E diel, 20 Prill, 2025

Fjalimi i Unikkatilit që i zhgënjeu keq fansat e tij

KulturëFjalimi i Unikkatilit që i zhgënjeu keq fansat e tij

Poshtë e përpjetë nëpër Facebook po pëshpëritej të enjten për fjalimin e një reperi në varrimin e vëllait të tij. Ishin pëshpërima që e shprehnin si me marre një zhgënjim të thellë.

Ishte fjalimi i Unikkatilit, një reperi shqiptar që jeton në Amerikë. Reper që është dëgju me të madhe nga një pjesë e madhe e rinisë dhe ish-rinisë në Kosovë.

Zhgënjimi – që më vonë kaloi edhe në tallje – kishte të bënte me përmbajtjen e atij fjalimi. Ishte i cekët. Ishte i sikletshëm. Ishte për marre. E më the e të thashë.

“Na ka shti n’dyshime me qët fjalim a i ka shkru vet qato tekste të kongve?!”  – ishte komenti i njërit. “Çudi qysh ka ditë me i lexu tekstet ky, se me i shënu vet po dihet që jo.” – tha një tjetër.

Fjalimi

E dëgjova atë fjalim për me kuptu çka ishte puna. Po, fjalimi ishte tepër i dobët. Marrë parasysh që fjalimi në varrimet e krishtera është një institucion me shumë rëndësi, ai fjalim ishte… bërllok e gjysmë.

Unikkatili e ndau një kujtim për vëllanë, por të thënë aq keq sa…

“Ka shumë gjana që kisha mujtë me thon, ton ditën me ju majtë ktu. Po po nisna prej senit që kur jena kon n’vogjëli, përshemëll, Mentori u kon nifar sherri. Edhe une jom kon sherr po pak ma i vogël se ai… edhe tash, bojke sherre kështu ma shpesh… edhe u kon ni moment nihere qi une pata bo diçka… e baba jem na ndëshkojke nifar mënyre… edhe pse nuk u kon i dhunshëm… edhe, ka pasë ndodh nihere ni rast kur e pata bo une ni sherr edhe Mentori ma i vogël se une edhe baba e fajësoj ata. Edhe e maj men, ai e hongër ndëshkimin edhe me q* nonën nuk kallxoj që une e kom bo. Qaj u kon vllai jem.”

Siklet!

E më vonë, në nderim të kujtimit për të vëllanë e vdekur ai e quan edhe p*dh some”.

Nejse. Puna është se ky fjalim s’ishte më ndryshe se tekstet e tij. Ishte po aq i dobët ose po aq i fortë sa të gjitha tekstet tjera.

Muzika

Dëgjojeni këngën e fundit të publikuar në kanalin e tij në YouTube. Quhet “Rêja”. Është larg më e sikletshme se meselja në varrim. Me një sens të pabesueshëm megalomanie ai tregon për ngjarje krejt të kota të fëmijërisë. “…u rroka me do ujë t’nxehtë valë, e mandej u përvlova”.

Më pas, kënga vazhdon me oj nanë”; “oj nanë”; “oj nanë”. Unikkatili e paraqet një diskutim me nënën e tij, dhe tregon se po e ndjek një farë reje. Pra, e ka një farë mallkimi – me të cilin fryhet për ata që e kuptojnë – që e shtyn ta bëjë atë gjë që s’duhet.

Për dikë është aq e kotë sa s’do ta marrë veten për kohë të gjatë. E dikujt me gjasë edhe i ka pëlqyer. 1.7 milionë shikime.

Nëse dëgjoni këngët tjera, do ta kuptoni që në një anë kemi një imoralist që promovon dhunë kah të sillet (kështu e ka repi?) e një tjetrën një moralist që viktimizohet sa mundet. (kështu s’e ka repi?) Në odën e mendjes së tij, vetja është në krye të vendit. Një narcisizëm i zakonshëm në botën e vogël të këtij zhanri. Më andej, nana – diçka e çuditshme. Më poshtë kombi e feja. Diku më në mes një mixhë. E kështu me radhë.

Na rastisi ta dëgjonim për 7 mars – Epopeja e UÇK-së – një reper që quhej Gold AG. Kishte odë gati identike mendore si Unikkatili. Veç ndoshta meselet në varrime i ka më të mira?!

Pse një fjalim në varrim shërbeu si ekspozim i nivelit të reperit për kaq shumë njerëz? Ndoshta se… në imagjinatën e tyre reperi në botën reale fliste më bukur e më mirë se në atë virtuale? Njësoj sikur fansat e Mr. Bean të zhgënjeheshin sikur aktori edhe në jetën reale të sillej sikur Mr. Bean?!

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: