E diel, 7 Shtator, 2025

Inteligjenca e KFOR-it: Dimal Basha është shefi real i Vetëvendosjes, kontrollon çdo veprim të Albin Kurtit*

SatirëInteligjenca e KFOR-it: Dimal Basha është shefi real i Vetëvendosjes, kontrollon çdo veprim të Albin Kurtit*

Zgjedhja e Dimal Bashës në pozitën e Kryetarit të Kuvendit befasoi të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht partisë, etnisë, fesë apo orientimit seksual. Sidoqoftë, duket se kjo zgjedhje nuk ka befasuar misionin e NATO-s në Kosovë që në një raport sekret e vlerësonte ferizajasin si “shef real” brenda Vetëvendosjes.

Në vitin 2015, kryetari i Vetëvendosjes quhej Visar Ymeri. Megjithatë, shërbimet inteligjente dhe jointeligjente kishin njohuri se shefi real i kësaj partie kishte emër tjetër. Quhej Albin Kurti.

Historia duket se është përsëritur (nuk është mësuar)

Në vitin 2025, kryetari i Vetëvendosjes quhet Albin Kurti. Megjithatë, inteligjenca e KFOR-it me anë të një raporti sekret thotë se shefi real i kësaj partie ka emër tjetër. Quhet Dimal Basha.

Provat

Në këtë raport të vitit 2024 përmendet fakti se Basha u bë figura qendrore e reprezentimit të Vetëvendosjes në debatin politik vendor.

“Basha në mënyrë të mistershme u bë figura qendrore e reprezentimit të Vetëvendosjes në Kuvend të Kosovës dhe media, përkundër faktit se 1) ishte anëtarësuar fare vonë në këtë parti; dhe 2) numri i deputetëve dhe figurave të kësaj partie në nivel ekzekutiv (ministra, zv. ministra) e kalonte njëqindëshin. Si mund ta veçonte veten një figurë si Basha – me kulturë mjerueshëm të varfër komunikative – mes qindra figurave tjera të Vetëvendosjes po të mos ishte ai njeriu kryesor i saj?” – shkruan një paragraf i këtij raporti.

Në një tjetër prova është edhe më goditëse.

“Në paraqitjet e tij publike, Basha ishte i vetmi që nuk i nënshtrohej kontrollit diskursiv partiak. I vetmi që jepte ide të padëgjuara më parë dhe i vetmi që guxonte të sulmonte opozitën më zi se kryeministri Kurti. Derisa gjuha e Kurtit po zvogëlohej e zvogëlohej, ajo e Bashës po rritej e po rritej.”

Mes provave tjera të listuara për pushtetin sekret të Dimal Bashës, përmendet edhe sulmi që ky i kishte bërë ministrit Liburn Aliu për lejimin e ndërtimeve në Ferizaj.

Kurti ‘kukull’ e Bashës

Ky raport sekret e portreton figurën kryesore politike në Kosovë, Albin Kurtin, thjesht si një ‘kukull’ në duart e Dimal Bashës.

“Të paktën prej vitit 2023, z. Albin Kurti është vënë nën kontrollin e plotë të z. Dimal Basha. Me urdhër të tij janë spastruar radhët e kësaj partie nga elementet konservative. Janë larguar figura të ndryshme si Eman Rrahmani, Visar Korenica ndërsa pritet largimi apo margjinalizimi i të ngjashmëve. Po ashtu, besohet nga burime të ndryshme se ishte z. Basha që ka urdhëruar Kurtin të dilte në paradën e Krenarisë në qershor të vitit 2024 për herë të parë.” – shkruhet në një pjesë të raportit.

Ky raport i KFOR-it shton se z. Basha do ta zbulojë veten si njeriu kryesor i Vetëvendosjes së shpejti, duke përmendur edhe pozitën që tashmë e mban: atë të Kryetarit të Kuvendit.

“Ideja e tij është që së pari me anë makinacionesh të ndryshme të bëhet kryetar kuvendi, e më pas edhe president. Por, më vonë ai do të kërkojë nga Kurti që t’i transferojë popullaritetin e madh për të marrë edhe pozitën e kryeministrit,” – thuhet tutje.

Ky raport sekret nuk tregon se si ndodhi që Kurti t’i nënshtrohej Bashës, por megjithatë e jep një ide.

“Nga informacione të paverifikuara thuhet se Kurti po shantazhohet nga Basha me anë të një videoje ku i pari shihet duke vjedhur rrymën në shtëpinë e tij 230-metërshe në lagjen Taslixhe për të cilën paguan nga 250 euro në muaj,”

*Shiko rubrikën në të cilën ndodhet ky tekst për ta kuptuar seriozitetin e tij.

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: