Faruku* nuk e mendonte kurrë veten si dikush që vuan prej ankthit. Ai ishte asi njeri që krenohet me aftësinë e tij me qëndru i fortë pavarësisht prej situatës. Si babë i dy fëmijëve, i zënë me punë me orar të gjatë me një detyrë shumë të rëndë në një korporatë, ai besonte se stresi ishte thjesht pjesë e punës – një farë simboli nderi që tregon se po punon fort.
Por më pas, nga hiçi, nisën sulmet e panikut.
Herën e parë që ndodhi, Faruku ishte në mes të një takimi pune. Zemra e tij filloi me rrahë shpejt, shuplakat e duarve i ishin zhytë në djersë dhe papritmas ndjeu një shtrëngim në gjoks. Ai mendonte se ndoshta e hëngri prej ndonjë virusi, a më keq, kishte sulm në zemër. Por simptomat nuk u larguan. Ato u përkeqësuan.
“Më dukej sikur po vdisja,” ma tha Faruku në seancën tonë të parë. “Nuk mundesha me marrë frymë, gjoksi më ishte shtrëngu, mu morën mendtë dhe u binda se kishte diçka serioze. S’isha në formë të keqe fizike, por nuk flija mirë dhe ndihesha sikur po çkyhesha mes angazhimeve të punës dhe familjes.”
Pas vizitave të shumta te mjeku i tij i përgjithshëm dhe madje edhe një vizite në dhomën e urgjencës – të cilat përjashtuan çfarëdo problemi fizik – një mjek i tha Farukut se mund të kishte qenë sulm paniku. Pas bisedave me mjekun e tij, Faruku e kuptoi se sulmet e panikut janë mjaft të zakonshme. Në fakt, 40% e australianëve munden me përjetu një sulm paniku një ose dy herë në jetën e tyre, dhe 5% mund të vuajnë nga çrregullimi i panikut. Dallimi qëndron në faktin se një sulm paniku ndodh në mënyrë të çrregullt dhe zakonisht vetëm një ose dy herë në vit, ndërsa ata që diagnostikohen me çrregullim paniku përjetojnë sulme të përsëritura dhe të rregullta.
Në fillim, Faruku ishte i hutuar. Stresi ishte gjë normale, apo jo? Krejtve iu ndodhë. Pse ndihej sikur trupi i tij po dorëzohej? Kaluan disa javë derisa më në fund vendosi me caktu një seancë terapie. Veç kur shkoi në terapi ai filloi me kuptu për shtresat më të thella të çrregullimit të tij të panikut. Ai e kuptoi se sulmet e panikut erdhën shpejt dhe u ndje sikur zgjatën për një përjetësi, duke e lënë atë me një ndjenjë të fortë të trembje. Ato shpesh zgjasin deri në 30 minuta, ku 10 minutat e para janë më ekstremet.
‘Tenxherja me presion’: Puna dhe Familja
Për vite me radhë, Faruku po e duronte një ngarkesë të pamenaxhueshme me punën në një anë dhe të qenit baba i dy fëmijëve (6 dhe 4 vjet) në tjetrën. Puna e tij në bankë ishte me orar të gjatë, udhëtime të vazhdueshme dhe afate të parealizueshme. Në shtëpi, ai shpesh ndjehej sikur po dështonte. “Doja të isha i pranishëm për fëmijët e mi, por gjithmonë isha shumë i lodhur ose i hutuar,” tha ai. “Ndihesha sikur nuk isha i mjaftueshëm.”
Gruaja e Farukut ishte përpjekë të fliste me të për atë gjendje, por ai e injoronte. “Unë i thoja, ‘jam mirë. Është thjesht kohë e ngarkuar.’ Por e vërteta ishte se nuk doja me pranu se po mbytesha.”
Zbërthimi i së kaluarës
Në terapi, ne filluam me eksploru jo vetëm për atë që i shkaktonte stres tash por edhe në fëmijërinë e tij. Faruku u rrit me një familje ku emocionet nuk fliteshin. Baba i vet, një burrë i rreptë, e shihte të qenit i lënduar si dobësi. “Me qajtë s’ishte opsion,”– kujtonte Faruku. “Thjesht duhet me vazhdu tutje, dhe qysh herët, baba ma futi në krye rëndësinë që kishte suksesit e të punës. Nëse nuk e fitoja ndonjë ndeshje futbolli, ai s’më fliste tërë ditën e gjatë. Pastaj më thoshte me u stërvitë më fort.”
Kjo mendësi stoike vazhdoi edhe gjatë moshës madhore, kur Faruku mësoi qysh m’i fshehë emocionet në vend se me u përballë me to. Por tensioni i pazgjidhur s’u zhduk. Ai vlonte në brendi, duke e pritë momentin e duhur me shpërthy.
Në një seancë ne pamë qysh trauma në fëmijëri e formësonte reagimin e trurit ndaj stresit. Presioni konstant në punë e në shtëpi e kishte nxitë sistemin e tij therr-a-therrja (fight-or-flight), duke çu në sulme paniku.
Ecja përpara
Me ia dalë mbanë ka qenë proces i ngadaltë e jo-vijëdrejtë për Farukun. Ai tash i jep prioritet kujdesit për veten – diçka me të cilën tallej më herët. Ushtrimet e rregullta, vëmendshmëria dhe përcaktimi i kufijve në punë u bënë gjëra të panegociueshme për të. Ai po mësonte gjithashtu me qenë më i hapur me familjen dhe i jep prioritet kalimit të kohës cilësore me dy fëmijët.
Ndërsa në fillim Faruku ishte rezistent ndaj mendimit për psikoterapi, me mbështetje të familjes dhe miqve të ngushtë, procesi e ndihmoi me shtjellu historinë e jetës së tij, emocionet e pashprehura dhe aftësinë me folë haptas para atyre që iu beson – për jetën e brengat. Mendimet e tepërta që përsëriten e përsëriten – të cilat shpesh kishin me çu drejt ndjenjës së dërrmimit e për rrjedhojë drejt sulmeve të panikut – i janë ulë.
“Për herë të parë kur i thashë gruas time sesa i dërrmuar isha, ndjeva lehtësim,” – foli Faruku. “S’e kisha kuptu sa shumë kisha mbajtë brenda dhe e pranova se në fakt kjo ma bënte jetën e marrëdhëniet e mia më autentike e më të vërteta. Ka qenë proces mësimi por tash ndihem rehat me nda se qysh po ndihem për veten, jetën e raportet e mia.”
Rrëfimi i Farukut është një përkujtim se stresi nuk është diçka që mundet me u injoru ose me u kalu me forcë. Mund të jetë mënyra e trupit për me na kërku që të ndalemi e të dëgjojmë. Edhe pse trajtimi i tij mund të jetë i pakëndshëm, është hapi i parë drejt shërimit. “Unë mendoja se të kërkoja ndihmë ishte një shenjë dështimi,” tha Faruku. “Tani e shoh si forcë. Ju s’ka pse me mbajtë këtë barrë veç vet.”
*Të gjithë klientët e diskutuar kanë emra imagjinarë.
Artikull i botuar më 16 shkurt 2025 në The Guardian. Përkthyer nga Tjetër*.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).