Pyetja
Të dashurin e kam të mençur e me sens humori. S’mërizem kurrë kur flas me të. Më bën me qeshë derisa s’ngihna frymë. Seksi është fantazi. Jemi bashkudhëtarë të mirë.
Problemi është se ai është me Lutfi Hazirin. E di që Luta është njeri i poshtër në çdo formë të mundshme. E përçmoj si person dhe ia përçmoj qëndrimet me çdo fibër të qenies time. I dashuri s’i ngrit dy gishta, s’ka vathë në cicë dhe e pranon se Luta i ka disa mangësi, por thotë se “ia pëlqen politikat” dhe planifikon me votu edhe në të ardhmen… përsëri. E kam pyet se a mundet diçka me zhgënjy prej Lutës, por s’i bjen ndërmend kurrgjë hiç.
Natyrisht, provojmë mos me folë për politikë, por të dy i përcjellim zhvillimet e fundit nga afër, dhe çdo muaj përfundojmë në grindje dhe veç kur e gjej veten duke e vënë në pikëpyetje lidhjen me të.
A mos po tregohem e pasinqertë me bindjet e mia morale duke qëndru në një lidhje me dikë që e mbështetë një person që unë e konsideroj të gërditshëm?
Përgjigja
E dashur lexuese,
Kollaj e ke.
Shijoje Lutën tënd! Përqafe; çmoje; kallëzoji qysh bëhet kjo punë. Përthekoje me krahë krejt lutfillëkun e tij, përreth krejt therjeve të vathëve të tij, dhe këqyre qysh shkrihet në dallgët e një gjeneroziteti hyjnor.
Njerëzit që duam: gjithmonë ka diçka që s’shkon me ta, sepse gjithmonë ka diçka që s’shkon me krejt neve. Ai mund të kishte higjienë të dobët, apo probleme me drogë, apo farë hobi katastrofë. Mundet me qenë pjesë e chateve të gërditshme. Mundet me pasë opinion deluzional për veten.
Sa më shumë që plakem, aq më shumë besoj se opinionet personale të një personi – qoftë politike, qoftë çfarëdo – janë gjëja më e parëndësishme për ta. Qysh jetojnë, qysh iu bëjnë me u ndi – kjo ka vlerë.
Lutfillëkun, në formën më të pastër, besoj se është si erë e zezë që vjen nga thellësia e kaosit. Por, normal ka shkallë të ndryshme të Lutfillëkut. Dhe, a s’e keni çu ndërmend ndonjëherë se lutfillëku i tij, dhe mos-lutfillëku yt, mund të jetë sosi sekret i lidhjes tuaj? Çelësi për sensin e tij të humorit, shkëndija erotike, ajo që e bën interesant për ty? Dhe jeni bashkudhtarë të mirë, hej! Siç ka thënë Walker Pery, nëse një burrë e një grua mund të rrinë bashkë me një kerr për 321 kilometra (pak më larg se prej Prishtine në Durrës), atëherë duhet me u martu menjëherë”.
Ekziston gjithmonë ky paradoks për personin që do: s’mund t’i merrni për të mirëqenë, e megjithatë i merrni si të mirëqenë. Duhet ta kujtoni atë që i bën të rrallë, ndjesinë unike që ta japin dhe brishtësinë e krejt asaj.
Mendimi i fundit: Nëse s’do të grindeshit për Lutën, do të grindeshit për para. Apo për besimin në Zot. Apo për qysh me lëshu maçinën e enëve. E sa për Lutën: mos e lini që ta shkatërrojë një tjetër gjë të bukur.
Rrëfimi dhe këshillimi është autentik dhe është botuar në The Atlantic. Në vend të “partnerit” e kemi përdor “i dashuri” edhe pse e dimë që s’kanë të njëjtin kuptim. Dhe, në vend të Lutfi Hazirit ishte fjala për Donald Trumpin në shkrimin origjinal. E bëmë Lutfi Hazirin e jo Albin Kurti, sepse s’deshëm të sulmoheshim prej militantëve të këtij të fundit. Fundja, jemi magazinë online që funksionon pa asnjë cent. 😛
TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).