Në Milano të Italisë është hapur një hetim për disa krime të pretenduara bizare që ta humbin besimin te njerëzimi.
Prokurorët milanezë po hetojnë disa italianë që pretendohet se kanë paguar ushtarë të Armatës Serbe të Bosnjes që të bënin turizëm në Sarajevë duke i vrarë me snajperë qytetarët e pafajshëm boshnjakë gjatë rrethimit katër-vjeçar të qytetit në vitet ’90.
Siç e dimë, më shumë se 10 mijë njerëz u vranë në Sarajevë prej bombardimeve të vazhdueshme por edhe snajperëve mes viteve 1992 dhe 1996 në atë që njihet si rrethimi më i gjatë i një qyteti në historinë moderne.
Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethimin e Sarajevës – shkruan The Guardian – sepse snajperistët i qëllonin njerëzit pa dallim, pa kursyer fëmijët, si të ishin në një videolojë.
Grupe të italianëve dhe nacionaliteteve tjera, të ashtuquajturit “turistë të snajperës” pretendohet se kanë marrë pjesë në masakër pasi paguajtën shuma të mëdha parash për ushtarët që i përkisnin armatës së famëkeqit Radovan Karaxhiq, ish liderit serb të Bosnjes që u dënua në vitin 2016 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Këta turistë më pas barteshin për në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të gjuanin boshnjakët për pikën e qejfit.
Sarajeva ndodhet e rrethuar me male, gjë që e bënte shënjestrimin me snajper të qytetarëve më të lehtë.
Prokurorët milanezë, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, e nisën hetimin me qëllim identifikimin e italianëve që ishin përfshirë me akuzat për vrasjes të vullnetshme të kryer me mizori dhe me motive të ulëta.
Hetimi nisi pas një kallëzimi të bërë nga shkrimtari Ezio Gavazzeni i cili po mblidhte prova për këto pretendime.
Ky i fundit tha se kishte dëgjuar pretendimet se po bëhej turizëm snajperësh në gazetat italiane në vitet ’90, por ia nisi të hetonte tamam kur e pa një dokumentar të quajtur “Sarajevo Safari” nga regjisori slloven Miran Zupaniq.
Në atë dokumentar, një ish ushtar serb dhe një kontraktor pretendojnë se një grup pasanikësh perëndimorë gjuanin popullatën civile nga kodrat përreth Sarajevës. Këto pretendime janë mohuar ashpër nga veteranët serbë të luftës.
“Sarajevo Safari ishte pika nga u nisa,” tha Gavazzeni. “Nisa të bisedoja me regjisorin dhe nga ato biseda e zgjerova hetimin tim derisa mblodha mjaftueshëm material sa t’ua dërgjoja prokurorëve në Milano,”
Gavazzeni thotë që “shumë, shumë, shumë italianë” pretendohet se ishin të përfshirë. “Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguajtën shuma të mëdha parash që të dërgoheshin për të vrarë civilë.”
Ai shtoi se s’kishte pasur motive religjioze apo politike. Ata thjesht ishin njerëz të pasur që shkuan në Sarajevë për kënaqësinë e tyre.
Shkrimtari italian shtoi se të dyshuarit nga vendi i tij do të takoheshin në qytetin verior të Trieshtës për të udhëtuar drejt Beogradit, nga ku ushtarët serbë do t‘i shoqëronin për në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik të turistëve të luftës që shkuan atje për të vrarë njerëz. E quaj indiferencë ndaj djallëzores,” – tha ai.
Tutje, Gavazzeni u shpreh se i njihte disa prej italianëve që pretendohet se ishin përfshirë dhe të cilët do të merren në pyetje nga prokurorët javët e ardhshme.
Disa prej rasteve të profilit më të lartë të vrasjeve me snajper në Sarajevë ishin ai i Boshko Bërkiqit he Admira Ismiqit, një çidti që u vra me snajper derisa po provonte të kalonte urën. Ata ishin paraqitur në filmin “Romeo dhe Zhulieta në Sarajevë”. Trupat e tyre kishin mbetur në një tokë asnjanëse mes pozicioneve që ruanin boshnjakët dhe serbët. Fotografitë e tyre ishin publlikuar gjithandej dhe ishin bërë simboli i rëndomësisë dhe panjerëzisë së luftës.
Rruga kryesore në Sarajevë quhej “Shtegu i Snajperit” sepse u bë ekstremisht i rrezikshëm shkaku i snajperëve por s’mund të shmangej meqë ishte e vetmja rrugë për në aeroportin e Sarajevës.