E martë, 9 Shtator, 2025

Franca në rrethrrotullim

PolitikëFranca në rrethrrotullim

Shkruan: Gazmend Demolli

Një javë. Një miliard.

Një tjetër javë. Edhe një miliard.

Çdo javë, një miliard lekë borxh i ri. Që nga fillimi i mandatit, Edi Rama mesatarisht e ka futur Shqipërinë në një miliard lekë borxh çdo javë. Dhe sa paguan vetëm për interes? Mbi një miliard lekë në javë.

Borxhi publik duket si mehlem i hoxhes: merr sot, paguaj nesër, ndërkohë bën ndonjë punë të mirë, lë emër, rizgjedhesh. Megjithatë, mbetet një pyetje e pakëndshme, krejt tokësore: a është borxhi, thjesht taksë e shtyrë për ata që s’kanë zë ende? Që nuk janë le? Nëse po, atëherë kemi hyrë në territorin e etikës, jo të makroekonomisë.

Dhe pikërisht ky tension moral po luhet sot në Francë, ku kryeministri Bayrou ka ngritur flamurin e alarmit ndaj financave publike dhe, pasi e ktheu borxhin në kauzë, i kërkoi Kuvendit një votë besimi—një test i zhveshur i vullnetit politik për të zgjedhur midis komoditetit afatshkurtër dhe disiplinës që kushton. Në një parlament të copëzuar, ku e djathta radikale dhe e majta e gjerë shohin secila arsye për të refuzuar dieten, Bayrou rrezikon të bjerë; por çfarëdo të ndodhë me qeverinë, borxhi mbetet aty, si gur mulliri rreth qafës së një ekonomie të plakur nga premtimet. Në këtë kuptim, politika e ditës është thjesht dritarja: përtej saj është fatura.

Bayrou-në e përcjell dhe përkrah qe 20 e ca vite. E kemi betejë të përbashkët senzibilizimin e publikut lidhur me rreziqet dhe jomoralitetin e politikave të bazuara në borxhe që do të paguhen nga gjeneratat e reja. Edhe në politikat tjera e ka një qëndrim logjik dhe të mprehtë, asnjëherë popullist. Në garat e mëhershme presidenciale ka qenë diku 17-18% dhe me ardhjen e Macron-it në skenë, është një video ku shihet duke i thënë sy më sy Macronit se tërë jetën kam luftuar për formimin e një blloku central, nuk mundem t’i mbyllë sytë. Nuk kandidon për president dhe de facto e bënë të mundur që Macron të kaloj në ballotazh me votat që vinin nga Macron dhe pastaj të fitoj ndaj Le Pen me një përkrahje popullore. Nejse.

Në Francë, deficiti i përgjithshëm publik ka rrëshqitur mbi 5% të PBB-së dhe po lëviz 6% sipas vlerësimeve të institucioneve zyrtare, ndërsa borxhi publik sillet rreth një të katërtës mbi pragun e Maastricht-it—në zonën 115% të PBB-së. Janë konturet e një realiteti ku interesat e borxhit, vetëm për këtë vit buxhetor, parashikohen në rreth 55 miliardë euro. Kur interesi ngjitet e përpin tërë hapësirën fiskale, politika publike fillon ditën duke paguar intereset bankare dhe vetëm pastaj flet për shkolla, spitale, ose tranzicion klimatik. Ky është sinjali i parë se borxhi është bërë jo mjet, por adet; dhe adetet kushtojnë.

Nga ana politike, Bayrou e ka shitur këtë si moment të së vërtetës: ose pranojmë të shtrëngojmë rripin—rreth 44 miliardë euro kursime dhe masa për të frenuar shpenzimin, përfshirë edhe ide provokuese si heqja e disa pushimeve publike—ose dorëzohemi para matematikës së interesit. Problemi është se aritmetika e financave publike përplaset me psikologjinë politike franceze: një vend që mbron me dhëmbë shtyllat e shtetit social dhe që e përjetoi si tradhti edhe rritjen e moshës së pensionit, nuk bindet lehtë nga thirrjet për “sakrificë”. Ndaj dhe qeveria e tij rrezikon në një votë besimi ku të majtët shohin rrezik për mbrojtjet sociale, të djathtët shohin dështimin e menaxhimit, e ekstremët shohin rastin për ta shtyrë më tej presidentin. Por “jo”-ja politike nuk e shlyen një “po” kontabël: huadhënësit nuk votojnë, ata llogarisin.

