E mërkurë, 22 Tetor, 2025

Lidhjet e pasqaruara të Behgjet Pacollit me narkotrafikantin e dyshuar nga Salvadori

PolitikëLidhjet e pasqaruara të Behgjet Pacollit me narkotrafikantin e dyshuar nga Salvadori

Behgjet Pacolli është në telashe serioze ligjore në Shqipëri. Ai po hetohet se i ka kaluar pjesën e tij të pronësisë së Aeroportit të Vlorës në mënyrë të fshehtë një kompanie që dyshohet se ka lidhje me Rusinë. Pra, një kompanie që rrezikon sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Behgjet Pacolli i ka mohuar këto akuza duke thënë se është “komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim”.

Me verifikimin e këtyre akuzave do të merret drejtësia shqiptare. Por, në Kosovë dihet për lidhjet biznesore të Pacollit në Rusi në vitet ’90, dhe për investimet e tij milionëshe në një shtet thuajse vasal të Rusisë, Kazakistan.

Ndërkohë, çka iu desh Pacollit – dhe pse bash Pacollit – që ta sulmonte Ukrainën në ditën e saj të Pavarësisë, më 24 gusht, me deklarata që s’i mbështeste në fakte. Pse bash Pacolli?!

Nejse, në këtë video do t’iu flasim për skandalin e tij më të madh e që është raportuar fare pak ose hiç në Kosovë.

Bëhet fjalë për lidhjet e tij me… një të dyshuar për trafik droge që ishte edhe në listën e kuqe të Interpolit.

Është fjala për Enrique Rais, një figurë e ndjekur nga drejtësia amerikane për lidhje me grupe të krimit të organizuar.

Emri i kompanisë së tij u shfaq së pari në Amerikë më 10 nëntor të vitit 2015, kur një avion i saj ishte përplasur me një ndërtesë katër-katëshe në Akron të Ohios. Kishin vdekur të gjithë nëntë vetë sa ishin në avion. Pas një hetimi nga autoritetet amerikane, ishte kuptuar se kishin ndodhur një mal me gabime nga ana e pilotëve.

Por, më vonë do të merrej vesh se kompania e Raisit ishte subjekt i hetimit ndërkombëtar në Amerikë. Ajo dyshohej se po i ridizajnonte avionët për të trafikuar drogë.

Nuk ka asnjë implikim të Behgjet Pacollit në atë hetim. Por, ajo që na nxjerr pasthirrmën “uhhh” është kur u zbulua se Raisi e kishte listuar Behgjet Pacollin si “menaxher” në kompaninë e dyshuar të tij.

Pacolli e ka mohuar se kishte qenë menaxher në atë kompani.

Ndërkohë, një hulumtim nga Revista Factum – mediumi më i besueshëm në El Salvador – do të tregonte edhe për një email të Raisit ku sërish përmendej Behgjet Pacolli.

Ishte 23 shkurti i vitit 2011, dhe Enrique Raisi i shkruante njërit prej partnerëve të tij: “Miku dhe partneri im Bedjet (sic) Pacolli u betua dje si president i Kosovës. Kjo është ajo që e prisja dhe ne tashmë e kemi fillu biznesin tonë të deponisë në Tripoli e Libi.”

Uhhh!

Po kjo revistë, tregon se i dyshuari për narkotrafikant, Enrique Rais, kishte blerë një apartament luksoz në Swiss Diamond në Zvicër nga kompania Mabetex në vitin 2010. Mënyra se si ishin bërë pagesat ishte… mjaft e çuditshme.

Po e përsërisim: Behgjet Pacolli i ka mohuar lidhjet e tij me Raisin në vazhdimësi. E ka pranuar se e njeh si biznesmen por jo se e njeh më shumë se kaq. Dhe duhet ta pranojmë se nuk ka prova që tregojnë se ai ka kryer ndonjë vepër penale. Sidoqoftë, Pacolli ishte përballur me pyetje për këtë çështje edhe në një institucion të lartë. Në Kuvendin e Kosovës, komisionin për Punë të Jashtme, nga Glauk Konjufca. Deputeti i atëhershëm i VV-së e kishte lexuar një hulumtim në mediumin kosovar Periskopi pikërisht për lidhjen e dyshimtë të Pacollit me të dyshuarin për narkotrafikant. Pacolli e kishte mohuar me ashpërsi çdo implikim të mundshëm.

Mirëpo, në anën tjetër dihen edhe nja dy gjëra këtu në Kosovë. Ta zëmë, se Behgjet Pacolli si ministër i Punëve të Jashtme e kishte propozuar Enrique Raisin për konsull nderi në Honduras. Ja ku e keni.

Dhe po ashtu dihet, se Raisi kishte qenë në Kosovë. Raisi ishte mik i presidentit të Hondurasit, Lobo Sosas, dhe si pjesë e delegacionit të tij erdhi në Prishtinë dhe e takoi pikërisht Behgjet Pacollin. Presidentit Lobo Sosa iu ka dënuar djali në Amerikë për trafik droge me 24 vjet burg. Dhe natyrisht, ai ishte mik i mirë edhe i Enrique Raisit.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: