E shtunë, 19 Korrik, 2025

Ermonela Jaho – Eklipsi i së zakonshmes dhe sublimimi i shpirtit artistik në Prishtinë

KulturëErmonela Jaho – Eklipsi i së zakonshmes dhe sublimimi i shpirtit artistik në Prishtinë

Në një hapësirë publike që zakonisht përjeton zhurmën e përditshmërisë, sheshi “Skënderbeu” i Prishtinës u shndërrua, për një mbrëmje të vetme, në një tempull të shpirtërores. Nën dritën e zërit të Ermonela Jahos, sopranoja që mbart në zërin e saj jo vetëm teknikën më të lartë vokale por edhe një intensitet etik dhe emocional të rrallë, improvizimi skenik i kryeqytetit u tejkalua përmes një forme të lartë të përjetimit estetik.

Në atë çast, kushdo që ishte aty, dëshmoi se arti, kur është i vërtetë, nuk është më produkt i kushteve – por premisë e ndërgjegjes dhe transformimit. E shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Jakopo Sipari di Pescasseroli, Ermonela Jaho nuk ofroi një koncert në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por një ritual të thellë emocional ku publiku nuk ishte më spektator, por bashkëpjesëmarrës në procesin e mishërimit të personazheve operistikë.

Në një kohë kur estetika shpesh reduktohet në efektshmëri dhe shfaqje, Jaho erdhi si një rikthim te forma e pastër e katarsisit aristotelian, ku arti nuk është më dekor, por mjet për të çliruar njeriun nga vetja e përditshme. Interpretimet e saj nuk ishin vetëm muzikale, ato ishin gjendje ontologjike, ku çdo notë bartte një peshë etike dhe çdo heshtje shpaloste një univers ndjenjor të pathënë.

Me thjeshtësinë që e karakterizon dhe me një prezencë që përngjan më shumë me përulësinë e një misionareje të artit sesa me shkëlqimin e një dive, Ermonela Jaho e bëri skenën e Prishtinës të duket si një shtrirje natyrore e “Royal Opera House”, “Metropolitan Opera”, “La Scala”, apo “Bayerische Staatsoper”, ku ajo ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Në këtë kontekst, ajo nuk solli vetëm tingujt e disa prej arieve më të vështira të repertorit botëror, por një etikë të performancës, ku çdo hyrje në një rol ishte edhe një hyrje në një tjetër përmasë të shpirtit njerëzor.

Repertori përfshinte ndër të tjera ariet “Ave Maria” nga Otello e Verdit, “Io son l’umile ancella” dhe “Poveri fiori” nga Adriana Lecouvreur e Cileas, “Sola, perduta, abbandonata” nga Manon Lescaut e Puccinit, “Un bel dì vedremo” nga Madama Butterfly, si dhe “Addio del passato” nga La Traviata. Por lista e veprave është vetëm forma – përmbajtja e vërtetë ishte mënyra sesi ajo i përjetësoi ato në vetë trupin e saj performues, duke i kthyer në figuracione të dhimbjes, dashurisë, humbjes dhe faljes.

Publiku, i grishur nga fuqia transformuese e interpretimit të saj, u zhvendos nga pozita e konsumatorit të një ngjarjeje kulturore në atë të dëshmitarit të një përvoje ekzistenciale. Në një vend që shpesh e përjeton mungesën si përditshmëri, Jaho solli mbushjen – jo të një salle koncertale, por të një boshllëku më të thellë: të nevojës për përjetim të së bukurës dhe të së vërtetës.

Çmimet që ajo ka marrë – “Artistja e Vitit” në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike, “Këngëtarja më e mirë” në çmimet “Oper” në Gjermani, dhe “Artistja më e mirë e huaj” në “Opera XXI” në Spanjë – janë vetëm konfirmime institucionale të një të vërtete që skena e Prishtinës e përjetoi në mënyrë të drejtpërdrejtë: Jaho nuk është vetëm një soprano e madhe. Ajo është një figurinë morale e artit, një urë ndërmjet emocioneve të njeriut të përditshëm dhe sublimes që vetëm muzika mund t’i shpalosë.

“Koncert të tillë nuk mbaj mend që kam dëgjuar. Një falënderim i jashtëzakonshëm për këta artistë të mrekullueshëm, këtyre instrumentistëve të Operës, të Filharmonisë dhe maestros Sipari. Falënderoj të gjithë ata që organizuan këtë koncert kaq të bukur dhe qoftë një ogur i mirë që herës tjetër, një koncert të tillë ta bëjmë në shtëpinë e Operës së Kosovës. Po e mbylli koncertin me një arie që është e gëzuar “O mio babino Caro”, I është drejtuar Ermonela Jaho nga skena ku këndonte publikut.

Ajo ka rrëfyer edhe për një moment të cilin e ka përjetuar gjatë provave.

“Jam prekur mbrëmë sepse bëmë një provë dhe kur po këndoja “O mio babino caro”, ishin këtu disa fëmijë për të cilët thashë se mendojnë, “çfarë po bërtet kjo teta”. Por ata po kërcenin me mua. Mendoj për atë brez të ri, ne kemi një detyrim kaq të madh qe t’u japim kaq shumë dashuri dhe t’u japim mundësinë të qëndrojnë në vendin e tyre”, ka thënë Jaho.

Jacopo Sipari për magazinën TJETËR ka thënë se është i specializuar në opera dhe dirigjimi i operës është më ndryshe se dirigjimi simfonik, sepse duhet, para së gjithash, ta ndieni këngëtaren,  për shembull, Ermonela, ajo po ju tregon historinë e jetës së saj, pra, nuk mund të jetë thjesht muzikë.

“Mendoj se kjo është shumë e vështirë për t’u bërë, sepse duhet t’i dini shumë mirë partiturat, keni të kuptosh shumë mirë se çfarë është brenda këtij kursi, dhe të kesh një marrëdhënie të mirë, duhet të kesh një marrëdhënie të mirë me këngëtarët, sepse mendoj se veçanërisht në këtë lloj performance është absolutisht e rëndësishme ta bësh këtë” ka thënë Sipari.

Sipari është shprehur se një dirigjent në një koncert të tillë e përjeton si muzikë, si dramë, si filozofi të ndjenjës njerëzore, pra ka një lidhje me të gjitha këto. Duhet, para së gjithash të kuptosh njerëzit,  të ndjesh emocionet që njerëzit mund të kenë në zemër. Sepse kjo nuk është muzikë, është thjesht një përkthim i jetës. Dhe Ermonela është me të vërtetë e vetmja që mund ta transmetojë këtë me zërin e saj, nuk di si ta them, asaj i pëlqen të këndojë për jetën, dhe ajo është e vetmja në botë që mund ta bëjë këtë.

“Si dirigjent, mendoj nëse duhet t’i dish të gjitha këto gjëra, duhet të kujdesesh për ndjenjat e njerëzve, duhet të kesh kujdes, veçanërisht me muzikantët, duhet ta kuptosh këtë pikë”, ka thënë Sipari.

Violinistja Blerta Halimi për magazinën TJETËR ka thëne se që nga prova e parë e ka pasur një emocion shumë të veçantë duke pasur parasysh se do të interpretojnë  vepra të bukura dhe duke paramenduar se bashkë me ta është edhe solistja e njohur Ermonela Jaho.

“Ka qenë një ndjenjë shumë e veçantë dhe koncerti ështe vështirë të përshkruhet me fjalë e gjithë kjo na ka dhënë emocione dhe pastaj kemi dhënë energji shume të mirë gjatë interpretimit”, ka thënë Halimi

“Koncertet në ambiente të jashtme janë më ndryshe sesa në ambiente të mbyllura, duke i marrë parasysh faktorët natyror si erërat po edhe faktorë të tjerë, por sot ka shkuar shumë mirë. Gjithashtu kemi qenë në bashkëpunim me Operën dhe Filharmoninë, kemi pasur një orkestër më të madhe se zakonisht, por edhe gjatë provave edhe në koncert kemi pasur organizim shumë të mirë, pa e harruar dirigjentin i cili ka qenë i jashtëzakonshëm”, është shprehu ajo.

Në një kohë ku shumëkush flet për krizë të identitetit kulturor, prania e Jahos në Prishtinë ishte një kujtesë se arti nuk është luks, por nevojë themelore e shpirtit njerëzor, një përpjekje e përhershme për të tejkaluar kontingjencën e ekzistencës dhe për t’i dhënë kuptim asaj. Dhe në këtë përpjekje, Ermonela Jaho u shfaq si një metamorfozë e artit në njeri dhe e njeriut në art.

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: