Para disa ditësh, një kronikë nga Klan Kosova u vë virale gjithandej.
Kronika thoshte se një modele po hante qebapa përkundër që vetura i kushtonte 270 mijë euro. Në anën tjetër, viraliteti i kronikës e shkarraviti atë tregim dhe tha diçka tjetër: s’ka lidhje që modelja hante qebapa – të gjithë hamë; Klan Kosova televizion i poshtër; gazetarët të padijshëm; modelja e pafajshme, qebapat e pafajshëm etj.
Bota e Klan Kosovës u ndesh me botën e Kosovës. Por, çka nëse s’ishte ashtu siç dukej?
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).
Fëlliqtë
Kur e pashë atë kronikë, u rrëqetha. Uhhh. Fëlliqtë! Gërditshëm! Më humbte dinjiteti si shikues derisa sekondat vazhdonin. Por, prit… pse kjo kronikë ishte më e punuar se kronikat politike?
Teknika e të rrëfyerit ishte ajo e një mokumentari. Pra, rrëfimtarja (narratorja) supozohej të parodizonte me kronikat e këtij lloji. Me storiet e këtij lloji. S’ishte kronikë por tallje e kronikës. I gjithë budallallëku ishte i inskenuar. Problemi ishte i karikaturuar.
Apo, jo?
Atëherë pse s’prezantohej si tallje që në fillim? Pse po prezantohej si diçka e vërtetë? Duket se, s’ishte veç qebapi që e pësoi prej saj.
Siklet
Të zhytemi thellë në siklet. Të bëhemi ibret mirë.
Gazetarja në fjalë nuk tregon pse qëlloi i shkoi pas modeles bash atë ditë. Pse vendosi ta priste? Çka nëse ajo rrinte në kafene për orë të tëra? Çka nëse kthehej mbrapsht në banesë?
“Pas nja gjysmë ore pritje në kompleksin ku banon, doli (modelja) prej kafenesë poshtë banesës.” – shprehet gazetarja që s’tregon pse ishte ajo vetë aty.
Me një ton serioz, ajo më pas fillon – disi denoncueshëm e lavdërueshëm – të prezantojë rrobat e shtrenjta të modeles, çantën 20 mijë euro, veturën 270 mijë euro. Pse? As këtu s’ka përgjigje.
Më pas, gazetarja me ekip të saj fillon me ndjekë modelen që po shëtitej me veturën 270 mijë euro. Pse? S’ka përgjigje.
Pasi tregon që ajo po jepte shenjë në çdo kthesë, e që sherri i veturës së ‘madhe e të mirë’ e kishte zor parkingun, inskenohet edhe konflikti.
Shikimi i modeles qartazi tregon se ajo po e priste gazetaren. Në anën tjetër, shoqëruesja e saj as që e kthen kryet për ta parë (2:56-2:59) sepse e dinte që do të vinte.
Konfrontimi është po ashtu i inskenuar. Modelja bëhet sikur po irritohet me shkeljen e privatësisë, megjithëse… qeshet vazhdimisht dhe përgjigjet në pyetje.
Qebapi është fyer? Jo, zonja dhe zotërinj. Këtu kemi dallavere të rënda, s’është punë qebapi a standardi. Kemi një poshtërim të gazetarit dhe mashtrim të qytetarëve.
Modelja e viktimizuar provoi të përfitonte nga situata. Paralajmëroi padi. Dilte me qebapa nëpër storie. I mori me një emision. Provoi të përfitonte edhe Klan Kosova që bëri storie tjera për atë temë pavarësisht që s’kishte temë.
Qysh me shpëtu?
Fjala e lirë duhet të ruhet me çdo kusht. Por, fjala e korruptuar s’është e lirë. Fjala e paguar, e porositur s’është e lirë. Siç është as ajo që synim të vetëm ka provokimin e reagimeve. Edhe kjo duhet mbrojtur që të shprehet. Por, jo edhe nga pasojat ligjore e morale.
Dorën në zemër, s’ka lidhje nëse dikush të gjykon pse han qebapa. Fundja, këtë gjykim mund ta bëj edhe një vegjetarian. Dhe, bota është kjo që është. Njerëzit kanë dieta të ndryshme ushqimore. E më the e të thashë.
Problemi i kësaj kronike s’është argumenti që shtron. Problemi është që s’ka argument hiç. Ka veç provokim.
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).