Përtej Parisit dhe manovrave parlamentare, debati është më i thellë. E vërteta e parë është banale dhe mizore: borxhi, shpesh, është taksë e shtyrë. E dyta: në demokraci pa një kornizë të hekurt fiskale, ekziston një paragjykim i lindur pro deficitit—përfitimet janë të dukshme sot dhe të përqendruara, kostot janë të padukshme e të shpërndara në kohë. E treta: rritja “nën gaz” të borxhit i bën qeveritë më vulnerabël ndaj goditjeve që s’i kontrollojnë—normave më të larta të interesit, krizave gjeopolitike, humorit të tregjeve. Ideja se “nëse r < g, borxhi është pothuaj falas” pati vite lavdie; por kjo është një gjendje, jo ligj natyre, dhe regjim i butë i normave mund të ndryshojë pa pyetur programet tona.

Në një kuadër të tillë, Franca ka tre probleme që takohen si tri rryma në një ngushticë: rritje e dobët, borxh i madh, dhe polarizimi politik. Kur këto bashkohen, interesi i borxhit fillon e sillet si një taksë pa ligj, që merr përqindje të buxhetit para se politika të vendosë për prioritetet—një fenomen që vetë Cour des comptes e ka theksuar me tone gjithnjë e më të mprehta. AFT, agjencia e financimit, planifikon emetim të ri kolosal; ndërkohë, FMN-ja dhe Komisioni japin projeksione ku deficiti mbetet i lartë edhe me masa kursimi, dhe raporti borxh/PBB nuk zbret, përkundrazi rritet lehtë para se të stabilizohet. Kjo do të thotë se edhe sikur Bayrou të mbijetojë politikisht, matematika mbetet e njëjtë: shpenzime të rritura nga interesi, ndikim i ndjeshëm mbi aftësinë për të investuar dhe rrezik që çdo goditje e re të përkthehet me shpejtësi në tension financiar.

Po mirë,” do të thotë skeptiku, “kemi qenë edhe më keq historikisht dhe nuk u shemb bota.” Ndoshta; por historia na mëson edhe një tjetër gjë: kur borxhi bëhet mënyrë jetese, kur deficiti është norma dhe jo mjet kundër-ciklik, çdo krizë e vogël mund të bëhet provë e madhe. Mjafton të hedhim sytë në Greqinë e viteve 2010: një kombinim borxhi të lartë, rritjeje të rrëzuar dhe besimi të humbur solli një cikël shpëtimi të kushtëzuar, një ristrukturim kolosal në 2012—më i madhi i një sovrani në histori—dhe një dekadë plagë sociale. Nuk është se Greqia s’kishte shtet; ishte se shteti nuk kishte më liri manovre. Ky është dallimi mes mjetit dhe zakonit.

Argjentina? Aty kriza 2001–2002 ishte një leksion brutal se si kombinimi i fiksimit monetar, shpenzimeve të tejzgjatura dhe besimit që avullon brenda natës të detyron të zgjedhësh ndërmjet default-it dhe shtrëngimit të pamundur. Mbyllja e bankave, papunësi, rrokullisje e qeverive—çmimi i një kontrate të prishur mes shtetit dhe qytetarëve. Dhe kjo histori s’ka përfunduar: në 2020, Argentina default-oi sërish, një rikujtim se kur e humb kredibilitetin, rikthimi është i ngadaltë dhe tregu të mban nën vëzhgim të përhershëm.

