Në Open Art Gallery, ku drita ndalet me respekt mbi secilën fotografi, është hapur ekspozita “Hapat e parë në Kamp” – një rrëfim i thellë vizual mbi një nga momentet më të ndjeshme të ekzistencës shqiptare: eksodi i vitit 1999. Kjo ekspozitë sjell në qendër të saj fëmijët shqiptarë të Kosovës, nga një moshë nën një vjeç e deri 4 – 5 vjeçar, të cilët, pa e ditur ende ku janë, janë fotografuar në kampin e refugjatëve në Çegran, gjatë luftës së Kosovës.
Fotografitë e ekspozitës janë kapur nga fotografi Osman Demiri i cili ishte i pranishëm në kamp dhe përtej dokumentimit të një krize humanitare, ka ditur ta ndalojë kohën në çaste intime të jetës. Një foshnje që akoma nuk ka filluar hapat e parë qëndron mbështetur mbi këmbët e shtrira të nënës së tij, një djalosh që ka mbështetur duart mbi disa tela që duket sikur të ishte në kampet e përqendrimit të Luftës së Dytë Botërore – janë jo vetëm imazhe, por dëshmi të gjalla të shpirtit të një populli në ikje.
Titulli “Hapat e parë në Kamp” bart në vete një simbolikë të thellë. Nuk është fjala vetëm për hapat fizikë të fëmijëve që mësojnë të ecin; është fjala për hapat e parë të një brezi që u lind mes telave me gjemba, por që bartte në vete të ardhmen e një vendi. Është kujtesë e asaj që nuk duhet harruar, por edhe një thirrje për të parë me sy të qartë të kaluarën, për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë.
Deklaratat e Osman Demirit dhe Burim Myftiut për magazinën TJETËR hedhin dritë mbi një fragment të dhimbshëm, por thellësisht njerëzor të historisë sonë kolektive – përvojën e fëmijëve të refugjatëve shqiptarë në kampin e Çegranit më 1999. Përmes fotografisë si dëshmi e kohës dhe ndjeshmërisë artistike, Demiri ka përjetësuar momente të trishta, por edhe të mbushura me shpresë, duke i dhënë zë një brezi që përjetoi luftën pa e kuptuar plotësisht, por që mbeti shenjë e gjallë e asaj tragjedie.
Osman Demiri për magazinën TJETËR ka thënë se për të ka qenë një prioritet i jashtëzakonshëm i rrallë shumë, shumë rrëqethës dhe nuk ka ditur se si mund ta përshkruaj me fjalë. Më tutje ka shtuar se për të fjala “refugjatë ka qenë e ashpër, ka qenë e huaj, duke e ditur se populli i Kosovës dhe i Maqedonisë janë faktikisht një popull, shumë të familjarizuar dhe nuk ka qenë e mundur të quhen asnjëherë refugjatë,”
Këta janë fëmijë që sapo kishin nisur të hedhin hapat e parë në jetë – por fatkeqësisht, në vend të tapetit të butë të shtëpisë apo oborrit të ngrohtë, ata ecën mbi zhavorr kampi, mes tendave të improvizuara dhe syve të lodhur të prindërve të përhumbur nga ankthi.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
“Mirëpo sidoqoftë ata rolin e refugjatëve e kanë pasur, për arsye se kanë ardhur në një vend që për fëmijët ka qenë i panjohur, që nuk e dinin se ku gjenden dhe çka është duke ndodhur përreth tyre, dhe ajo ka qenë sfida më e madhe. Mirëpo në anën tjetër ka qenë edhe shpresa e prindërve të tyre të cilët e kanë parë një dritë në fund të tunelit sepse nuk dihej se kur do të mbarojë lufta, mirëpo këta sytë i kishin te fëmijët,” ka thënë Demiri.
Në çdo fotografi shfaqet diçka që nuk mund ta shuajë as mërgimi e as trauma: lojërat e natyrshme, pafajësia e lindur, dhe një buzëqeshje e cila, ndonëse e brishtë, ngrihet mbi tragjedinë si një akt i qëndresës së pastër njerëzore.
Ai ka thënë se shumë e vështirë për të ka qenë të bëhet përzgjedhja e fotografive dhe ta gjendet një buzëqeshje, një shikim, sepse të gjithë ishin të trishtuar dhe ai është munduar që prej asaj të keqeje dhe luftës së Kosovës të nxjerr diçka të mirë, diçka pozitive. Demiri shtoi se ishte përqendruar te fëmijët dhe të nxjerr atë më të mirën, më të bukurën.
“Unë mendoj se këta fëmijë duhet të jenë diku të suksesshëm për vetë faktin se kanë përjetuar ketë katrahurë. Dhe kjo ka qenë një shkollë, edhe pse këta fëmijë të vegjël atëherë nuk e mbajnë mend, por ata të moshës 3-4 vjeçare me siguri e mbajnë mend dhe unë uroj dhe shpresoj se këta janë të suksesshëm nëpër botë ose në Kosovë”, ka thënë Demiri.
Ai ka shtuar se nuk ka pasur rast të takojë asnjë nga këta fëmijë që janë pjese e fotografive dhe ekspozitës, por ndoshta i shohin fotografitë të afërmit e tyre dhe ndoshta do të ketë rastin edhe të takojë ndonjë prej tyre.
Burim Myftiu ka thënë për magazinën TJETËR se kjo është një përmbledhje e fotografive e fëmijëve të kampit të Çegranit të vitit 1999, ku ata ishin refugjatë së bashku me familjet e tyre është një dëshmi e kohës, është një dëshmi krimi të cilën Serbia bëri me popullatën e Kosovës.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
“Kjo përmbledhje është një vepër arti në çdo aspekt, duke i parë të gjitha këto se si i ka zënë Osmani, i ka regjistruar ato para 25 vjetësh dhe tani ekspozon një pjesë të vogël të përmbledhjes së tij, prej mijëra fotografive që i ka bërë gjatë luftës”, ka thënë Myftiu.
Myftiu ka shtuar se Demri ka bërë një selektim të disa prej atyre fotografive dhe i ka ekspozuar në një përmbledhje shumë të bukur artistike. Më tutje Myftiu ka thënë se kjo ka edhe vlerë historike, sepse është dëshmi e kohës, është dëshmi e shkatërrimeve, luftës, djegieve, dhunimeve, eksodit dhe gjitha atyre që përjetoi ky popull në kurrizin e vet prej pushtuesit serb.
Për Osmanin ka thënë se ai u integrua aty së bashku me fëmijët dhe u bë i padukshëm që të kapë atë spontanitetin e fëmijëve, karakterin e tyre, momentet e lojës. Ai e zuri atë karakterin e fëmijëve të cilët, pas gjithë atyre vuajtjeve nuk ishin të vetëdijshëm se çfarë ndodhte, mirëpo çdo njëri prej tyre e dinte se është fjala për një luftë, për një tmerr, për një humbje.
“Osmani përdori teknikën e portretizimit të karaktereve, jo të personit. Ai thellë fut në portret me intuitën e tij dhe bëri këtë projekt shumë të vlefshëm fotografike. Fotografitë e tij flasin vetë dhe nuk ka hapësirës për komente shtesë. Unë jam i sigurt që kudo nëpër botë, kudo që të ekspozohen këto fotografi do të ngjallin emocione”, ka shtuar fotografi Burim Myftiu.
Ky projekt fotografik nuk është vetëm një vepër arti, por edhe një testament vizual i së kaluarës sonë të afërt – një kujtesë për plagët, vuajtjet dhe dinjitetin e një populli të ndarë dhunshëm nga jeta e tij e përditshme. Ekspozita nuk kërkon të zgjojë mëshirë, por ndërgjegje. Nuk shfrytëzon dhimbjen, por e nderon atë. Sepse në fund të fundit, është një përkujtim se edhe në mes të shkatërrimit, jeta gjen mënyrën e saj për të filluar.