Feridja* shumicën e ditëve i kalon me muzikë. 77-vjeçarja studion dhe luan piano. Për të qëndruar e lidhur me komunitetin e saj, ajo shërben si vullnetare me projekte të artit lokal – kopsht të komunitetit dhe një iniciativë të historisë gojore.
Pas një karriere si profesioniste e shëndetit mendor, ajo që Feridja dëshiron nga pensioni është të vazhdojë të angazhohet me kauzat dhe pasione që kanë vlerë për të.
“Më e rëndësishmja për mua është angazhimi për të ndërtuar një botë më të drejtë, më të barabartë dhe jo të dhunshme, ku njerëzit kujdesen për planetin,” thotë ajo.
Por ajo vuri re se të tjerët i projektojnë disa ide për të – “pritshmëritë që çdo gjysh, veçanërisht gjyshe, duhet të ndihen të përmbushur [nga] dhe të përkushtuar ndaj nipërve të tyre,” – shprehet ajo.
Feridja i do tre nipërit e saj të vegjël, por nuk është e interesuar jetojë më afër vendit ku ata jetojnë, rreth dy orë në veri të Londrës. “Nuk do të isha e gatshme të bëja kompromis nëse do të ndjeja se po më kërkonin sakrifikimin e angazhimeve të mia për t’u kujdesur për nipërit e mbesat, përveç nëse do të ishte farë urgjence,” thotë ajo. Djali i saj do të donte ta kishte atë si fqinj, por nuk i bën presion, Feridja thotë: “Në fakt, presioni vjen nga njerëzit përreth meje“.
Miqtë e Ferides, pavarësisht se janë ato që ajo i përshkruan si “feministe të forta“, sillen sikur një gjyshe “duhet të dëshirojë të kalojë çdo minutë të mundshme” me nipërit e mbesat e tyre. Këta miq e gjykojnë njëri-tjetrin edhe kur zgjedhin udhëtime të pavarura mbi pushimet familjare.
“Ka një lloj konkurrence për sa nipër e mbesa kemi,” thotë ajo. “Sa më shumë të kesh, aq më mirë je. Ndihem ambivalente kur dëgjoj njerëz që thonë se nuk mund ta kuptojnë të ardhmen pa një nip a mbesë, ose se janë të “zhgënjyer” se fëmijët e tyre nuk kanë fëmijë, thotë ajo.
Mungesa e nipërve mund të ngjallë keqardhje ose konfuzion.
Besimi se nënat duhet të përqendrohen vetëm te fëmijët e tyre dhe të shpenzojnë pak kohë për interesat profesionale ose personale nuk është më e zakonshme. Por kur bëhet fjalë për gjyshet, idetë tradicionale vazhdojnë të jenë të fuqishme.
Si gjyshe, thotë Feridja “stereotipet e vjetra rikthehen dhe mund ta gjeni veten… duke pritur që t’u jepni përparësi nipave e mbesave, të sakrifikoni hobit e interesat tuaja dhe ta kaloni ditën tuaj për t’u kujdesur për ta.”
“Ne nuk jemi këtu vetëm për të pasur fëmijë dhe për të rritur gjeneratën e ardhshme… Pse njerëzit mendojnë se kjo është e gjithë jeta e tyre në vitet e shtyera?” pyet Feridja. “Unë thjesht e di që nuk dua ashtu.”
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
Për gratë si Feridja, presioni vjen nga ideja e vazhdueshme se vlera e gruas lidhet me rolin e saj si kujdestare, e cila gjithashtu minimizon shumë mënyra të tjera që ajo kontribuon në shoqëri. Sipas normave të vjetra, gratë para së gjithash janë entuziaste të natyrshme të rritjes së fëmijëve.
Pritshmëria që kujdesi për fëmijët duhet të përcaktojë jetën e një gruaje të moshuar është politikisht e përshtatshme. Në SHBA, programet e kujdesit për fëmijët kanë qenë të financuara pak për dekada, duke lënë shumë familje, veçanërisht ato nga komunitetet e margjinalizuara ose që rrisin fëmijë me aftësi të kufizuara, pa mbështetje të qasshme dhe të besueshme. Kjo do të thotë që prindërit kanë nevoja reale për kujdesin ndaj fëmijëve, të cilat janë të vështira për t’u përmbushur. Por gjyshërit “priten të jenë thjesht në sfond duke mos bërë asgjë”, të gatshëm të hyjnë në veprim për kujdesje ndaj fëmijëve, vëren Vanessa May, profesoreshë e sociologjisë dhe bashkëdrejtore e Qendrës Morgan për Kërkime për jetën e përditshme në Universitetin e Mançesterit.
Në vitin 2020, JD Vance – Zv. President i Amerikës – u pajtua që “I gjithë qëllimi i grave në fazën pas menopauzës” ishte ofrimi i kujdesit për nipërit e mbesat.
Kjo punë e papaguar nuk është vetëm një çështje familjare; është një shtyllë e padukshme e ekonomive moderne. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, gjyshërit u kursejnë prindërve më shumë se 70 miliardë dollarë në vit për kujdesin e fëmijëve, ndonjëherë gjë tepër kërkuese edhe fizikisht – punë që mbështet stabilitetin ekonomik të vendit, ndërkohë që mbetet krejtësisht e panjohur.
Nëse supozojmë se një grua e moshuar nuk ka asgjë kuptimplotë në jetën e saj përtej detyrimeve familjare atëherë kjo e bën ” të ndjehet si një valë politike që shkon kundër përparimeve që gratë kanë bërë në drejtim të të drejtave dhe barazisë – një përpjekje e qartë për t’i kthyer gratë në kutinë e tyre në familje, nën sundimin e burrave”, thotë May.
Kur Rose dëgjoi komentet e Zv. Presidentit Vance se s’kishin gjyshet me çka të merreshin tjetër përpos kujdesit për nipërit e mbesat iu dukën “çmenduri”.
“Mund t’i mendoj njëmijë gjëra tjera (me çka mund të merremi,” – tha ajo.
Biseda kulturore rreth nipërve e mbesave dhe mungesës së tyre shpesh përqendrohet te gratë e moshuara që u bëjnë presion grave më të reja për të pasur fëmijë – duke kërkuar një trashëgimi familjare. Megjithatë, përvoja e Ferides për gjykimin nga bashkëmoshatarave e nënvizon atë se sa shumë gra të moshuara përballen e përjetësojnë pritshmëritë dhe presionet e lodhshme shoqërore se si duhet të duket jeta e tyre.
Një numër në rritje i njerëzve në moshë martese po zgjedhin të jetojnë pa fëmijë. Përqindja e të rriturve nën 50 vjeç pa fëmijë që thonë se nuk ka gjasa të kenë ndonjëherë fëmijë u rrit nga 37% në 2018 në 47% në 2023. Më shumë të moshuar mund të përfundojnë pa nipër dhe potencialisht të ndihen si “përjashtim brenda rretheve të tyre shoqërore”, thotë May.
Për shkak se mëmësia shihet si kulmi i gruas në shumë vende, mospasja e nipave a mbesave mund të konsiderohet si shkak për keqardhje, shton May, duke thënë: “Unë mendoj se ka të bëjë pjesërisht me një ide se nëse i keni rritur mirë fëmijët tuaj, ata do të vazhdojnë të përmbushin detyrën e tyre duke pasur fëmijë.”
Për shkak se pritjet e gjeneratave po ndryshojnë, disa të rritur mund të luftojnë për të kuptuar vendin e tyre dhe shqetësohen se “zgjedhjet e pavarura të fëmijëve të tyre të rritur po reflektojnë në statusin e tyre shoqëror brenda grupeve të tyre shoqërore“, thotë May.
Përshtatja me ndryshimin e normave të prindërimit dhe kujdesit mund të jetë e vështirë. “Njerëzit duhet të jenë në gjendje të shprehin keqardhje për atë që nuk funksionon për ta dhe stilin e tyre të jetesës,” thotë Carol Merle-Fishman, psikoterapiste integruese me bazë në Nju Jork. Kjo mund të nënkuptojë se dikush do të donte të kishte nipër e mbesa, por mund të nënkuptojë gjithashtu se dikush pranon se ‘gjyshëria’ nuk është ajo që ata prisnin. Ardhja e nipërve e mbesave mund të prishë miqësitë pasi bashkëmoshatarët zhvendosen për të qenë më afër familjes, ose një gjysh/e mund të mos jetë fizikisht ose emocionalisht i/e përgatitur për ndonjë kujdes ndaj fëmijëve pasi të ketë rritur fëmijët e tyre.
Supozimi se gjyshja është një detyrim mund të jetë tjetërsuese për ata që janë ambivalentë. Është sikur, sapo fëmijët të rriten, pritshmëria thjesht rivendoset: ja një rol tjetër për ta përmbushur, një mënyrë tjetër për të qenë i dobishëm dhe ata që nuk ndihen të përmbushur prej tij ose që preferojnë të kalojnë ditët e tyre duke bërë diçka tjetër, janë të përjashtuar.
Nëse kalimi i kohës me nipërit dhe mbesat “është vendi ku ju merrni 100% të përmbushjes dhe kënaqësisë suaj, atëherë bëjeni”, thotë Afërdita. “Por nga ana tjetër, nuk mendoj se njerëzit duhet të ndihen fajtorë nëse duan kohë për veten në pension.”
“Dëshira ime për gratë është që ne të kemi momente në jetën tonë ku mund të marrim vendimet tona”, ka thënë Eve Rodsky, autore e librit të vitit 2019 Fair Play dhe avokatja e barazisë gjinore. “Që pritjet shoqërore nuk po marrin vendimet tona për ne, por që ne me të vërtetë marrim vendimet tona.”
(Emrat e dy personazheve janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë.)
Artikull i shkruar nga The Guardian. Përkthyer nga Tjetër*
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).