Edhe demokracitë e vjetra nuk janë të pavdekshme përpara borxhit. Britania e vitit 1976, në një krizë të librit të tekstit, u detyrua të kërkonte hua rekord nga FMN-ja; me të erdhën edhe kushtëzimet—ulje shpenzimesh, fund i planeve ambicioze sociale—dhe një ndjenjë poshtërimi kombëtar që la shenjë te politika për vite. Kjo nuk është profeci për Francën; është memoja e historisë: tregjet nuk të rrëzojnë sepse nuk të pëlqejnë, por sepse nuk të besojnë—dhe besimi është monedhë që fiton ngadalë dhe shpenzohet shpejt

Në këtë dritë, propozimet e Bayrou-t—përshtyra politike që janë—duhet të maten jo nëse duken të ashpra, por nëse e ndryshojnë trajektoren. Ulja e deficitit nga 5–6% në diçka që i afrohet 3%-shit nuk është obsesion i thatë i Brukselit; është mënyra e vetme për ta kthyer interesin nga “shpenzimi i parë” në “shpenzim të menaxhueshëm”. Sa kohë që qeveria nuk arrin të kthejë kurbën e interesit ndaj PBB-së, masat bëhen fjalë boshe. Ndaj edhe tregjet kanë filluar të nervozohen—jo me histeri, por me goditje të vogla që mjaftojnë të rrisin koston e borxhit publik dhe të ulin hapësirën për investime. Kjo është arsyeja pse vendet që përfshihen herët, shpëtojnë lirë; ata që presin, paguajnë më shtrenjtë

As një fjalë e fundme për politikën franceze. Bayrou mund të bjerë në seancë; mund të vijë një tjetër. Presidenti mund të shmangë zgjedhjet për të mos rihapur kutinë e Pandorës. Ekstremët mund të bashkohen në refuzim. Por llogaria e shtetit, si regjie e mirë teatrore, nuk merret me kastën, merret me skenarin. A do të jetë ky një skenar ku Franca gjen një kompromis të zgjuar apo do të jetë një skenar i zakonshëm i Europës së pasur: shumë zhurmë, pak kthesë, dhe një faturë interesi që ngjitet ngadalë por pa mëshirë? Shkurt, a do të sundojë etika e premtimit apo refleksi i shtyrjes?

Nëse kërkoni një provë të vogël se tregjet e kuptojnë gjuhën e politikës: shihni ditët kur thashethemet për rënie qeverish, zgjedhje të reja, ose buxhete të bllokuara qarkullojnë—spread-et lëvizin pak, por mjaft. Nuk ka panik, por ka “çmim”. E ky çmim përkthehet në miliarda euro kosto shtesë përgjatë një dekade. Politikanët kanë një thënie të dashur: “nuk ka para.” Jo. Ka para, por ato i merr interesi i borxhit kur udhëheqja nuk mund të vendosë. Dhe ky, në fund, është një argument politik, jo teknik: është thirrje për të rikthyer themelin e kontratës fiskale—prej nga vjen fjala “besim”.

Nuk është këtu momenti për të demonizuar borxhin, as për ta kanonizuar. Është momenti për të folur si të rritur: për të thënë se Franca—si çdo vend i madh, me ambicie të mëdha—ka nevojë për një shtet që bën më mirë, jo domosdo më shumë; që financon projekte ku përfitimi social neto është i matshëm dhe i verifikueshëm; që ruan shtresat e brishta pa shpërndarë ndihmë pa dallim; që mbyll rrugët e rrjedhjes dhe hap korridore për rritjen private. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një klasë politike që nuk e frikësohet fjalës “jo” kur “po”-ja paguhet nga ata që nuk kanë lindur ende. Ky është një standard i ulët? Jo—është standardi minimal i dinjitetit fiskal.

Në fund, François Bayrou dhe kundërshtarët e tij mund të zihen pafund për dy ditë pushimi, për ngrirjen e një përfitimi, për një rresht në buxhet; por historia e financave publike franceze nuk do të shkruhet nga kjo seancë. Do të shkruhet nga aftësia për të kthyer një ekonomi të madhe nga varësia e borxhit drejt një investimi të zgjuar; për të ngadalësuar rritjen e shpenzimeve të interesit; për ta bërë borxhin mjet të rrallë e të justifikuar, jo tepsi të përhershme. Se kur norma e interesit është nën rritje, mund të shfaqë mrekulli të përkohshme; kur kthehet trendi, mrekullitë mbeten faturë. Franca nuk ka nevojë për mrekulli; ka nevojë për maturi. Dhe kjo fillon me një fjali të thjeshtë që duhet ta pranojmë pa turp: borxhi nuk është para falas—është premtim i shtrenjtë. Pyetja është nëse do të mbajmë mend të kujt i përket.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: