E diel, 19 Tetor, 2025

Fëmijët në Hardh Fest: midis përgjegjësisë së munguar dhe dhunës së heshtur kulturore

KulturëFëmijët në Hardh Fest: midis përgjegjësisë së munguar dhe dhunës së heshtur kulturore

Hardh Fest është një festival me rëndësi kulturore dhe turistike në Kosovë, që me vite të tëra ka afirmuar Rahovecin si kryeqendër të vreshtarisë dhe verës. Por, në të njëjtën kohë, ky festival ka nxjerrë në pah edhe një problem që shpesh fshihet pas euforisë kolektive: prania e fëmijëve në hapësira ku dominon muzika e zhurmshme, konsumimi i alkoolit dhe atmosfera e të rriturve deri në orët e vona të natës.

Pjesëmarrja e fëmijëve nën moshën 16 vjeçare, madje edhe fëmijë 2–3 vjeçar të cilët shihen në krahët e prindërve të tyre nga ora 20:00 e deri pas mesnate, në vend se të ishin në shtretërit e tyre dhe ne gjumë, janë shembulli më i qartë i një shkeljeje të ritmit natyror. Në filozofinë antike, Aristoteli e shihte jetën e mirë si përputhje me natyrën, kurse këtu është e kundërta, kemi të bëjmë me një dëmtim të harmonisë natyrore.

Por në këtë pikë ngrihet pyetja: a e kanë trajtuar ndonjëherë organizatorët e Hardh Fest-it çështjen e pranisë së fëmijëve të vegjël në një ambient që nuk është i krijuar për ta? A është marrë ndonjë masë për të mbrojtur ritmin biologjik të tyre, apo prania e tyre thjesht  është toleruar si “normale” dhe iu është besuar prindërve që të jenë përgjegjës.

Ekspozimi i fëmijëve ndaj një realiteti që nuk i takon moshës së tyre krijon një formë dhune simbolike – dhunë që lë gjurmë të dukshme, dhe që deformon përvojën e tyre të hershme me botën.

Normalizimi i alkoolit dhe dhuna kulturore

Një nga aspektet e dëmshme të kësaj pranie është ekspozimi i fëmijëve ndaj normalizimit të alkoolit. Në një festival të tillë, vera dhe pijet janë jo vetëm pjesë e ofertës gastronomike, por edhe simbol qendror i festës. Për të rriturit, kjo është traditë, ndërsa për fëmijët është përballja e parë me një kulturë ku alkooli perceptohet si kusht i gëzimit dhe i shoqërimit.

Filozofi francez Pierre Bourdieu do ta quante këtë një formë dhune kulturore, në të cilën norma e të rriturve shndërrohet në standard edhe për fëmijët. Ata mësohen herët të pranojnë se gota e ngritur është simbol i gëzimit, dhe jo një element i diskutueshëm. Por, a ka pasur ndonjë reagim nga profesionistë të shëndetit mendor apo nga ndonjë organizatë qoftë joqeveritare apo qeveritare, dhe këtu më nuk e kemi fjalon vetëm për Hardh Fest-in, por edhe për festivale të ngjashme, ku prania e fëmijëve është më se e zakonshme. Ky fenomen kalon edhe përtej festivaleve, e hasim edhe në përditshmëri, çdo ditë shohim të mitur të cilët blejnë cigare, apo edhe alkool në markete, pavarësisht se ato janë për prindërit e tyre. Megjithatë, kjo konsiderohet e dëmshme sepse e perceptojnë si normale blerjen dhe pirjen e duhanit dhe alkoolit për prindërit e tyre.  Këto ekspozime të hershme krijojnë një terren të favorshëm për internalizimin e ideve që, më vonë në adoleshencë, mund të çojnë në rritjen e konsumimit të këtyre produkteve dhe krijimin e varësisë nga to.

Përgjegjësia e munguar: prindërit dhe organizatorët

A do të duhej të trajtoheshin fëmijët si mjet për kënaqësinë e prindërve? Çdo akt i prindit që zgjedh të qëndrojë në festival në vend që të sigurojë gjumin e qetë të fëmijës së tij është një akt i mungesës së përgjegjësisë.

Por përgjegjësia nuk është vetëm individuale. Organizatorët e festivalit, të cilët kanë krijuar një hapësirë publike për argëtim, duhet të vendosin kufij etikë dhe praktikë. Ashtu siç ka rregulla sigurie për skenën, dritat dhe emergjencat, duhet të ketë edhe një rregull të qartë: ndalim të pjesëmarrjes të paktën për fëmijët nën 16 vjeç.

Pasoja shoqërore

Një shoqëri që nuk i mbron fëmijët, por i shndërron ata në një pjesëmarrje pasive në ritualet e të rriturve, është një shoqëri që rrezikon të prodhojë gjenerata me kufij të turbulluar mes botës së fëmijërisë dhe asaj të rriturve. Në vend që të krijojë hapësira të veçanta për fëmijët, ajo i hedh ata në botën e zhurmës dhe konsumit.

Por atëherë, a mund të konsiderohet ky fenomen si një formë e dhunës së heshtur kulturore, ku fëmijët shndërrohen në dekor të botës së të rriturve? Nëse po, atëherë kemi të bëjmë me një çështje më të thellë se sa duket – një krizë e vetëdijes kolektive.

Hardh Fest, me gjithë rëndësinë e tij kulturore dhe ekonomike, nuk duhet të lejojë që euforia e turmës të mbulojë të drejtën e fëmijëve për qetësi dhe siguri. Organizatorët duhet të marrin guximin për të vendosur rregulla të qarta, ndërsa prindërit duhet të kuptojnë se pjesëmarrja e tyre në festë nuk ka vlerë nëse bëhet mbi llogarinë e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve.

Fëmijët nuk duhet të jenë dekor në festën e të rriturve, është një fazë e shenjtë e jetës, që meriton të mbrohet nga çdo formë ekspozimi e cila konsiderohet e parakohshme ndaj botës së alkoolit, zhurmës dhe konsumit të tepruar.

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: