evropiane… që kryeministri jonë nuk e ka n’shpirt. Kryeministri, po çfarë kryeministri bre ky… E bëra këtë hyrje për shkak të asaj që… ne jemi evropianë… E ky që na udhëheq nuk është!”
Mund të jetë një kritikë mbi gjendjen e keqe në stadiumet tona të futbollit? Ndoshta një kontrast mes ndjesive të tij për kryeministrin – që e konsideron joevropian – dhe asaj atmosfere evropiane.
Çështja është përjetimi. Andin Lokaj përjeton aq thellë ndeshjet sa në plot prej tyre i merr si fyerje personale disa gabime nga lojtarët apo trajnerët.
Natyrisht, me këto cilësime s’pajtohemi as ne (fundja, futbolli moti ka dalë përtej Evropës) por duhet ta mbrojmë lirinë e Andin Lokajt për t’i shprehë ato.
“Kjo është kjo!” – që thotë Andin Lokaj.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).