E mërkurë, 22 Tetor, 2025

“Jehomorfa”: Akustika e dritës dhe trupi i kujtesës. Nxjerr në sipërfaqe heshtje të thella, kujtime kolektive e intime, përvoja që nuk kanë zë

Kulturë“Jehomorfa”: Akustika e dritës dhe trupi i kujtesës. Nxjerr në sipërfaqe heshtje të thella, kujtime kolektive e intime, përvoja që nuk kanë zë

Ekspozita “Jehomorfa”, e kuruar nga Mirjana Meçaj dhe e realizuar nga tri motrat artiste Elsa, Fatma dhe Natasha Paja (Trivet), ngrihet si një përpjekje për të përkthyer përvojën e pashprehshme të kujtesës në materie drite. Ajo nuk artikulohet si ekspozim formal, por si gjendje përjetimi, ku ndërthuren tingulli dhe forma, drita dhe heshtja, për të rikrijuar atë çast të brishtë kur perceptimi tejkalon vetveten dhe bëhet ndjesi e thellë e pranisë. “Jehomorfa” e zhvendos syrin nga e dukshmja drejt ontologjisë së imazhit — aty ku pamja nuk është më objekt, por frymë që pulson në hapësirë, një kujtesë që merr trup përmes ritmit të natyrës dhe lëvizjes së dritës.

Ontologjia e kujtesës dhe trupi i dritës

Në thelbin e saj, “Jehomorfa” nuk është as përshkrim e as pasqyrim, por transformim i ndijimit në ndërgjegje. Imazhi këtu nuk është dëshmi e një realiteti të shkuar, por mishërim i kujtesës që mbijeton — një energji që nuk mund të shuhet, sepse ajo është vetë frymëmarrja e kohës. Në këtë kontekst, fotografia nuk është akt regjistrimi, por proces ontologjik i rikthimit të përvojës: ajo rikujton, jo përmes shenjës, por përmes dridhjes së dritës që rri pezull ndërmjet mungesës dhe pranisë. Çdo teksturë, çdo hije, është si shtresë e një arkeologjie të pavetëdijes, ku drita bëhet lëndë e kujtesës dhe hapi i njeriut lë gjurmë në ndërkohë.

Në këtë përmasë, Trivet ndërtojnë një filozofi të kujtesës materiale, ku fotografia është një mënyrë për të dëgjuar nëntokën e ekzistencës — një “përgjumje” e përjetshme që zgjerohet në trupin e imazhit. Njeriu, i rikthyer në përmasën e tij origjinale, nuk është më zotërues i natyrës, por pjesë e saj, një qenie që frymon bashkë me dritën, ujin, gurin dhe heshtjen. Kjo bashkëjetesë arkaike e përbashkon me ritmet e kozmosit dhe e vendos përballë një kujtese që s’ka fund, por vetëm transformime.

Paternët e përjetësisë dhe ritmi si gjuhë universale

Në “Jehomorfë” pulson paterni universal — struktura e padukshme që rregullon marrëdhënien midis njeriut dhe natyrës. Ai nuk është skemë estetike, por kod arketipal, një frymë që përthith ritmin e përjetësisë dhe e shpërfaq përmes valëzimit të dritës. Ritmi fotografik që ndërtojnë Trivet nuk është formal, por ritualik: një përsëritje e heshtur që krijon përjetim të ngadalshëm, si për të rikthyer imazhin në gjendjen e tij të parë — në frymëmarrje. Kështu, fotografia shndërrohet në akt dëgjimi, në një formë përuljeje përpara botës, ku drita nuk ndriçon, por kujton.

Kjo lëvizje e ngadaltë, e cila e zhvendos vështrimin nga konsumimi drejt përjetimit, përbën një kritikë të heshtur ndaj epokës së harresës. Në kohën kur bashkëjetesa me natyrën është shndërruar në pasqyrë të thyer, arti fotografik i Trivet nuk kërkon ta riparojë realitetin, por ta kujtojë atë në ndërgjegje. Ai bëhet një formë rezistence metafizike ndaj zbrazëtisë së shikimit modern, një përpjekje për t’ia kthyer imazhit dimensionin e tij shpirtëror.

Mirjana Meçaj, kuratorja e ekspozitës “Jehomorfa” ka thënë, “Jehomorfa” është një përpjekje për të përkthyer një përvojë që nuk mund të përcaktohet lehtë. Hulumton për të emërtuar një proces që ndihet në ajër, si për ta ravijëzuar akustikën vizuale, pra përkthen mënyrën se si forma nuk është më vetëm dukje, por jehonë e mbetur nga diçka që ka kaluar, që ende pulson në hapësirë dhe kohë. Një formë që flet në mungesë. Në fakt ajo nuk është vetëm pasqyrim, por rikthim i një ndjesie e cila lë gjurmë në ndërgjegje. Fotografia, në këtë kuptim, është më afër kujtesës . Ajo nuk dokumenton, por risjell: bëhet vend ku koha e shkuar merr frymë në të tashmen. Si rrjedhë e kësaj logjike ajo bëhet si një arkiv i gjallë.

“’Jehomorfa” është një përpjekje për të shndërruar jehonën akustike të botës në një strukturë pamore. Si një sintezë vizuale, ajo nuk e përfaqëson tingullin drejtpërdrejt, por ritmin e tij të brendshëm. Një lëkundje që imazhi e ruan si frymë të heshtur. Tingulli nuk dëgjohet, por shihet si dritë e mbetur në formë,” – është shprehur Meçaj për magazinën TJETËR.

Meçaj më tutje ka shtuar se metafora e përdorur “pasqyrë e thyer” ka si qëllim të nënvizoj moralin dhe ndjeshmërinë që duhet të kemi në ditët e sotme me natyrën. Bashkëjetesa ka marrë trajta të tjera, thuajse nuk ekziston nga masa, ose e shprehur me qartë, politika për përfitimet e veta e fusin njeriun drejt një sistemi i cili e përfshin njeriun drejt zgjedhjeve vetë-flijuese. Koha e shkuar në fragmetimin e saj po ta observojmë, na tregon se njeriu ishte brenda saj, jo mbi të. Në këtë ekspozitë mënyra se si shfaqet njeriu në raport me natyrën, tregon se sa i vogël është, por nga ana tjetër ia tregon shpinën si një sjellje indiferente dhe e papërfillshme.

“Arti fotografik nuk e rikthen simbiozën si realitet të jashtëm, por si ndërgjegje. Ai e hap një hapësirë ndijore ku njeriu mund të rikujtojë lidhjen e harruar. Përmes ritmit të dritës, përqendrimit në gjurmë dhe pranisë, fotografia shndërrohet në një formë rezistence ndaj shkatërrimit, një kujtesë që nuk mund të shlyhet”, ka thënë ajo.

Meçaj më tej shtoi se gjurmët janë të pranishme në teksturat, në dritën që depërton trupin, në mënyrën se si hijet dhe fryma ndërlidhen. “Kujtesa e natyrës” nuk është një objekt i qartë, por një prani që rrëshqet mbi lëkurë, në frymëmarrje, në shenjën që mbetet mbi ne edhe kur nuk e shohim. Fotografia është një mënyrë për të gërmuar në shtresat e ndërgjegjes, si një mjet arkeologjik që nuk kërkon objekte, por gjendje. Ajo nxjerr në sipërfaqe heshtje të thella, kujtime kolektive e intime, përvoja që nuk kanë zë. Në këtë kuptim, ajo është më afër dëgjimit të nëntokës sesa vështrimit të sipërfaqes.

“Kujtesa që zë trup” është një kujtesë që nuk jeton vetëm në mendje, ajo mishërohet, merr formë, zë vend në trupin e dritës. Fotografia nuk është kujtesa vetëm, por shenja që i jep trup kësaj kujtese. Ajo është frymë e materializuar,” shprehet më tutje Meçaj.

Ajo ka thënë, ritmi fotografik ndërtohet përmes përsëritjeve të heshtura, intervaleve, dritës që nuk qëndron statike, por lëviz si valë. Nuk është vetëm kompozim vizual, por një puls ,një frymëmarrje që i jep imazhit një kohë të brendshme. Ky ritëm është jehona e asaj që s’është më. “Paterni universal” është struktura e thellë që ndërlidh njeriun me natyrën, një gjuhë e padukshme që qëndron nën çdo formë. Ai është ritmi arketipal i jetës: frymë, lëvizje, përsëritje. Përjetësia e kujtesës është vetëm një shfaqje e tij; thelbi është bashkëjetesa e përhershme me një sistem më të madh sesa ne.

“Riti nuk shfaqet si ceremonial i dukshëm, por si ndjesi përuljeje. Imazhi nuk sundon natyrën, por i afrohet me heshtje, si një dëgjues. Ky është një rikthim në burim, jo për ta zotëruar, por për të qenë pjesë e tij,” është shprehur kuratorja.

Meçaj ka shtuar se “Jehomorfën” shikuesi mund ta përjetojë, si një heshtje që tingëllon, si kujtim që merr formë përpara syve. Përjetimi nuk është linear: ai lëviz ndërmjet ndijimit dhe përfytyrimit, duke ftuar shikuesin të mos shohë vetëm imazhin, por të dëgjojë jehonën e tij të padukshme. Duke e ngadalësuar ritmin. Duke e kthyer imazhin në hapësirë të përjetimit, jo të kalimit. Fotografia duhet të rikthehet në përmasën e saj të ngadaltë, ku shikimi bëhet dëgjim dhe praninë ndjehet si frymë. Vetëm kështu imazhi nuk shterohet në konsum, por vazhdon të pulsojë.

Natasha Paja njëra nga tri artistet është shprehur se forma e kujtesës që kthehet te ne jo për të riprodhuar, por për të rikujtuar. Në një kohë ku gjithçka rrotullohet rreth shpejtësisë dhe konsumit, jehona është akt rezistence: një mënyrë për të dëgjuar përsëri veten, për të kujtuar prej nga vijmë. Kthimi nuk është nostalgji, por një ndërgjegjësim një rikthim drejt origjinës përmes ndërgjegjes. Kemi ndërtuar një ekonomi që ushqehet nga shkatërrimi i ekuilibrit ku toka, uji, ajri janë reduktuar në burime, jo në marrëdhënie. Në këtë realitet, arti nuk mund të jetë neutral. Jehomorfa nuk është protestë, por kujtesë, kujtesa se ekziston një mënyrë tjetër e të jetuarit, më e ngadaltë, më e ndjeshme, më e bashkëjetueshme.

“Në kohën ku, zonat e mbrojtura po shndërrohen në pasuri private. Oligarkët ndryshojnë ligje si të ishin kufij në rërë, duke e kthyer hapësirën e përbashkët në pronë të përveçme. Natyra tjetërsohet, shitet, betonizohet, jo për nevojë, por për lakmi. Në këtë realitet, Jehomorfa është si një pasqyrë që refuzon të heshtë: ajo rikujton se toka nuk është pasuri, por frymë; se lumi nuk është burim energjie, por kujtesë që rrjedh; se çdo prerje peme është një prerje kujtese,” – ka thënë ajo.

Paja më tutje ka shtuar, atëherë kur tejkalojmë vetveten dhe mbrojmë të përbashkëtën, e duam tjetrin dhe vlerësojmë çdo grimcë të kësaj natyre. Dikur, për të prerë një pemë, duhej të mblidhej fshati. Duhej të thuhej një fjalë, të bëhej një rit, të kishte miratim. Ishte një akt me kuptim, me ndjesi, me përgjegjësi. Sot, një pemë pritet në sekonda, pa mendim, pa ndjesi, pa kujtesë. Jehomorfa rikujton atë ndjesi të humbur të shenjtërisë së natyrës: se çdo degë mban frymën e dikujt, çdo rrënjë është një damar kohe. Në mungesë të ritit, kemi humbur respektin; dhe me humbjen e respektit, kemi humbur lidhjen.

“Shikuesi Jehomorfën mund ta përjetojë si zëri që përplaset në çdo kah, çdo përplasje e bën më të fortë dhe më kumbues. Ky kumbim lind si rezistencë e forcave që përballen, si një jehonë që nuk shuhet, por rrit ndërgjegjen dhe ndjeshmërinë tonë,” ka theksuar Natasha Paja për magazinën TJETËR.

Elsa Paja njëra nga artistet ka theksuar se një kohë ku e ke të vështirë ta gjesh kohën tënde, ti detyrohesh ”me u bë copash”. Përditshmëria është bërë kaq e shpejtë sa e ke të vështirë të ndalesh e të vështrosh. Çdo gjë ta tërheq vëmendjen, po edhe ta merr atë. Kjo ‘çdo gjë’ shpesh është asgjë në atë çfarë na bën. Në këtë raport mungese hyn edhe njeriu me natyrën. Hyn duke e pasur të vështirë njëtrajtësimin. Hyn si mbivendosje, jo si zgjatje e shkrirje. Në zonat ku përditshmëria ka një ritëm tjetër, një ritëm qe e ka sfidu kohën dhe sistemin shtypës neoliberal, janë zonat e fshatrave. Në këto hapësira ende mund ta ndjesh një lloj raporti njerëzor, që nuk ndalet së komunikuari me natyrën. Marr shkas zonën e Zall-Gjoçaj, ku ky raport harmonik midis njeriut e natyrës, kërkohet të zhbëhet nga jashtë. I vetmja rast ku institucionet kujtohen për këtë zonë, janë kur duan t’ia marrin gjënë më të çmuar që kanë, ujin, lumin e saj. Mund t’i përmendim edhe rastet e zonës së Kundarit, Tragjasit, Skavicës… Thyerja duhet të jetë e panumërt, kur për interesat e një njeriu të vetëm duhet të futet në tupa një lum, e shtrati i tij prej dhjetëra kilometrash të thahet.

“Ashtu si shumë fise indigjene janë në ballë të mbrojtjes së natyrës nga sulmuesit e jashtëm*, edhe në Shqipëri, sidomos, janë banorët e fshatrave të cilët janë në front të betejës ekologjike që është duke ndodhur. Janë këta banorë që deri në këto momente kanë qenë të panumërueshëm do të thoshte Rancier, deri ne momentin kur atyre duan tja marrin pasuritë.” ka thënë për magazinën TJETËR Elsa Paja.

Ajo më tutje është shprehur se, kujtesa është kudo, si në harmoni, ashtu edhe në parehati. Kujtesë e parehatshme është edhe në rastin ku tekstura e pamasë blu e gurëve të gërryer, na shfaqet mbytëse mbi njeriun e kërrusur. Tekstura e gurëve të mbetur nga ngrënja e skllavatorit rëndojnë pafund mbi shpinën e fshatarit.

“Sulmues i jashtëm” nuk është ndonjë nocion abstrakt. Sulmuesit e jashtëm janë njerëzit të cilët nuk jetojnë në zonat që po përmendim, por që shkojnë si kolonizator e duan t’ia marrin ujin, apo pjesë tjetër të natyrës, zonave fshatare sidomos. Në shumicën e rasteve këta sulmues janë te përkrahur apo u është shtruar rruga nga institucionet publike lokale apo kombëtare,” ka thënë Elsa Paja.

Në këtë kuptim, “Jehomorfa” nuk është ekspozitë, por manifest i ndjeshmërisë — një udhëtim përmes shtresave të kujtesës ku drita, hija dhe heshtja gërshetohen në një koherencë të padukshme, që e rikthen artin në thelbin e tij të parë: si dëgjim i botës që frymon përbrenda nesh.

 

 

 

 

 

 

TJETËR është një faqe që funksionon në baza vullnetare. Mbështet punën tonë duke pëlqyer faqen tonë në Facebook (KËTU) dhe kanalin tonë në YouTube (KËTU).

Ju mund të pëlqeni edhe këto: