Në dokumentet sekrete të diplomatëve amerikanë që u vodhën dhe publikuan nga WikiLeaks, Hashim Thaçi përshkruhej me fjalë që asnjë lider politik s’do të donte t’i lexonte.
Në disa kabllograme, emri i tij e pëson rëndë nga komente të ashpra, dyshime e madje edhe tallje.
Çka mendonte Amerika në të vërtetë për të?
11 shtator 2001
Për rastësi, kabllogrami i parë u dërgua në Washington vetëm dy orë para se të niste sulmi famëkeq terrorist i 11 shtatorit.
Kabllogrami që ishte qëndisur nga John Menzies, shefi i misionit amerikan në Prishtinë, gufonte nga komentet e ashpra direkte ndaj figurës së Thaçit.
Aty Thaçi prezantohej si një figurë e dobët politike që donte ta ndërtonte fuqinë e tij vetëm te lidhja me Amerikën. Sipas këtij teksti sekret, Hashim Thaçi ishte i shqetësuar se ShBA-ja “s’po interesohej për të e as s’ishte miqësore me të”. Ky komunikim ishte bërë para një vizite të Thaçit në Amerikë, vizitë që sipas Menziesit ishte bërë që ky i fundit “ta maste thellësinë e zhgënjimit amerikan me të”.
Thaçi pra e dinte që Amerika ishte e zhgënjyer me të. Por, s’e dinte sa.
Pjesa më interesante e këtij komunikimi për lidhjen e Thaçit me Amerikën është te fjalia e mëposhtme: “…është Thaçi që më së shumti është mbështetur në “aleancën” e supozuar me Amerikën…” Shiheni qysh është shkruar fjala aleancë. Në thonjëza. Pra, s’ka kurrfarë aleance dhe diplomati Menzies ashiqare e tallë që e përdor atë fjalë.
Në një tjetër pjesë të tekstit, Menziesi është krejtësisht direkt dhe e thotë qartë se Thaçi kurrë s’do ta arrijë Rugovën si një figurë atërore për shqiptarët e Kosovës. Ai madje e përshkruan edhe një ngjarje kulturore ku kishin qenë të dy, edhe Thaçi e edhe Rugova.
“Në një ngjarje kulturore më 8 shtator, Rugova dukej i relaksuar dhe lidhej mirë me publikun. Për dallim prej tij, Thaçi mbajti fjalim të thatë,”
Në këtë tekst sekret Thaçi paraqitet aq i dobët sa shprehet mundësia që ai të mposhtej madje edhe nga Ramush Haradinaj në zgjedhje. E bile, shprehet mundësia që Thaçi ta humbte edhe kontrollin e PDK-së.
Menziesi kërkon që t’i përdoret nevoja e madhe e Thaçit për aprovimin e ShBA-së që ai të shtyhet drejt një agjende më bashkëpunuese me komunitetin serb.
22 qershor 2006
Kabllogrami i radhës ishte shkruar nga ana e Philip Goldberg, që ishte pasues i Menziesit në pozitën e shefit të misionit amerikan në Prishtinë.
Aty paraqiten shqetësimet e Thaçit për thashethemet se Joachim Rucker mund të bëhej shef i UNMIK-ut. Sipas Thaçit – siç njoftonte diplomati amerikan – Ruckeri ishte i korruptuar dhe PDK-ja s’ndihej rehat të bashkëpunonte me të.
Komentet e Goldbergut janë që pretendimet e Thaçit për Ruckerin nuk kishin bazë. Pra, Thaçi nuk mund të besohej.
8 gusht 2007
Teksti i radhës konfidencial është përgatitur nga ana e zëvendës-shefit të misionit amerikan, Aleksandër Llaskaris.
Aty tregohet se kishte përplasje të ashpra brenda PDK-së, e madje edhe kritika direkte nga zyrtarë të partisë ndaj Hashim Thaçit që ishte kryetar partie. Këto kritika vinin kryesisht shkaku i punës së tij në Ekipin e Unitetit. Negociatat në Vjenë rezultuan në shumë kompromise. Por, Pavarësia s’po vinte.
Madje, aty diplomati amerikan Llaskaris shton se Thaçi ishte aq i frikësuar nga Fatmir Limaj sa nuk po e mbështeste më idenë e listave të hapura në zgjedhje. Frikësohej që Limaj mund të merrte më shumo vota në PDK dhe ai ta humbte legjitimitetin e si kryetar.
10 janar 2008
Në një tjetër kabllogram sekret të bërë pasi Thaçi fitoi zgjedhjet për herë të parë është përgatitur një biografi e shkurtër e tij. Dhe edhe ajo përmba komente mjaft interesante.
Në një pjesë të këtij kabllogrami të përgatitur nga shefja e misionit Tina Kaidanow, Thaçi përshkruhej si bashkëbisedues “i paparashikueshëm dhe me raste i pabesueshëm”. Pra, ai shihej si një politikan fjala e të cilit s’mund të besohej qind për qind. I njëjti qëndrim si në kabllogramin e ish-shefit të misionit Philip Goldberg.
Më tej, Thaçi përshkruhet edhe si një “operator politik i zgjuar, megjithëse nganjëherë kokëfortë dhe shpesh rezistues i këshillave që i sheh si kërcënim të interesave politike.”
Një komentim më interesant në këtë tekst konfidencial ajo e bën kur thotë se Thaçi ka shprehur “një shkallë pasigurie”. Mund të supozojmë që është fjala për atë lloj pasigurie që të bën të mos iu besosh njerëzve. E si rrjedhojë e kësaj, Thaçi ishte i detyruar t’i besonte një grupi të vogël e të fshehtë të bashkëpunëtorëve që ishin të papërvojë e mund t’i bënin dëme të mëdha.
Për cilët njerëz të Thaçit ishte fjala këtu veç mund të supozojmë. Por, se parashikimi i diplomates amerikane në prag të Pavarësisë së Kosovës doli i saktë kjo s’mund të mohohet.
Në po të njëjtin tekst, rikonfirmohet parehatia e Thaçit sa ishte pjesë e opozitës dhe Ekipit të Unitetit në negociatat e Vjenës. Sidoqoftë, ky kabllogram i përgatitur nga Kaidanow është më pozitivi për figurën e Thaçit.
“Megjithatë, Thaçi ka demonstruar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në ringjalljen e karrierës së tij politike dhe në sjelljen e PDK-së te fitorja në zgjedhje; ai ka arritur të tejkalojë rivalitetin e kaluar me LDK-në për të mirën e shtetit të ardhshëm të Kosovës;” – shkruhet tutje.
Nejse, e dimë se çka pasoi. Në vitin 2010, zv. Presidenti amerikan Joe Biden do ta quante Thaçin si “George Washingtonin e Kosovës”.Megjithëse, diplomatët nën të si duket kishin qëndrime krejtësisht tjera.
Çka iu la më së shumti përshtypje nga këto përshkrime të diplomatëve amerikanë për Thaçin? Na lini të kuptojmë në komentet e mëposhtme. Dhe mos harroni: bëjeni like e subscribe.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).